Kuvendi Komunal shtyn miratimin e statutit

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka mbajtur të hënën seancën e radhës, ku fillimisht ka votuar për shtyrjen e ndryshimeve të statutit të Komunës për një seancë të veçantë. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se është e nevojshme të bëhen edhe disa harmonizime në variantin final. Sipas opozitës (PDK), e cila paraprakisht ka kundërshtuar shuarjen e dy drejtorive, siç është propozuar nga komisioni statutar, shtyrja u bë për shkak se pozita nuk i kishte të sigurt votat e mjaftueshme për të miratuar ndryshimet në statut.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se Komuna e Gjilanit, po mundohet ta bëjë punën e saj në përputhje me ligjin. “Unë jam i interesuar që Kuvendi Komunal të jetë organi më i lartë vendimmarrës e jo Zyra e Kryetarit”, ka thënë Haziri.
Sa i përket mos pjesëmarrjes së tij në takimet e komiteteve, Haziri ka thënë se ai nuk është i interesuar që të ndikojë në asnjë mënyrë në vendimmarrje, prandaj i kanë lënë trupat komunale që të punojnë në mënyrë të pavarur.
Arben Mehmeti nga LDK, njëherësh kryesues i komisionit për ndryshime statutare ka thënë se nuk është çështje numrash siç pretendon opozita (PDK), por Komisionit i duhet edhe një takim për të harmonizuar qëndrimet dhe para kuvendit të sjellin një variant të vetëm final dhe pastaj me të, të merren kuvendarët.
Kurse Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se heqja e çështjes së statutit nga rendi i ditës ka të bëje vetëm me numrat që nuk i ka LDK, sepse, siç tha ai, po të ishte puna aty atëherë fare nuk do të ishte futur në rend dite kjo çështje./rajonipress/