Eko Higjiena

Kuvendi Komunal miraton raportin tremujor financiar

/ 7 minuta lexim

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në mbledhjen e radhës, të drejtuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka miratuar planin e punës për vitin 2015, raportin financiar janar-mars 2015, vendimin për këmbimin e një prone komunale me pronë private, pastaj kërkesën e Bashkësisë Islame për shfrytëzimin e hapësirës publike në lagjen “Zabeli”, projekt-rregulloren për transparencë, projekt-rregulloren për mbrojtjen e të miturve nga dukuritë që dëmtojnë shëndetin e tyre, vendimin për themelimin e Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikimit hapësinor si dhe planin e punës së Komitetit për Siguri në Bashkësi.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se në planin e punës do të përfshihen edhe propozimet që dhanë këshilltarët komunalë, duke lënë mundësinë që agjenda e asamblistëve të Gjilanit për vitin 2015, të plotësohet në vazhdimësi. Plani është orientues dhe ai mund të plotësohet në të ardhmen, ka thënë Bunjaku.

Qëndrimet e këshilltarëve komunalë sa i përket planit të punës, ishin të ndryshme. Sahit Abazi (PDK) kërkoi që miratimi i planit të shtyhet për seancën e ardhshme, sikurse edhe Nevzad Isufi (VV), i cili tha se ky plan duhet të plotësohet. Ndërkaq, Avdyl Aliu (LDK) e Selami Xhemaili (AAK), thanë se plani është i mirë dhe i bazuar në objektiva reale për vitin 2015, prandaj duhet të miratohet.

Në vazhdim të seancës, të cilën e ka drejtuar Zajdin Maliqi, këshilltari më i vjetër i asamblesë, për kohën sa kryesuesja ka qenë në takimin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili ishte për vizitë në Gjilan, Kuvendi Komunal ka shqyrtuar dhe miratuar raportin financiar janar-mars 2015, të cilin në pika të shkurtra e ka paraqitur Ilmi Limoni, u.d. i drejtorit financiar.

Limoni ka thënë se të hyrat komunale në tremujor, zakonisht janë më të ulëta se në periudhat tjera, për shkak të disa faktorëve. Sipas tij, ndikim tek të hyrat komunale ka pasur edhe vendimi i qeverisë për faljen e borxhit të tatimit në pronë, migrimi i popullatës dhe rrethana të tjera. Megjithatë, Gjilani, për dallim prej komunave tjera, qëndron më mirë në realizimin e të hyrave vetanake, ka thënë ai.

Zijadin Maliqi (LDK) tha se raporti prezanton gjendjen reale. Janë disa shërbime dhe punë që zakonisht nuk kryhen në tremujorin e parë, prandaj edhe ka më pak të hyra se në periudhat tjera të vitit. Megjithatë, ai ka kërkuar më shumë angazhim nga drejtorët
komunalë në muajt vijues, në mënyrë që deri në fund të vitit, buxheti të realizohet ashtu siç është planifikuar. Edhe shpenzimet janë në nivelin e planit, por edhe këtu reflektohen të njëjtit faktor sikurse tek të hyrat, ka thënë ai.

Riad Rashiti (PDK) ka thënë se raporti tremujor financiar tregon se në komunën e Gjilanit vazhdon të rritet kriza buxhetore. Të hyrat vetanake kanë shënuar rënie, ndërsa niveli i shpenzimeve, në total është i njëjtë me vitet e kaluara, ka thënë Rashiti. Sipas tij, edhe në ndarjen e grantit qeveritar për investime kapitale, Gjilani po vazhdon të trajtohet sikur një komunë e vogël.
Krenare Latifi (VV) ka thënë se te disa kategori, të hyrat vetanake janë më të vogla se në tremujorin e vitit të kaluar, kurse Selami Xhemaili (AAK), tha se raporti është i hollësishëm, por kërkoi që në të ardhmen të përmbajë edhe pjesën përshkruese dhe të mos jetë vetëm në shifra.

Kuvendi Komunal ka miratuar njëherësh edhe kërkesën për këmbimin e pronës publike me pronë private, e cila është marrë për nevoja të rrugës së deponisë në Velekincë si dhe kërkesën e Bashkësisë Islame, për ndarjen e një sipërfaqeje prej 643 m/2 në lagjen “Zabeli” për ndërtimin e një parkimi për nevoja të xhematit dhe qytetarëve, të cilat i arsyetoi Sadudin Berisha, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.

Fidanishtja

Kuvendi Komunal ka miratuar edhe projekt-rregulloren për transparencë si dhe projekt-rregulloren për mbrojtjen e të miturve nga dukuritë që dëmtojnë shëndetin e tyre, të cilat i ka arsyetuar Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore.

Debatit për rregulloren për mbrojtjen e të miturve nga dukuritë negative, i kanë kontribuar Shpresa Kurteshi, Mevlide Zejnullahu, Jehona Hyseni, Leonora Morina, Selvete Shurdhani, Jonuz Hasani, Arben Mehmeti, Fehmi Sylejmani, Zijadin Maliqi, Jashar Jashari, Riad Rashiti, Isa Agushi e Arben Maliqi, ku ka mbizotëruar mendimi se një rregullore e tillë është e nevojshme, por kanë ngritur dilema sa i përket zbatimit të saj në praktikë.

Kuvendi ka miratuar edhe planin e punës së KKSB, që e ka prezantuar Halit Rexhepi si dhe vendimin për themelimin e Komitetit konsultativ të ekspertëve, anëtarët e të cilit zgjidhen me konkurs.

Njëherësh, Kuvendi Komunal ka anuluar vendimin për ndarjen e një parcele për nevoja të banimit social, qytetarit Fatmir Isufi, meqë Ministria e Pushtetit Lokal e ka kthyer dy herë në rishqyrtim këtë vendim, duke tërhequr vërejtjen se nuk është në harmoni me ligjin.
Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se Kuvendi Komunal tregoi vullnet të mirë në rastin konkret, duke dashur të ndihmojë këtë qytetar për të zgjidhur problemin e banimit, brenda një hapësire ku më herët, në bazë të një vendimi të Kuvendit Komunal të përbërjes së kaluar janë ndarë 6 parcela për të njëjtin qëllim dhe ku janë ndërtuar edhe shtëpi.

Në pikën nën të ndryshme, drejtorët komunalë Sokol Haziri (Shërbime Publike), Nazmi Musa (Arsim) e Ismail Januzi, janë përgjigjur në pyetjet e këshilltarëve Bujar Nevzadi, Fehmi Sylejmani, Riad Rashiti, Arben Maliqi, Renan Imami, Nevzad Isufi, Fatbardha Selmani, Leonora Bunjaku, Arijeta Rexhepi, Isa Agushi dhe të tjerë.

Në këtë pikë është sqaruar para Kuvendit Komunal edhe Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, rreth akuzave që po i bëhen atij herë pas here nga opozita (PDK), në lidhje me disa ndërtime, rrjetin e kanalizimit në lagjen “Zabeli”, që përshkon disa prona të tij, tenderit të shpërndarjes së materialit ndërtimor për të dëmtuarit e tërmetit të vitit 2002, të cilin e kishte fituar kompania ku ai është bashkëpronar dhe akuzave tjera, duke ofruar dëshmi me shkrim për të gjitha këto, ku shihet pastërtia e tij është konstatuar edhe nga organet gjyqësore e administrative.

Aliu ka kërkuar t`iu jepet fund akuzave të tilla të pabaza, duke thënë se nuk do të lejojë të kalohet vija e kuqe, por do t`i padis në gjyq për shpifje ata që e akuzojnë pa fakte.
Riad Rashiti (PDK), ka thënë se 90 për qind të qytetarëve, nuk besojnë te drejtësia në Kosovë, kurse Bujar Nevzadi (PDK) tha se ato që i ka deklaruar ai në Kuvend Komunal për Aliun, nuk janë shpifje. Ka reaguar Bunjaku-Rexhepi duke thënë se ne i besojmë drejtësisë.

Përndryshe, nga takimi me kryeministrin, kryesuesja e Kuvendit Komunal ka sjellë një lajm të mirë për këshilltarët komunalë, duke thënë se është njoftuar që kërkesa drejtuar qeverisë së Kosovës në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, për rritje të kompensimit për asamblistë, është marrë parasysh dhe paga bazë do të jetë 200 euro, në vend të 100 eurove, sa ka qenë deri tani./rajonipress/