Fundamenti

Kuvendi Komunal miratoi një pako tjetër vendimesh

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e parafundit të punës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të cilën e ka udhëhequr Izmi Zeka, kryesues, ka miratuar disa vendime të rëndësishme.

Kuvendi Komunal ka aprovuar edhe vendimet që kanë të bëjnë të bëjnë me kompensimin e pronës përmes koeficientit të ndërtimit, planin investiv në infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit, zgjidhjen urbanistike në hapësirën publike “Parku” në lagjen Arbëria, rregullimin e dy ngastrave për nevoja të Qendrës “Don Bosko” si dhe ka shpall interesin publik për dy ngastra në Kodrën e Dëshmorëve, për nevoja të realizimit të projektit të qeverisës zvicerane për ndërtimin e një rezervuari të ujit.

Ndërkaq, Kuvendi ka vendosur që të shtyjë për një seancë tjetër propozim-vendimin për një zgjidhje urbanistike në lagjen “Qarku”, për të rishikuar mundësinë që një sipërfaqe prej disa arësh të mos ridestinohet për nevoja private, por t`i bashkohet hapësirës shkollore, për nevoja të saj zhvillimore në të ardhmen, propozime këto që janë arsyetuar nga Bahrije Mahmuti, drejtoreshë e Urbanizimit.

Jakup Bajrami tha se GK të LDK nuk pajtohet me reduktimin hapësirës shkollore në lagjen “Qarku”, që në parim u pajtua edhe kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, i cili kërkoi që kjo çështje të rishikohet edhe njëherë, nëse është e mundur që këto ngastra t`i bashkëngjiten zonës së shkollës, me gjithë mundësitë e kufizuara që ka komuna për kompensim.

Kuvendi miratoi vendimin për kompensimin e pronës përmes koeficientit të ndërtimit. Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se mungesa e mjeteve për shpronësime të pronave, të cilat janë të nevojshme për interesa publike, ka imponuar si zgjidhje mundësinë e kompensimit të pronës private me koeficient ndërtimi, që nuk mund të jetë më i lartë se 20 për qind. Në këtë mënyrë, Komuna bëhet pronare e tokave, pa pasur nevojë të ndajë mjete financiare për to, nëse ekziston edhe vullneti i palës tjetër.

Sadudin Berisha (LDK) u deklarua kundër, duke thënë se propozimi është në kundërshtim me ligjin, kurse Bahrije Mahmuti sqaroi se kjo nuk bie ndesh me planin rregullues, ndërsa u përkrah nga koalicioni dhe subjekti tjetër opozitar (AAK) në Kuvend Komunal.

U miratua edhe marrëveshja parimore për kompletimin e ngastrave ndërtimore përmes ndërrimit të kufijve të parcelave dhe rregullimit të marrëdhënieve pronësore juridike në zonën “Fidanishte”, për nevoja të Qendrës Socio-Edukative “Don Bosko”, e cila parasheh të ndërtojë një shkollë të mesme profesionale.

Këshilltari i PD-së, Arianit Sllamniku tha se ky projekt është në kundërshtim me parimet dhe identitetin e komunës së Gjilanit, duke shtuar se edhe prona është kontestuese. Ai, sikurse edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike Turke, Selim Selimi kanë votuar kundër këtij vendimi.

Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, tha se vendimi duhet të procedohet, ndërsa pronari mund të vazhdojë procedurën në gjykatë dhe nëse e rikthen të drejtën e pronësisë, ajo do t`i njihet.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës tha se këshilltari Arianit Sllamniku po e manipulon Kuvendin, sepse nuk ka ndalesë nga gjyqi për këtë pronë, e cila, në bazë të dokumenteve, është shoqërore dhe menaxhohet nga AKP-ja, e cila ka bërë ndërrim me pronën komunale, për nevoja të Qendrës “Don Bosko”.

Mobi Casa

Sa i përket rregullimit të ngastrave, ai tha se edhe pronari është pajtuar.

Drejtori i Arsimit, Bujar Nevzati, ka thënë se kjo qendër i nevojitet Gjilanit dhe drejtoria e mbështet projektin për ndërtimin e shkollës profesionale, ndërkohë që projekti u vlerësua me interes nga numri më i madh i këshilltarëve komunalë.

Plani për investime në infrastrukturën ujore dhe të kanalizimit, të cilin e ka prezantuar zyrtari Fehmi Agushi, ka qenë pika e vetme që ka bashkuar në qëndrimet e tyre dhe votim, pozitën dhe opozitën. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme, në këta sektorë, parashihet të investohen deri në 100 milionë euro.

Plani u vlerësua me interes të madh, projekt jetik dhe madhor për qytetarët e komunës së Gjilanit, por u rekomandua që ai të realizohet sipas prioriteteve.

KK miratoi edhe vendimin për zgjidhjen urbanistike të një hapësire publike në lagjen “Arbëria”, të cilin e arsyetoi drejtoresha Bahrije Mahmuti. Ajo tha se në debat janë përfshirë edhe qytetarët dhe janë marrë parasysh interesat e tyre në këtë zonë, ku do të ketë çerdhe, terrene sportive, hapësira të gjelbra dhe përmbajtje tjera.

Kuvendi u njoftua përmes informatave me shkrim edhe për kriteret e pranimit të nxënësve në klasën e parë të shkollës fillore dhe për kriteret e pranimit të punëtorëve në arsim, për menaxhimin e parkingjeve nga shoqatat e dala nga lufta, për mirëmbajtjen verore të rrugëve dhe sinjalizimin horizontal dhe vertikal si dhe për marrëveshjen me kompaninë “VIVA FRESH” sa i përket shfrytëzimit të hapësirës publike për parkim.

Ndryshe, opozita ka kërkuar që të sigurohet transmetim i seancave të Kuvendit Komunal në televizionet ose radiot lokale. Sadudin Berisha (LDK) ka thënë se kjo mund të jetë seanca e fundit që ky subjekt merr pjesë, kërkesë kjo që parimisht është mbështetur edhe nga partia tjetër opozitare (AAK), por jo me kushtin e bojkotimit të seancave, ka thënë shefi i grupit të këshilltarëve, Sokol Haziri.

Kërkesa është vlerësuar legjitime nga kryetari i Komunës, Mustafa, por sqaroi se ligji nuk i obligon Kuvendet Komunale për transmetim të seancave dhe shtoi se realizimi i kërkesës varet edhe nga fuqia materiale e Kuvendit, por nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të bëhet në të ardhmen.

Kurse Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se seancat janë të hapura për media, për publik, për qytetarë dhe grupe të interesit, duke e rikujtuar opozitën se Kuvendi Komunal ka marrë mirënjohje nga USAID-i pikërisht për transparencë. /rajonipress/