Mobi Casa

Kuvendi Komunal i Vitisë votoi me shumicë votash pro buxhetit Komunal të vitit 2019-2021

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e 9-të të rregullt. Me këtë rast janë votuar dhe shqyrtuar të gjitha pikat e parapara me rendin e ditës. Megjithatë diskutimi më i gjatë është bërë për Draft Buxhetin e Komunës së Vitisë për vitet 2019-2021 i cili po ashtu është votuar me shumicë votash.

Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se kjo komunë ka punuar shumë që buxheti komunal në veçanti lista për investime kapitale të hartohet bashkërisht me qytetarët e kësaj komune por edhe me kategoritë e ndryshme të shoqërisë. “Kemi punuar shumë në hartimin e këtij buxheti komunal i cili do të jetë në interes të gjithë qytetarëve vitias përfshirë edhe kategoritë e ndryshme të shoqërisë. Ky buxhet në veçanti lista për investime kapitale është bërë në bashkëpunim me qytetarët tani pasi që kemi mbajtur diskutime për planifikimin e buxhetit komunal në shumë lokalitete të kësaj komune”, u shpreh Haliti.

Ai tha se edhe pse ky buxhet nuk është i mjaftueshëm në krahasim me kërkesat dhe nevojat të cilat i kanë qytetarët kjo komunë po bënë përpjekje që me donatorë të ndryshëm të realizoj sa më shumë projekte të cilët ndryshojnë për të mirë jetën e qytetarëve të kësaj komune.

Sipas Buxhetit Komunal 2019-2019 të cilën e prezantoj Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Komuna e Vitisë do ta këtë një buxhet prej gjithsej 11.345.554€ për vitin 2019. Ky buxhet pritet të ndahet në këtë formë: paga e mëditje 7.309.561€, mallra e shërbime 1.481.703€, shpenzime komunale 221.000€, subvencionime e transfere 210.000€ si dhe shpenzime kapitale 2.123.287€.

Mobi Casa

Derisa këshilltarët e Kuvendit Komunal nga partitë në pozitë e vlerësuan si pozitv këtë buxhet partitë opozitare paraqitën vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje është diskutuar dhe votuar me shumicë votash edhe:
Propozim vendimi për emërimin e stadiumit të futbollit- fushës ndihmëse në Sadovinë të Jerlive me emrin e dy dëshmorëve vëllezër nga ky lokalitet “Gursel e Bajram Sylejmani”, propozim rregullorja për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba, propozim vendimi për aprovimin e Planit të Punës të Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2019, propozim vendim për inicimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale Parkingjet në qytetin e Vitisë.

Kurse në fund të kësaj seance Fatbardha Emini, Drejtoresh e Drejtorisë Komunale të Arsimit paraqiti edhe informatën për fillimin e vitit shkollor 2018/2019.

Përndryshe në fillim të kësaj seance Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal i njoftoj të pranishmit mbi vlerësimin e ligjshmërisë së akteve por edhe mbi atë se Komuna e Vitisë është përfituese e një granti stimulues të përformancës për vitin 2019 në vlerë prej 105,802€ dhe atë nga Ministra e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe atë nga fondi i bashkëfinancimit me SDC/DEMOS./rajonipress/