Uji Dea

Kuvendi Komunal i Kamenicës aprovoi buxhetin e vitit 2016

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Në seancën e sotme delegatët e Kuvendit Komunal aprovuan me të gjitha votat për dhe vetëm një votë kundër buxhetin e vitit 2016. Mbledhja me pikën e vetme të rendit të ditës u drejtua nga kryesuesi Bajram Dërmaku.

Në fillim të kësaj seance Kryetari Begzad Sinani, paraqiti para asambleistëve aspekte nga buxheti i këtij viti i cili një ditë më parë u refuzua nga delegatët. “Dje pas refuzimit tuaj për ta votuar këtë buxhet e kam njoftuar Ministrin e Financave Avdullah Hoti si edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës. Sot së bashku me nënkryetarin Fatmir Matoshi kemi zhvilluar takim me ministrin Hoti dhe zëvendësministrin Isni Kilaj, me të cilët u dakorduam se buxheti komunal nuk i plotëson nevojat e qytetarëve të Kamenicës. Nga ministri Hoti jemi njoftuar dhe kemi marrë garancione se Kamenica së bashku edhe me tri komuna tjera do të kenë prioritet në investimet nga ministritë e linjës. Kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi do të kenë takime me ministrat përkatës, me qëllim që këto komuna të kenë përparësi në projekte, kështu na u tha sot nga Ministri Hoti” ka thënë kryetari Sinani.

Ai i ka njoftuar delegatët edhe me takimin e mbajtur me ministrin e Infrastrukturës Lutfi Zharku, të cilit i janë dorëzuar projektet e rrugëve si dhe është diskutuar për riasfaltimin e rrugës kryesore në lagjen Malësia dhe në hyrje të fshatit Kopërnicë”.

Kryetari Sinani ka kërkuar nga asambleistët që ta votojnë buxhetin brenda afatit ligjor.

Fundamenti

Buxheti u përkrah me ndryshimin e vetëm që në obligon zyrtarin kryesor financiar që të bëhen shkurtime prej 50 mijë eurosh nga fondi për mallra dhe shërbime dhe të njëjtat të kalojnë në investime kapitale, konkretisht në asfaltimin e rrugëve lokale.

Asambleistët paraqitën shqetësimet e tyre, edhe përsa i përket kategorisë së pagave në arsim, shëndetësi dhe administratë ku mungojnë 830 mijë euro, dhe morën përgjigjen nga kryetari Sinani se edhe ky problem është zgjidhur sot në takimin me ministrin Hoti dhe se ndërhyrjet nuk mund të bëhen sot për shkaqe teknike por ato do të ndodhin në qershor me rishikimin e buxhetit të Kosovës.

Draft buxheti i vitit 2016 mori 20 vota përderisa vetëm një ishte kundër. Në seancë nuk morën pjesë disa nga këshilltarët e LDK-së./rajonipress/