Kuvendi i ‘sefasë’ ia humb edhe një vit Kosovës

Institucionet shtetërore të Kosovës me të madhe po e vonojnë miratimin e ligjeve që ndërlidhen me agjendën për reformë evropiane dhe jo vetëm. Mbi 30 ligje që kanë të bëjnë me integrimin evropian, por edhe shumë ligje të tjera të nevojshme për qytetarët po “mrizojnë” në sirtarët e zyrave të Kuvendit.
Ndërkaq njohësit e kësaj fushe dhe qytetarët e anketuar thonë se deputetët e Kuvendit në vend se të punojnë, korrigjojnë dhe miratojnë ligjet, por edhe që të mbikëqyrin qeverinë, ata po shëtisin dhe po zhvatin paratë e popullit. Kryesia e Kuvendit së bashku me kryetarin dhe grupet parlamentare, në vend se të punojnë për çfarë paguhen, ata po shëtisin me paratë e popullit nëpër ekskursione jashtë vendit dhe po shpenzojnë për dreka e darka, ndërkaq nuk kryejnë detyrat për çka janë zgjedhur dhe për çka marrin paga të larta.
Në një përgjigje të dhënë nga zyrtarët e KDI-së, që monitorojnë punën së Kuvendit të Kosovës për gazetën “Kosova Sot”, në mes tjerash, thuhej se kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës është përballur vazhdimisht me mungesë kuorumi, mirëpo kjo problematikë ka qenë më e theksuar në vitin 2018, çka edhe ka pamundësuar funksionimin normal të punës së këtij institucioni. “Një numër shumë i vogël i ligjeve, 27 prej tyre, janë miratuar këtë periudhë, ndërkaq në procedurë të shqyrtimit janë edhe 42 projektligje të tjera. Prej agjendës legjislative të Qeverisë në pritje janë edhe 69 projektligje të tjera që ende nuk janë sjellë në Kuvend”, thotë KDI-ja.
Temat e kota dominojnë agjendën parlamentare
Eksperti marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për “Kosova Sot” tha se ky vit për Kuvendin është dështim i plotë sa i përket miratimit të ligjeve.”Paaftësia e kësaj legjislature, problemet ndërmjet vetë partive në Kuvend, por edhe mosaftësia për të debatuar për çështjet e interesit qytetar dhe marrja me tema të kota politike ndërmjet vete dhe kundër interesave të qytetarëve ka bërë që kjo legjislaturë të marrë paga të kota edhe pse shumë deputetë mungojnë në sallë të Kuvendit, apo ky kuvend ballafaqohet me pa kuorum, ngase mungesa e kuorumit është papërgjegjësi totale”, theksoi ai.”Kjo legjislaturë duhet të shpërndahet në mënyrë imediate dhe shteti të shkojë në zgjedhje të reja nacionale më së largu në tetor të këtij viti”, vijoi më tej Burjani.
Ndërsa analisti politik Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot” tha se është për keqardhje që kjo përbërje e Kuvendit tregon se parlamentarët tanë aktualisht janë në një gjendje krize, ngase fatkeqësisht Kuvendi akoma nuk ka arritur që të përmbushë agjendën e saj, e cila edhe ia shton efikasitetin. “Edhe niveli opozitar, pavarësisht se zotëron shumicën, në kontekstin e të bërit opozitarizëm është në gjendje të rëndë. Kështu që sikurse edhe qeveria po ashtu edhe Kuvendi e kanë shndërruar vendin në një mjerim të thellë, ku pjesa dërrmuese e agjendës së dy niveleve të pushteteve shkon për ambicie klanore dhe assesi nacionale. Kosova me këtë logjikë të të bërit politikë, përveç mjerimit, asgjë tjetër nuk është duke garantuar”, potencoi ai.
Dështim total
Deputeti i opozitës, Ali Lajqi (VV), për gazetën “Kosova Sot” tha se tash e një kohë të gjatë po bllokohet komplet puna e institucionit më të lartë ligjvënës. “Përmbushja e agjendës legjislative është më së paku pothuajse që ka ndodhur deri më tani, me vetëm diku 27 ligje të miratuara nga 126, sa kanë qenë të parapara në agjendën legjislative për vitin 2018. Ministrat po ashtu nuk kanë pasur llogaridhënie ndaj deputetëve, të cilët janë të obliguar që të raportojnë”, u shpreh ai. “Kuvendi këtë vit ka dështuar në përmbushjen e tri roleve të tij kushtetuese që i ka. Ka dështuar që të luajë rolin ligjvënës për shkak të numrit të vogël të ligjeve të aprovuara dhe kualitetit të tyre, duke i kaluar pa një debat parlamentar. E dyta ka dështuar në rolin e tij mbikëqyrës ndaj ekzekutivit dhe e treta është se ka dështuar edhe në rolin përfaqësues”, potencoi ai.
Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me punën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ultrim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot” tha se është për keqardhje që deputetë tanë të zgjedhur të popullit po shkojnë nëpër mbledhje vetëm për mëditje dhe asgjë tjetër. “Kjo është arsyeja se përse ka dështuar Kuvendi i Kosovës që t’i miratojë më shumë se 30 ligje që kanë të bëjnë me integrimin evropian të Kosovës, sepse kjo qartazi edhe po na tregon se deputetët po shkojnë në seanca vetëm për mëditje”, vlerësoi ai. Qytetari Anton Jaha nga Prishtina, për “Kosova Sot”, tha se nuk ka asnjë fije dyshimi se puna e deputetëve të Kosovës është për çdo kritikë dhe se kanë dështuar totalisht, sepse ata janë të fokusuar që të shkojnë në seanca vetëm për mëditje. “Me fajin e deputetëve, mbetën pa u miratuar shumë ligje që kanë të bëjnë me integrimin evropian të Kosovës dhe që janë pengesë e liberalizimit të vizave”, u shpreh ai.
(Kosova Sot)