ARKATANA

Kuvendi i Kosovës, kohët e fundit, ka qenë jashtë funksionit kushtetues

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Legjislatura e fundit e Kuvendit të Kosovës, është cilësuar e dobët vazhdimisht nga OJQ-të, që mbikëqyren punën e parlamentit. Por, edhe ish-deputetët pranojnë se në shumë raste, Kuvendi nuk ka arritur të ketë funksionin e tij kushtetues.

Si “dështime” janë llogaritur edhe seancat e shumta komemorative, diskutimi i rasteve të cilat i takojnë gjyqësorit (Fabrika e Tubave dhe rasti Kiçina), votimi i deputetëve me porosi, përleshjet fizike mes deputetëve, si dhe tendencat e Vetëvendosjes në disa raste për të bllokuar punimet e Kuvendit.

Gjithashtu edhe ndërhyrjet e deputetëve tek regjia e Kuvendit, për të ndryshuar votën pas votimit, janë disa nga argumentet që ka përdorur Instituti Demokratik i Kosovës, i cili kohë më parë e ka cilësuar legjislaturën e fundit, si më të dobëtën që ka pasur vendi.

Por edhe ish deputetë e pranojnë një gjë të tillë.

Arsim Bajrami nga PDK thotë për Radio Kosovën se në fund Kuvendi ishte jashtë funksionit kushtetues.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë gjithë mandatit nuk ka arritur të realizojë funksionet e veta ndërkaq në tre muajt e fundit, ai është ballafaquar me mungesën e një mazhorance por edhe me mungesën e një opozite. Në këtë situatë ai ka qenë jashtë funksionit kushtetues dhe ka qenë krejtësisht normale që të procedohet me shpërndarje”, tha Bajrami.

Armend Zemaj nga LDK jep po ashtu disa arsye të cilat bënë që Kuvendi të ishte jo efikas.

“Shumica e ligjeve nga viti në vit janë përcjell për plotësim apo ndryshim, në radhë të parë ajo çfarë e bënë një Kuvend shumë jo efikas. Mendoj që i ka përmbushë sa i përket agjendës legjislative dhe iniciativave që kanë dalë nga Kuvendi i Kosovës, por nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur me kualitetin e ligjeve dhe implementimin e tyre”, tha ai.

Mobi Casa

Për Myzejene Selmanin nga AKR, disa çështje kanë shkuar në favor të partive të mëdha dhe jo në interes të qytetarëve.

“Nuk mund të themi se janë përmbushur, kur dihet se tash kemi MSA-në që është arrit dhe është dashur të miratohen hiq më pak se 23 ligje dhe ato ligje mbesin pa u miratuar. E kemi ligjin e ndërmarrjeve publike”, theksoi ajo.

Ardian Gjini nga AAK-ja, konsideron se deputetët e pozitës mbajnë përgjegjësi për vendime, siç i quan ai “të këqija” në Kuvendin e Kosovës.

“Në këtë mandat tre vjeçar ka dështuar totalisht shumica, për shkak se këtu votohet me shumicë të votave. Qeveria deri para tre muajve ka pasur shumicën dhe gjithçka ka ndodhur në këtë demokraci parlamentare, duhet t’i përshkohet shumicës”, tha Gjini.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, ligjvënësit u përdorën nga Qeveria.

Visar Ymeri thotë se legjislativi shumë herë ishte vegël e Qeverisë.

“Kjo legjislaturë është përshkuar me ndërhyrje nga jashtë në punën e legjislativit , gjë që e ka bërë legjislativin më shumë si një vegël të Qeverisë dhe interesave partikulare të kujtdo qoftë, se sa institucion në shërbim të së mirës së përgjithshme dhe interesit publik”, ka vlerësuar Ymeri.

Ndryshe nga këta, Nenad Rashiq, e cilësoi punën e Kuvendit si mjaft produktive. Ai tha se të paktën Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka arritur të miratojë disa ligje të rëndësishme për vendin. /Telegrafi/