RCCOLA

Kuvendi i Gjilanit ka mbajtur seancë solemne për nder të 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka mbajtur sot seancë solemne për nder të 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në ngjarjen ku mori pjesë kryetari Alban Hyseni, deputetë, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, të Preshevës, Bujanocit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, tha se 17 shkurti është dita më e rëndësishme e historisë sonë.
“Në këtë ditë kujtojmë sakrificën mijëra vjeçare për liri e pavarësi. Kujtojmë përpjekjen për të qenë të pavarur që nga koha e Skënderbeut, kujtojmë rilindësit tanë, Naimin e Samiun, kujtojmë aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kujtojmë rezistencën e ballistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sakrificën e madhe të ish të përndjekurve politikë në krye me Mandelën e Ballkanit, Adem Demaçi, rezistencën paqësore të presidentit historik, Ibrahim Rugova, përpjekjen e madhe të SHBA-ve dhe aleatëve tanë, luftën e lavdishme të UÇK-së, kujtojmë 17 shkurtin për finalen e madhe të përpjekjeve për shtet e liri”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se në këtë përvjetor shënojmë përpjekjen qindra vjeçare të popullit tonë, liridashës e asnjëherë sundues, i sunduar, por asnjëherë i nënshtruar.

Në këtë seancë solemne, kreu i Gjilanit ka përçuar mesazhe uniteti në rrugën tonë drejt së ardhmes.
“Le të jemi bashkë e unik në rrugën tonë drejt së ardhmes. Të mbështesim njëri-tjetrin e të punojmë fort për qytetarët tanë. Amaneti i atyre që ndër shekuj kanë rënë për liri është që të ruajmë vendin, vlerat e historinë tonë, Kjo bëhet vetëm duke punuar bashkërisht e për një qëllim drejt së ardhmes. Urimë 16-vjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit”, ka thënëHyseni.

Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, tha se gjithmonë duke e festuar pavarësinë e Kosovës, duhet të përkujtohen veprimtarët më të mëdhenj të kombit shqiptar, Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin e shumë e shumë dëshmorë të tjerë.

Mobi Casa

Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, tha se 17 shkurti është ditë që na bashkon të gjithëve, pa dallim, duke kujtuar kontributin shekullor të të gjithëve që kontribuuan për këtë ditë, intelektualët, veprimtarët e pathyeshëm, të burgosurit politikë, arsimtarët, mjekët, minatorët, bujqit, gazetarët si dhe të gjitha kategoritë tjera.

Krenare Latifi Kqiku, shefe e grupit të këshilltarëve të VV-së, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte ëndërr e kahmotshme e shumë brezave, të cilët me dekada e shekuj dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, mund e sakrificë, për të realizuar aspiratat shekullore.

Në emër të këshilltarëve të PDK-së, shefi i grupit Bujar Nevzati, tha se 16 vjet më parë, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, duke vlerësuar aspiratat, përpjekjet dhe sakrificat për liri, demokraci dhe shtet, shpalli atdheun tonë shtet të pavarur dhe sovran, për të shtuar se padyshim ky është momenti më madhështor në historinë e Kosovës.

Në emër të AAK-së, ka folur Nazim Gagica, i cili theksoi se ky është një moment feste e reflektimi, moment kujtese historike dhe nderimi për ata që bënë gjithçka për ne, për lirinë e shtetësinë e atdheut tonë, duke shtuar se festojmë sot duke kujtuar e përkulur para brezave të tërë, që shënuan rënien epike e përpjekjet epike për liri.