Kuvendi i dorëzuar përballë zhvatjes qindramilionëshe të fondeve

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Kuvendi i Kosovës, as kjo legjislaturë, nuk pritet ta marrë guximin që të krijojnë Komisionin për Hetime për SHIK-un, Fondin e ‘3- përqindëshit’, Fondin “Vendlindja Thërret” dhe të gjitha strukturat parashtetërore të Kosovës, që nga paralufta në vitet e 90-ta dhe pastaj nga paslufta, sikur nuk do të iniciojë as hetimet kundër krimit të organizuar në institucione të shtetit, qysh pas pavarësisë së shpallur në vitin 2008.

Ndonëse në Parlament vazhdimisht janë dëgjuar akuza dhe kundërakuza për këto çështje, nuk ka pasur asnjë nismë serioze nga grupet politike.

Analistët politikë dhe njohësit e këtyre rrethanave theksojnë se me këtë lojë deputetët vetëm po përpiqen që në Kuvendin e Kosovës, me taktika retorike, të përfitojnë vetëm për vete dhe partitë e tyre, në vend që të iniciojnë dhe të krijojnë komisione për të gjitha strukturat parashtetërore të Kosovës, duke filluar nga SHIK-u, Fondi “Vendlindja Thërret”, Fondi “3- përqindëshit” etj.

Sipas analistëve, përfaqësuesit e “popullit” në Kuvendin e Kosovës nuk po e kanë guximin t’i bëjnë këto komisione hetimore dhe të hetohen të gjitha strukturat parashtetërore të Kosovës, pa dallim, ndërkaq deputetët e tjerë të punojnë dhe të zgjidhen problemet e shumta, për çfarë edhe u janë dhënë votat nga populli, por vetëm përmes fjalosjeve të rrepta të përfitojnë për vete ndonjë përfitim afatshkurtër politik meskin dhe nuk po bëjnë asgjë që të zgjidhen problemet reale të qytetarëve. Këta të fundit realisht po sundohen e po vuajnë nga veprimet e krimit të organizuar në institucionet e shtetit në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushteteve, e për të cilën gjë as që denjohet të flitet në Kuvendin e Kosovës, si një tempull kinse i demokracisë në vend.

Të fortët e politikës, të paprekshëm

Analisti politik Gani Qarri pohon se, përkundër faktit se problemet nga keqbërësit dhe kriminelët e veshur me petkun e politikanit vazhdojnë dhe ato jo vetëm se nuk po zbuten e pakësohen, por fatkeqësisht sa vijnë e po rriten. Sot jemi dëshmitarë se në Kosovë nuk ka kush të veprojë kundër të fortëve të politikës, prandaj edhe nuk trajtohen çështjet e tilla. “Madje, megjithëse ka edhe akuza të rënda, sidomos ndaj atyre që njihen si menaxhues e tani janë edhe pushtetarë e deputetë, për keqpërdorimin e miliona markave, si të ‘3- përqindëshit ashtu edhe të Fondit ‘Vendlindja Thërret’, në Kosovën e pavarur, ata nuk guxon kush t’i hetojë as t’i gjykojë për të këqijat që ia kanë bërë dhe vazhdojnë t`ia bëjnë këtij vendi. Siç është e njohur tanimë, përderisa pronarët e ‘3- përqindëshit’ dhe udhëheqësit e Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi, përkatësisht ministri i Financave, Isa Mustafa, dhanë miliona marka në drejtime të paditura dhe pa mbulesë të justifikuar edhe parat e Fondit “Vendlindja Thërret”, flitet se u keqpërdorën pa asnjë kontroll, për pasurimin e komandantëve”, u shpreh ai. “Ibrahim Kelmendi në intervistën e dhënë për ‘Kosova Sot’ akuzon drejtpërsëdrejti treshen Thaçi-Haliti-Syla dhe pretendon që ata t’i kenë grabitur rreth 70 % të ndihmave financiare, të grumbulluara për UÇK-në, ndërsa vetëm 30% e mjeteve të derdhura nga bashkatdhetarët në Fondin “Vendlindja Thërret” duhet të jenë përdorur për luftën në Kosovë. Por, përkundër të gjithave, sa kanë ndodhur dhe ndodhin në një vend të vogël si ky yni, i mbetur që nga paslufta nën sundimin e një udhëheqje të degraduar e të përfolur gjatë gjithë kohës për inkriminim në korrupsion e krim të organizuar, me një drejtësi e prokurori të kapur, tash e atëherë nuk mund të akuzohet e as të ngrihet padi kundër asnjërit nga ‘peshqit e mëdhenj'”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Deputetët interesxhinj

Asnjë shpresë që të ndodhin procese të tilla të guximshme nga kjo kastë politike nuk sheh as profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi. “Situata në Kosovë është tepër e rëndë. Kjo rrjedh nga shumë faktorë, por mbi të gjitha nga mosshqyrtimi i gjendjes para vitit 1999, kur u çlirua Kosova nga pushtuesi serbomadh, e kur në këtë kohë me automatizëm u angazhuan në sistemin politikoshoqëror dhe në atë prokurorial e gjyqësor kryesisht njerëzit e ishregjimit, të cilët u futën nga strukturat e UNMIK-ut në punë dhe tërë- sisht e degjeneruan shtetin, duke e përmbysur edhe luftën e drejtë të popullit shqiptar”, potencoi ai. “Kosovës i duhen disa punë për t’i kryer, megjithatë unë nuk mendoj se kuvendarët e tashëm janë në lartësinë e detyrave që i kërkojnë shoqëria jonë dhe shteti. Nga takimet e deputetëve del se ata nuk po përpiqen fare për të rregulluar këto çështje. Lufta e tyre është përqendruar kryesisht në fitore partiake dhe në interesa individuale, të cilat po mbizotërojnë në skenën politike”, tha Muhamet Kelmendi.

Uji Dea

Mbulimi i qëllimshëm i krimeve

Po aq pesimist është edhe njohësi e rrethanave të viteve të 90-ta e këndej, Naim Miftari. “As kjo legjislaturë e deputetëve, por besoj edhe ato të tjerat që do të vijnë nuk do të kenë guxim as vullnet që ta hetojnë Shikun, as Fondin e 3-përqindëshit, e aq më pak Fondin ‘Vendlindja Thërret’, pasi njerëzit që i kanë keqpërdorur këto gjëra janë po të njëjtit, në pushtet akoma. Kjo vlen edhe për njerëzit nga pozitat e larta, si Thaçi, Veseli, Haliti, Grabovci, por edhe për njerëzit e opozitës, ku vlen të cekim ish- kryeministrin në ekzil, Bujar Bukoshin, dhe Isa Mustafën, kryetarin e tanishëm të LDK-së. Mund të themi lirisht që po u hetuan këto fonde dalin vjedhësit e parave të bashkëkombësve tanë, që në vend se ato fonde të përfundonin në fondet e shtetit të Kosovës, për mirëqenie sociale dhe mbështetje ndaj popullit, pas luftës, kanë përfunduar në gjepat e funksionarëve politikë, por edhe në gjepat e të ashtuquajturve liderë politikë të UÇK-së, pra shumica e këtyre parave janë vjedhur”, theksoi ai. “Kallja dhe shitja e ‘Dardania Bankës’ ka qenë tentim për t’i mbuluar këmbët e duart e Bukoshit dhe Isa Mustafës, kurse vdekja e atdhetarit Jashar Salihu ka qenë tentim për ta mbuluar vjedhjen e këtij fondi, Fondit ‘Vendlindja Thërret’, nga Hashim Thaçi dhe klani i tij. Kurse problemi tjetër është se po të hetohej ShIK-u do të zbulohen të gjitha konspiracionit, mashtrimet, tradhtitë dhe shumica e vrasjeve politike”, tha Naim Miftari.

Mision i pamundur

Analisti Reshat Sahitaj thotë se fare nuk sheh shpresë që të zbardhet çështja e fondeve ‘Vendlindja Thërret’ dhe ‘3-përqindëshit’, por edhe fondet e tjera, sepse ky është një mision i pamundur, pasi që ato fonde realisht ishin edhe fonde partiake dhe të organizatave të ndryshme të hapura në mes klaneve, fiseve dhe shoqatave të shumta që kanë përfituar nga gjaku i derdhur, por që një pjesë është përdorur për armatim, një pjesë tjetër për arsim dhe një pjesë për ndihma humanitare, por pjesa më e madhe e atyre mjeteve ka përfunduar nëpër xhepat e shefave që kanë menaxhuar fondet.”Edhe formimi eventual i një komisioni nuk do të arrinte të bënte asgjë, sepse së pari duhet bërë verifikimi i të gjithë atyre individëve dhe shumën sa ka dhënë secili, pastaj duhet të grumbullohen të gjithë përgjegjësit e çdo qyteti në perëndim që të japin llogari sa kanë mbledhur dhe sa kanë harxhuar e sa janë dërguar në qendër, e pastaj përgjegjësit e qendrës të japin llogari. Çdo iniciativë në këtë drejtim do të mbetet ëndërr e pazbardhur kurrë, që nuk do të ketë sukses edhe nga fakti se fondet nuk janë nën përgjegjësinë e gjyqeve të Kosovës, sepse ato janë themeluar jashtë Kosovës”, u shpreh ai. “Për t’u zbardhur ato duhet që në çdo qytet të vendeve evropiane të grumbullohen faktet, dëshmitë dhe faturat e bankës dhe dokumente tjera, gjë që 20 vjet më vonë gjyqet evropiane nuk i shqyrtojnë, sepse aferat komerciale vjetërsohen pas 5 vjetësh. Pra, për këto fonde s’ka asnjë shans të dihet e vërteta, përveç nëse shefat e tyre dëshirojnë të jenë transparentë, e kjo gjë nuk ka gjasa të bëhet”, tha Reshat Sahitaj.

Kuvendit i mungojnë guximtarët

Mision të pamundur e sheh trajtimin e këtyre temave nga legjislatura e tanishme edhe analisti i politikave ekonomike, Mustafë Kadrijaj, pasi sipas tij në Parlament ulen si deputetë servilët e politikës dhe jo intelektualët e përkushtuar dhe guximtarë. “Struktura e tanishme politike me veprimet e tilla është duke e nënç- muar çdo ditë e më shumë inteligjencën kosovare, që unë besoj që ka Kosova kuadro. Me këtë nivel të ulët të përfaqësimit deputetët me të vërtetë tani janë numra që u duhen liderëve partiakë, kështu që vetëm kur u hyjnë në punë liderëve i futin në funksion, ndryshe ata nuk guxojnë të vetaktivizohen”, theksoi ai.”Pra, deputeti i Kosovës thjesht akoma është vetëm një robot që nuk mund të bëjë asnjë hap pa e “shtypur sustën” lideri. Kjo strukturë nuk ka kapacitete as që të merret me ShIK-un, as me ‘3-përqindëshin’ dhe as me Fondin ‘Vendlindja Thërret’, por as me ndonjërën nga aferat e shumta korruptive që e kanë tronditur Kosovën e pasluftës, e që nuk janë të pakta”, tha Kadrijaj për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)