Kuvendi, fushëbetejë
Tensionet politike të grumbulluara javët e fundit kanë eskaluar të hënën në përplasje edhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe pjesëtarëve të sigurimit në Kuvend. Opozita është përplasur me policinë duke vënë në përdorim edhe gazin lotsjellës brenda hollit të Kuvendit, në përpjekjen e tyre për t’u rifutur aty, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë i barrikaduar nga forcat e shumta të sigurimit.
Kjo ka rezultuar me tre deputetë tjerë të arrestuar, duke çuar kështu në pesë numrin e deputetëve prapa grilave për veprimet e tyre brenda Kuvendit. Kurse dy vazhdojnë të jenë në kërkim, shkruan sot “Koha Ditore”.
Deputetët e koalicionit shumicë kanë zhvilluar seancë maratonike, pasi që Kryesia mori vendim që “ta suspendojë opozitën”. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili në njërën nga seancat e kaluara kishte premtuar se “derisa të jetë në krye të Kuvendit ma përpara do të dalë nga salla pozita sesa opozita”, tani ka thënë se opozitarët e “vetëpërjashtuan vetveten”.
Megjithatë Veseli ditën e hënë e ka cilësuar të rëndë për Kosovën, teksa ka kërkuar zgjidhje urgjente politike. Pas arrestimeve dhe përjashtimit, opozitarët kanë thënë se nuk u ka mbetur rrugë tjetër veçse protestat gjithëpopullore.
Barrikadimi i Kuvendit nga policia
Numër i madh i policëve të veshur në rroba civile janë futur të hënën në orët e hershme të mëngjesit në objektin e Kuvendit të Kosovës, vetëm pak orë para mbajtjes së seancës plenare, e cila ka kohë që po vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Policët janë shpërndarë në hapësirat e Kuvendit duke ua kufizuar lëvizjen edhe gazetarëve. Mbajtjes së seancës i ka paraprirë një takim i shkurtër i Kryesisë nga ku u konfirmua se seanca do të mbahet në orën 11:00, përkundër kërcënimeve të opozitës se do ta bllokojnë atë me gaz lotsjellës.
Deputetët e opozitës kanë qenë të parët që janë futur në sallën e Kuvendit, ku ishte vendosur kordoni i sigurimit si vijë ndarëse ndërmjet ulëseve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve. Kontrolle të rrepta janë bërë edhe në hyrjet e organit më të lartë përfaqësues. Ndryshe prej seancave të kaluara kur futej gazi, policia më në fund ka arritur ta detektojë një të tillë. Ka qenë deputeti i “Vetëvendosjes”, Fisnik Ismajli, të cilit i është ndaluar hyrja në Kuvend pasi me vete kishte gaz lotsjellës. Por, pa Ismailin opozita tashmë kishte arritur t’i fuste dy bombola gazi. Sapo është ulur kryetari i Kuvendit dhe ka shpallur të hapur seancën, deputeti i “Vetëvendosjes”, Ismail Kurteshi, dhe ai i Nismës, Haxhi Shala, kanë aktivizuar bombolat e gazit. Kryeparlamentari Veseli ka ndërprerë seancën duke kërkuar pauzë. Në përpjekje për ta larguar bombolën e gazit një pjesëtar i sigurimit është përplasur edhe fizikisht me deputetin e Nismës, Zafir Berisha.
Derisa deputetët kanë lënë sallën, Kryesia është mbledhur, në të cilin takim nuk u lejuan të marrin pjesë as përfaqësuesit e shoqërisë civile, këshilltarët e kryetarit e asistentët e partive politike. Aty u vendos për vazhdimin e seancës dhe suspendimin e deputetëve të opozitës. Aida Dërguti, nënkryetare Kuvendit nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë se në mbledhje kishte pasur propozim nga kryetarët e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së që opozita të përjashtohet në mënyrë afatgjatë. Por, siç ka thënë ajo, atyre u është bërë me dije se nuk kanë fuqi për ta marrë një vendim të tillë.
“Nënkryetarët që kanë përvojë më shumë ua kanë tërhequr vërejtjen se nuk mund të bëjnë kështu pasi këtë nuk e lejon rregullorja”, ka thënë Dërguti. Në fund u vendos që suspendimi të bëhet vetëm për këtë seancë.
Derisa Kryesia zhvillonte mbledhjen, deputetët opozitarë gjatë gjithë kohës kanë qëndruar në hollin e Kuvendit, në pritje të lajmit për t’u rikthyer në seancë. Por pjesëtarë të shumtë të sigurimit kishin bllokuar dy hyrjet që çonin në sallë. Njëri prej pjesëtarëve të sigurimit u ka thënë deputetëve të opozitës se kanë urdhër të mos i lejojnë, për shkak se “jeni vetëpërjashtuar nga Kuvendi”.
Këto fjalë kanë acaruar opozitarët të cilët filluan të përplasen me sigurimin në tentim për të çarë kordonin. Sërish ka pasur hedhje të gazit lotsjellës. Për shkak të tymit të madh deputetët e opozitës janë larguar nga holli i Kuvendit, për të mos u rikthyer më. Aty ka vazhduar të qëndrojë vetëm personeli i sigurimit, që gazit i rezistonin me gaz maska derisa nga tymi më së shumti e pësuan gazetarët.
Kurse deputetët shumicë janë endur lart e poshtë, derisa përfundimisht u është konfirmuar se vazhdimi i seancës do të mbahet në sallën plenare. Ata fillimisht kishin zënë vendet e tyre në sallën alternative, ku janë mbajtur dy seancat e kaluara, por më vonë u transferuan në sallën kryesore.
Ata, bashkë me kabinetin qeveritar kanë shfrytëzuar hyrjet alternative të Kuvendit për të shmangur takimin me opozitën në hollin e Kuvendit. Për dallim nga seancat e kaluara, askush nuk kanë qenë i pranishëm nga stafi diplomatik ndërkombëtar i akredituar në Kosovë, të cilët merrnin pjesë përkundër hedhjes së gazit lotsjellës.
Për shkak të përdorimit të kësaj substance policia e Kosovës ka konfirmuar se Fisnik Ismajli e Ismajl Kurteshi nga lëvizja “Vetëvendosje” dhe Haxhi Shala nga Nisma, janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë si pasojë e ngjarjeve në Kuvend.
Vendimin për masën e ndalimit policor të marrë nga prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu. “Prokurori kujdestar i krimeve të rënda ka marrë aktvendim për ndalim policor për të tre deputetët lidhur me veprimet në Kuvend”, ka thënë zëdhënësi Lutfiu.
Që të tre deputetët e opozitës qysh të hënën janë shoqëruar për intervistim në stacionin policor “Qendra”, në Prishtinë. Sipas burimeve, ata kanë refuzuar të deklarohen para zyrtarëve policorë për veprimet e tyre. Asnjëri nuk ka rezistuar gjatë arrestimit, që vjen vetëm dy ditë pas arrestimit të deputetit të VV-së Albin Kurti, i cili u vu në pranga gjatë një operacioni policor të shtunën në selinë e partisë së tij, pasi kishte përfunduar fjalimin në protestën opozitare të 28 nëntorit.
Përveç Kurtit, të shtunën u arrestuan edhe 90 aktivistë opozitarë. Ditë më parë policia kishte arrestuar deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi. Ndërkaq në kërkim vazhdojnë të jenë edhe dy deputetët e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.
Opozita: Pushteti po na shtyp
Partitë opozitare kanë akuzuar pushtetin se me veprimet e fundit po tenton ta zhdukë opozitën. Por, opozita e bashkuar nuk ka treguar për hapat e mëtutjeshëm, përkundër mbajtjes së një takimi në orët e vona të së hënës.
Sipas “Vetëvendosjes”, me arrestimet e deputetëve vendi po shkon drejt diktaturës, gjë të cilën kanë thënë se s’do ta tolerojnë.
“Opozita po burgoset, në mënyrë që pushtetit t’i lirohet rruga që ta kthejë kontrollin e Serbisë në një pjesë të territorit tonë, si dhe t’ia falë Malit të Zi mbi 8.000 hektarë tokë të Kosovës”, thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.
“Por, ajo që nuk po e llogarit pushteti është që nuk do të ketë mundësi t’i arrestojë dhe burgos mbi 80% të qytetarëve, të cilët janë kundër këtyre projekteve. Prandaj, “Zajednica” dhe demarkacioni me Malin e Zi nuk do të kenë mundësi të kalojnë”.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vlerësuar se veprimet e pushtetit janë shkelje e rëndë e demokracisë dhe vendosje e sistemit policor. Sipas AAK-së, kriza politike në vend është shkaktuar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo nuk mund të zgjidhet me polici e as me masa tjera represive, por vetëm me mjete politike.
“Përjashtimi i opozitës nga Kuvendi, burgosja në masë e deputetëve, dhunimi i tyre nga policia, invadimi dhe demolimi i zyrave të partive opozitare, e masa të tjera të ngjashme, janë të papara për botën demokratike dhe këto nuk do të mund të kalojnë pa u ndëshkuar”, thuhet në reagimin e AAK-së. Më tej në reagimin e partisë së dytë opozitare thuhet se pushteti e ka humbur rrugën dhe po e çon vendin në diktaturë. “Po shihet se ky pushtet nuk mund të mbahet ndryshe përpos me polici, por ai do të përfundojë me turp”. AAK ka drejtuar apel edhe ndaj botës demokratike dhe shteteve mike.
“Ne si AAK dhe pjesë e opozitës së bashkuar, ftojmë botën demokratike, shtetet mike të Kosovës, shoqërinë civile, opinionin publik, intelektualët e Kosovës dhe të gjithë ata që e duan një Kosovë unitare, që të vihen në mbrojtje të saj dhe kundër këtij pushteti policor!”, përfundon reagimi i AAK-së.
Në partinë tjetër opozitare, Nisma për Kosovën, deputet të së cilës ia bënë sefte me hedhjen e gazit në Kuvend, kanë thënë se “regjimi i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, në mbrojtje të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën për tre muaj rresht, me mjete të aparatit represiv tentoi të shtypë opozitën”.
“Të tmerruar nga pjesëmarrja masive e qytetarëve në mbështetje të kauzës së opozitës kundër dy marrëveshjeve, regjimi i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit tejkaloi çdo kufi, urdhëruan hyrjen në mënyrë brutale në selinë e një partie parlamentare, në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky regjim, arreston, rrah dhe dënon deputetë. Ky regjim sot mori vendim për të përjashtuar opozitën nga pjesëmarrja në seancat e Kuvendit të Kosovës. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe do të lërë pasoja të rënda në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në reagimin e Nismës.
Kjo parti opozitare thekson se për asnjë çast nuk do të pranojë t’i nënshtrohet kësaj logjike të këtij regjimi. “Kushdo që mendon se përmes këtyre masave do të detyrojë opozitën t’i nënshtrohet diktatit të saj bën gabim të rëndë”, shkruan më tej aty.
Deputeti i “Vetëvendosjes”, Ilir Deda, ndaj të cilit nuk u shqiptua masa e suspendimit, përjashtimin e kolegëve e ka quajtur suspendim të demokracisë. Përveç Dedës, masa e përjashtimit nuk është shqiptuar as ndaj deputetes së Nismës, Shukrije Bytyçi. Por asnjëri prej tyre nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës.
“Suspendim të tillë nuk ka as në Rusi, Venezuelë apo Bjellorusi. Akti i sotëm e shënon fundin e Qeverisë Mustafa-Thaçi. Koalicioni PDK-LDK përbën regjimin më antidemokratik në Kosovë në këto 16 vjet liri. Natyrisht që nuk do të marr pjesë në punimet e Kuvendit pa kolegët e opozitës. Ndryshimi i vonuar në Kosovë do të vijë më shpejt sesa që kemi menduar”, ka shkruar Deda në “facebook”.
Kryetari i Kuvendit ka arsyetuar përjashtimin e opozitës, duke thënë se ata faktikisht u vetëpërjashtuan. Megjithëse e ka quajtur pamje jo të mirë, Veseli ka shtuar se janë të obliguar të veprojnë në përputhje me rregulloren e punës dhe Kushtetutën.
“Më duhet të them që kolegët tanë opozitarë janë duke e përjashtuar vetveten, qoftë duke përdorur gaz lotsjellës apo në pengimin e mbajtjes normale të seancave. I ftojmë të vijnë të marrin pjesë në seancë. Kjo nuk është pamje e mirë, por ne jemi të obliguar të vazhdojmë dhe vendimi është në pajtim me rregulloren e punës”, ka thënë Veseli në pjesën e dytë të seancës, e cila u zhvillua pa opozitën. Ai ka shtuar se arrestimet e deputetëve, janë pamje të rënda, mirëpo “shteti s’guxon të kapitullojë përballë thyerjes së ligjeve”.
“Sot kaluam një ditë të rëndë. Të rëndë për Kuvendin. Të rëndë për vendin. Arrestimet e deputetëve janë një pamje e rëndë, por shteti ligjor nuk mund të kapitullojë përballë thyerjes së ligjeve”, ka thënë Veseli. Ai në fund sërish ka kërkuar zgjidhje urgjente politike për krizën institucionale e cila po mbretëron tash e disa muaj në vend.
Atmosferën e punës në pjesën e dytë të seancës së Kuvendit, kryetari Kadri Veseli është munduar ta ruajë me humor. Ka thënë se për deputetët e pozitës të cilët menjëherë filluan të frekuentojnë bufenë, ka përgatitur një pauzë në të cilën do t’u ofrohet edhe ushqim. Në “darkë” Veseli ka ftuar edhe përfaqësuesit e medieve dhe pjesëmarrësit tjerë në kuvend. Por, në fund darkën e premtuar e shijuan vetëm ligjvënësit dhe pjesëtarët e sigurimit. Ndërkaq gazetarët sikurse gjatë ditës që ishin të kufizuar në lëvizje, nuk janë lejuar fare të futen as në bufen e kuvendit për nevojat e tyre.
O’Connell: Dhuna e vazhdueshme nuk i zgjidh problemet
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka shprehur bindjen se dhuna e vazhdueshme nuk do të zgjidhë problemet e Kosovës.
“Një funksionim i duhur i Kuvendit është vital për demokracinë. Vendi i opozitës është Kuvendi”, ka thënë ambasadori britanik në Prishtinë.
“Në qëndrimin tonë të djeshëm, ne përmendëm disa gjëra: Së pari, ne kërkuam nga gjitha palët që t’i rikthehen dialogut. Rruga e vetme për dalje nga kjo situatë është dialogu. Vendimi i Presidentes për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin krijoi hapësirë për këtë dialog. Është vitale për dy palët që të përdorin këtë kohë”.
Së dyti, ka shtuar O’Connell “ritheksuam besimin tonë se në Kosovë duhet të sundojë ligji. Unë besoj se të gjithë duhet të respektojnë ligjin, përfshirë politikanët e gjitha partive. Por ne jemi shumë të qartë se duhet të ndiqen të gjitha proceset legale”. Diplomati britanik ka thënë se shpreson që autoritetet kosovare do të kujdesen që të drejtat e njeriut të respektohen. “Kur organizatat e respektuara si Amnesty Internacional shfaqin shqetësim, ato duhet të hetohen siç duhet. Ne, siç thamë edhe dje, do të vazhdojmë të vëzhgojmë”, ka thënë ai.
http://koha.net/?id=27&l=86798


