UBT

Kuvendi është marrë peng

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Berat Buzhala – Koalicioni qeverisës do të gabonte rëndë që pengmarrësit t’i largonte prej aty me polici. Kjo është cfarë ata po kërkojnë. E vetmja formë për diskreditimin e tyre përfundimtar është që ata të lejohen të bëjnë atë cfarë po e bëjnë. E pastaj zgjedhjet.
Ende nuk ishte pastruar të kuqtë e vezëve nga Kuvendi i Kosovës, kur Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, po ia tregonte publikut një gotë të thyer në Klan Kosova, që, sipas saj, ishte hedhur nga deputeti i LDK’së, Naser Osmani.

Për këtë ajo nuk kishte fakte, pos fjalës së saj, që patjetër duhet të jetë e vërtetë, sepse është fjalë e thënë dhe e dhënë nga një shoqe udhëheqëse e Vetëvendosjes. Si dhe e kishte një foto ku shihej gota e thyer.

Në këtë mënyrë, pasi ajo dhe shokët e kishin shndërruar Kuvendin në një omëletë gjigante, po vraponin nëpër studio televizive, me të njëjtën histeri, që të provonin, për sa ishte e mundur, të shndërroheshin, tash, edhe në viktima. “Ja, ne po hidhnim vetëm vezë, kurse këta gota”. “Vezët nuk vrasin, kurse gotat po”.

Madje, thoshte – besoni ose jo – që veprimet e djeshme të opozitës ishin në përputhje me ligjin. Në këtë moment ia plasa gazit. I binte që ndonjë ligj diku të thoshte që opozita ka të drejtë të hedh vezë në drejtim të Qeverisë, nëse kjo e fundit provon të raportojë.

Personalisht nuk do të ndieja kushedi se çfarë keqardhjeje edhe sikur vezët që po fluturonin drejt Qeverisë të ishin kunguj. Do të vazhdoja të qeshesha edhe më shumë. Madje, nuk do të mërzitesha shumë edhe sikur Qeveria të kthente dorë. Sikur të fillonte të hidhte në drejtim të Opozitës gjësende të forta – qofshin ato edhe gota.

Nuk do të ndieja ndonjë keqardhje të madhe edhe sikur në këtë spektakël të përfshiheshin edhe deputetët e koalicionit qeverisës, që dje bënin sehir. Madje nuk e mirëkuptoja aspak qetësinë e tyre. A nuk janë deputetët për të mbrojtur Qeverinë, me cdo kusht? Qoftë edhe fizikisht? Pra, pse nuk po ndodhte kjo gjë?

Pse nuk po i mbyllnin dyert e Kuvendit të Kosovës nga brenda, duke i lënë vetëm kamerat e hapura, dhe t’i qëronin hesapet me njëri-tjetrin, një herë e mirë. Le të dalë fituesi politik prej asaj beteje. Le të jetë Kryeministër i vendit ai që ka më së shumti muskuj. Rrugaci më i regjur le t’i zërë të gjitha karriget.

Veprimet e djeshme të tri forcave opozitare m’i kujtonin veprimet e ngelcanave nëpër shkollat tona. Kur këta të fundit nuk kishin talent për të konkurruar në futboll, basketboll, ose në ndonjë sport tjetër, vendosnin që topit t’ia ngulnin thikën, duke cenuar kështu të gjithë rregullat e mundshme sportive. Tek e fundit, çfarë kërkonte thika në oborr të shkollës?

Nuk mund të flas në emër të popullit, siç bën opozita, e të them se populli është lodhur me ketë Qeveri, por mund të flas në emër të një rrethi të caktuar të njerëzve që thonë se gjendja është kritike. Shthurja morale, dekadenca, e njerëzve të pushtetit ka kapur pikat më të larta. Tashmë nuk konsiderohet turp t’i japësh djalit tender, vëllezërve biznese, kushërinjve pozita të larta në prokurime etj. Dhe pse gjendja është kështu, përgjegjësinë më të madhe e ka Qeveria. Por pse nuk mund të dalim prej kësaj gjendje, fajin kryesor e ka opozita. Është kjo opozitë, opozita e vezëve, që megjithatë ketë Qeveri e bën të duket serioze. Pos militantëve partiak, kush është ai qytetar i papërcaktuar që do të thoshte se do të donte të mos i shihte Mustafën dhe Thaçin në Qeveri, por të shihte Kurtin dhe Haradinajn?

Eco Higjiena

Pse të thoshte kështu? Që vendi të izolohej edhe më shumë ndërkombëtarisht? Ju mund të thoni që nuk mund të izolohet edhe më shumë, por ja që mundet. Rruga e integrimit në Bashkimin Europian është e gjatë dhe e mundimshme. Hapat që po bën kjo Qeveri janë hapa breshke, por megjithatë janë hapa. Me këtë qasje të opozitës, qasje që po kundërshtohet prej të gjithë qeverive Perëndimore, ajo do të ndalej fare, ose, madje, do të fillonim të ecnim prapa. Cilët janë hapa prapa? Do t’i ndalohej udhëheqësve të shtetit lëvizja përtej Kosovës. Do të pezullohej çfarëdo integrimit europian.

Cila Qeveri Perëndimore do të ishte aq e marrë sa të denjonte të bisedonte për të anuluar një marrëveshje që është arritur me aq mund, siç është ajo për themelimin e Asociacionit? Kushdo t’i nënshtrohej tekeve për ta rishikuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi? A nuk e kemi të freskët rastin e Greqisë, e cila organizoi madje edhe referndum për t’i thënë JO Bashkimit Europian, e në fund fare u detyruar që ta pranonte një marrëveshje edhe më të pafavorshme se sa kishte qënë në fillim.

Ashtu, siç edhe e tha Dukagjin Gorani mbrëmë në Click, ne po e detyrojmë Bashkësinë Ndërkombëtare të zgjedhë në mes të hajnave dhe ekstremistëve. Praktikat botërore kanë treguar se Perëndimorët janë shumë më të gatshëm të bashkëpunojnë me hajna, pra me Qeverinë, e jo me ekstremistë. Kush do të kishte nerva ne Bashkim Europian dhe SHBA t’i dëgjonte denglat e Kurtit, Konjufces dhe Ymerit për politikën dhe moralin? A mendoni që përnjëmend diplomatët perëndimorë kanë mungesë informatash për rajonin, kur vendosin që marrëveshjet t’i prejnë ashtu sic i kanë prerë?

Pas asaj që ka ndodhur mbrëmë është krejtësisht e pamundur të parashikohet se si do të shkohet më tutje. Përdorimi i policisë brenda sallës së Kuvendit do të ishte saktësisht ajo cfarë po kërkojnë uzurpatorët nga opozita. Ata janë në kërkim të derdhjes se pikave të para të gjakut, brenda institucioneve, që gjendja të mos kthehet kurrë më në pikën zero.

Pra, policia nuk është zgjidhje. Me të vetëm sa do t’i hidhej benzinë zjarrit.

Koalicioni Qeverisës do të duhej të vazhdonte përpjekjet për të zhbllokuar situatën, duke kërkuar edhe asistencën e ambasadave të huaja, në mënyrë që të shtjerren të gjitha opcionet e mundshme politike.

Qytetarët duhet të binden se Kuvendi është marrë peng nga disa individë të deshpëruar. Pengmarrësit duhet të diskreditohen ditë për ditë, meqë kjo është ajo çfarë kanë zgjedhur të bëjnë, duke qenë të frikësuar që protestën e tyre ta bartin në rrugë, sicç edhe e do zakoni.

Nëse rrugë tjetër nuk ka, atëherë zgjedhjet e parakohëshme do të ishin opsioni më real.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.