Kuvendi e Qeveria votohen në pako
Seanca inauguruese e Kuvendit të Kosovës do të thirret javën e ardhshme, pasi që dy partitë e koalicionit të madh do t’i qartësojnë modalitetet rreth qeverisjes së re. Gjatë vikendit, grupet punuese të të dyja partive politike, PDK-së dhe LDK-së, do të punojnë për ndarjen e dikastereve, ndërsa besohet se edhe Qeveria edhe organet e reja të Kuvendit do të zgjidhen në pako.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë dhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret në fillim të javës së ardhshme pa e precizuar se në cilën ditë. Në anën tjetër, Bajram Rexhepi, nga PDK-ja, ka thënë se për pozitat kryesore ende nuk kanë diskutuar dy partitë, tashmë në koalicion. “Pritet që gjatë vikendit të ketë bisedime, meqë grupet punuese tashmë janë formuar dhe ato do të koordinohen për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me krijimin e institucioneve dhe kabinetit qeveritar”, ka thënë Rexhepi. Tri pozicionet kryesore ajo e presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, sipas tij, ende nuk janë të definuara. “Deri më tash me LDK-në kemi veç marrëveshje gojore. Prandaj, tashmë kanë filluar përgatitjet, ato po bëhen dhe në seancën, e cila pritet të thirret në fundjavë, do të votohet në pako edhe për Kuvend, por edhe për Qeveri”, ka thënë Bajrami.
Në anën tjetër, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se varësisht se si do të kërkohet thirrja e seancës konstituive do ta thërrasin atë. “Nëse kërkohet shpejt në shpejt do ta thërrasim”, ka thënë Krasniqi, për të shtuar se Administrata është e gatshme ngase për këtë edhe janë të thirrur.
Ndryshe, kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të kësaj legjislature, Flora Brovina, ka kërkuar vazhdimin e seancës konstituive. Ajo ka thënë se seancën do ta thërrasin shumë shpejt.


