Mobi Casa

Kuvendi e injoroi ekonominë, u shërbeu oligarkëve

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Të gjitha përbërjet e deritashme të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar në adresimin e çështjeve me rëndësi për ekonominë vendore. Analistët dhe opozita pyesin se përse në Kuvend nuk po debatohet për monopolet kriminale të dirigjuara nga politika e mafio-oligarkia, që po e shkatërrojnë Kosovën, për sipërmarrjen që po nëpërkëmbët nga mafio-oligarkët e inkriminuar.

Drejtues të lartë të AKBsë shpresojnë se pas përfundimit të agjendave politike, që kanë qenë me prioritete si kërkesa të ndërkombë- tarëve në Kuvendin e Kosovës, më në fund do të dominojnë agjendat ekonomike. Kësisoj, nënkryetari i AKB-së, Bashkim Osmani, për “Kosova Sot”, tha se sigurisht se këto debate për ekonominë do të ishin të mira, “por neve na ka ngelur që vetëm përmes asociacioneve tona të biznesit që t’i bëjmë dhe t’i përcjellim kërkesat tona dhe hallet e bizneseve me të cilat po ballafaqohemi dhe ato në vazhdimësi po i bëjmë” . Sipas tij, gjatë vitit të kaluar nga ana e Qeverisë së re ‘Haradinaj’, ka pasur zotime të forta. “Është premtuar se ne si prodhues do të kemi privilegje të reja, por dihet se kjo nuk po ndodh, pasi ka ende si t’i quaj lloje të gabimeve teknike dhe jokorrektësi në Pakon e Re Fiskale dhe shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër do të zgjidhen këto probleme, sepse ka shumë punë për t’u bërë nga ana e Qeverisë, por edhe nga ana e Kuvendit”, potencoi Osmani.

Prodhuesit u lanë pas dore

Sipas Osmanit, pas këtyre vendimeve politike që u morën nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe vendimet të tjera që priten të bëhen, më në fund edhe Kuvendi i Kosovës do të fokusohet tërësisht në çështjet dhe debatet ekonomike me theks të veçantë për prodhuesit vendorë dhe hallet e tyre, por pa anashkaluar edhe problemet e tjera ekonomike. “Tashmë diçka në këtë drejtim ka filluar, por ka ende shumë pa u bërë, sepse neve si prodhues ende nuk jemi të barabartë me prodhuesit e rajonit, por shpresojmë që në një të ardhme të afërt këto çështje, që kanë të bëjnë me ekonominë dhe hallet tona, do të debatohen dhe do të ndryshohen nga ana e Kuvendit të Kosovës në të mirën tonë si prodhues”, shtoi më tutje Osmani. Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi( LVV), për ‘Kosova Sot”, tha se kjo është një temë që do të duhej të ishte qendrore në Kuvendin e Kosovës . “Ka pasur diskutime të tilla fragmentare, por jo si një temë boshte, ku Kuvendi do të diskutonte për këto çështje të vazhdueshme. Kjo çështje është e lidhur me programet e partive politike që nuk kanë pasur fare suksese me programet e tyre ekonomike”, u shpreh ai. Deputeti opozitar, Lajçi thotë se në të ardhmen e afërt në Kuvendin e Kosovës do të debatohet shumë më tepër për këto çështje ekonomike.

Politikanë milionerë me çka?!

Analisti Lulzim Beqiri, për ” Kosova Sot”, tha se kuvendarët e Republikës së Kosovës asnjëherë të vetme nuk qenë unikë në krijimin e komisioneve hetimore për moszhvillim ekonomik, përderisa Kosova i ka të gjitha parametrat që të jetë një shtet i zhvilluar. “Janë miliarda euro që janë investuar në Kosovë nga fonde të ndryshme nga mbarë bota, dhe ne ende kemi 15 për qind të popullit në asistencë sociale, janë mbi 45 për qind e rinisë pa punë, çka janë duke vepruar këta deputetë, kur është në pyetje privilegji i tyre, krejt bëhen bashkë për t’ia rritur vetes privilegjet, a për zhvillimin ekonomik as që kanë prioritet”, u shpreh ai. “Republika jonë e “shkretë” në çdo Raport të Progresit ka raport negativ lidhur me kriteret ekonomike, nepotizmi, konkurrenca jolojale, krimi i organizuar, politizimi i administratës, kurdisja e konkurseve, e deri te shitja e certifikatave të veteranëve, pra edhe Raporti i vitit 2018 ka specifikuar qartë politizimin e skajshëm të administratës, kur është në pyetje ekonomia, të gjithë në heshtje. Çfarë na intereson neve për problemet rajonale e globale, përderisa bukë nuk kemi në tryezat tona, ngremë lloj- lloj komisionesh me interes e pa interes të shtetit tonë, e arterien kryesore të funksionimit të shtetit e kemi lënë ne duart e biznesmenëve politikanë”, vijoi më tutje Beqiri. “Shumica e politikanëve kosovarë janë të paktën milionerë, si ka mundësi gjithë ky sukses i tyre, a mos vallë janë aq ekspertë për ta nuhatur suksesin? Pra, një ligj, i cili konfiskon pasurinë e fituar pa meritë do të ishte ideal për kohën aktuale. Kuvendi ka në përbërjen e vet ekspertë të mirë të ekonomisë, po pse janë në gjumë këtë nuk mundem ta kuptoj”, theksoi ai.

Uji Dea

Deputetët jopërfaqësues

Analisti Mustafë Kadriaj, tha për “Kosova Sot”, se me nivelin e përfaqësimit, ky Kuvend ka dështuar, sepse ligjvënësit janë nën çdo nivel përgatitor, që këta nuk mund të ngritin çështje dhe të merren me politika të mirëfillta ekonomike. “Vetë niveli i një debati rreth sigurisë së ushqimit dhe skandalit të mishit tregoi më së miri që deputetët nuk e dinë se çfarë flasin dhe nuk i dinë fare detyrat e tyre kushtetuese. Pra, edhe debati devalvoi deri më atë pikë, që në vend që të merren me skandalin dhe cilat masa t’i marrin në sigurimin e jetës së qytetarit po këta deputetë i tregonin qytetarit që maja e bukës (tharmi) se a është kancerogjen, kurse tjetri fliste për qumështin pluhur”, u shpreh ai. “Është për keqardhje që protagonisti i skandalit Ramiz Kelmendi nuk merrte pjesë fare në debat që të ngjallë edhe më shumë dyshimin që ajo sasi e mishit ka qenë më e vogla sasi që i është gjetur, pra ky njeri me biznesin e tij nuk është ndalur duke e furnizuar qytetarin me mish pa afat dhe jocilësor”, theksoi Kadriaj. “Ky nivel parlamentar nuk mund të merret me problematika serioze dhe me strategji për daljen nga kjo krizë e mosbesimit tek institucionet, sepse këta parlamentarë janë nën çdo nivel të edukimit dhe njëherësh janë zëri i sponsorizuesve të tyre e jo i qytetarit”, potencoi ai.

Kuvendi e degradoi ekonominë

Eksperti i ekonomisë, Florim Rudhani, tha për ” Kosova Sot”, se Kuvendi i Kosovës nuk debaton për gjendjen e rëndë ekonomike, sepse janë vetë ata që e kanë sjellë ekonominë e Kosovës në këtë nivel të ulët. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është dashur që problemet ekonomike t’i parashtrojë shumë vite më përpara, kur krimi ekonomik dhe mafio-oligarkët e kanë marrë kontrollin e shtetit në dorë. “E tëra kjo punë e pistë ka ndodhur duke i korruptuar zyrtarët e lartë politikë dhe policorë, ndonëse duhet qenë realë se nuk janë të gjithë njësoj, por një person ia prish imazhin një institucioni, prandaj mjekët e thonë shpesh një fjalë se virusi duhet të hiqet derisa është fillimi, se me vonë shpëtimi nga vdekja mund të jetë vonë”, theksoi ai. Rudhani thotë se personat e inkriminuar në cilat do institucione private apo shtetërore duhet që të largohen nga puna, nëse dëshirojmë që ky skandal të largohet nga vendi. “Konkurrencës për treg të lirë duhet t’i lirohet rruga, duhet t’i lejojmë bizneset e reja dhe biznesmenët e rinj dhe të reja që t’i shfaqin produktet e tyre publikisht e jo t’u ndalohet, për shkak se një biznesmen ka dhënë urdhër, se po ka frikë, se mos po mbetet pa punë”, ka thënë Rudhani.

(Kosova Sot)