Kuvendi e drejtësia të zbardhin zhvatjen milionëshe të fondeve
Bashkëveprimtarë të kohës konfirmojnë dëshmitë e autorit të fejtonit
DOSIERI I IBRAHIM KELMENDIT NË “KOSOVA SOT”, RIKTHEN DEBATIN PËR HAJNITË NË EMËR TË LUFTËS
Bashkëveprimtarë të kohës konfirmojnë dëshmitë e autorit të fejtonit
“Faktet që jep Ibrahim Kelmendi, janë shumë të vërteta se ka pasur vjedhje nga hajnat si në Fondin “Vendlindja Thërret”, si në fondin e ‘3%-shit’. Më thotë mendja se vjedhjet më të mëdha në Evropë janë në Fondin e ‘3%’, pa më të voglin dyshim. Hajnat që vodhën po flas tani në fondin “Vendlindja Thërret” treguan vetë se para luftës ata nuk kishin brekë për të veshur dhe pas luftës gdhinë milionerë si kërpudhat pas shiut dhe u bënë më të kamur se sheikët e Arabisë”, thotë Reshat Badallaj Zhurjani.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Ibrahim Kelmendi, ka një javë që po e boton një Dosier- opinion të tij në gazetën “KOSOVA SOT”, ku zbardhet shumëçka rreth luftës së UÇK-së, komandantëve, vjedhjet e fondit “Vendlindja Thërret”, dhe të ‘3 %’, prapaskenat e blerjes së armëve e shumë çka tjetër. Sipas tij, plaç- ka që u është bërë mjeteve të qytetarëve për UÇK-në nga fondi ‘Vendlindja thërret’ dhe fondet e tjera në Gjermani, janë bërë nga, siç e quan ai, banda e treshes XhavitAzem-Hashim. Ai e quan këtë kriminalitet dhe akuzon se sikur të kishte UÇK-ja më shumë armë, municion, ushqim e veshmbathje, do të vriteshin më pak ushtarë, do të bëhej luftë më e suksesshme dhe e efektshme kundër armikut dhe martirët e rënë do ta shpaguanin veten edhe më shumë! Madje ai e quan Adem Grabovcin komplotist dhe si gjoja ministër i Financave, i cili kishte emëruar njerëzit e tij shefa të Fondit në shtetet e Perëndimit, duke përvetësuar miliona euro te qytetareve. Tani në opinionin publik kosovar përsëri ngritët si çështje se cila është e vërtetë rreth kësaj teme të hapur dhe kur do të zbardhet e vërteta rreth fondeve të luftës, qoftë ajo ‘Vendlindja Thërret’ apo e fondit të ‘3%’, se si vodhën qindra miliona euro të qytetarëve, duke mos u raportuar asnjëherë dhe për më tepër prokuroria speciale në Kosovë për afro dy dekada as që ka marrë mundimin dhe guximin të hetoj e zbardhe se çka ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që ua vodhën qytetarëve, e që nuk ishin pak, por qindra miliona euro, prej të cilave para na dolën të gjithë politikanët milioner të pas luftës. Personalitete të kohës të afërta me këto zhvillime kërkojnë që institucionet e reja të Kosovës ma vonesë ta trajtojnë edhe këtë çështje të mbetur në errësirë.
Grushti politik në LPK
Një nga ish-veprimtarët e kohës, një nga themeluesit e radhëve të para të UÇK-së, Muhamet Kelmendi, thotë se në botën e jashtme kanë qenë të organizuar dhe kanë funksionuar dy fondet, Fondi i “3%” i Bujar Bukoshit dhe i Isa Mustafes dhe Fondi “Vendlindja Thërret” i Lëvizjes Popullore të Kosovës që ishte edhe organizatore dhe udhëheqëse politike e UÇKsë për të mos lënë hapësirë për spekulime dhe akuza e kundër akuza, ai thotë se duhet të zbardhet institucionalisht e vërtetë e këtyre fondeve. Keqpërdorimin e fondeve nga disa të apostrofuarit nga Ibrahim Kelmendi nuk e mohon as Muhamet Kelmendi. “Të dy këto fonde kanë tubuar mjete financiare dhe më siguri, nëse do të arrihej në atë kohë të bëhej bashkimi politiko-organizativ dhe ushtarak edhe financat do të ishin të centralizuara dhe të kontrolluara, si dhe lufta do të kishte më shumë sukses. Po në vitin 1994, kur u themelua UCK nga ana e Kryesisë së LPK-së , e ku unë isha bërë kryetar dhe për një kohë, deri në maj të vitit 1998 edhe udhëheqës politik, nuk u bashkuan me UÇK as qeveria e Bukoshit dhe as mjetet financiare. Për më keq, Bukoshi e Mustafa, i ndalën edhe oficerët që të futen në strukturën e UCK. Nga viti 1994 e deri në prill të vitit 1998 nuk kemi asnjë oficer zyrtarisht të futur në UÇK, ndonëse numëroheshin me qindra shqiptarë, që ishin oficerë nga Kosova. Në këto kushte, Kryesia e LPK-së bëri funksionalizimin e fundit dhe i caktoi njerëzit në udhëheqje të fondit sipas shtetit dhe vendit ku e kishim formuar fondin mbi luftën e UÇK-së”, ka treguar ai. “Mjetet financiare u koncentronin në qendër ku udhëheqës e kishim caktuar Jashar Salihun. Nga qendra i dërgonim mjetet financiare nëpër terren, ku vepronte UÇK. Këndej ka pasur malverzime dhe janë marrë masa politike para-përjashtim ndaj Xhavit Halitit dhe Azem Sylës. Kjo u bë sepse mjetet e caktuara për të ndihmuar zonën e Llapit dhe atë të Drenicës, përkatësisht Zahir Pajazitin dhe Adem Jasharin, nuk ishin dërguar te këta nga ana e këtyre dy vetave të caktuar nga Kryesia e LPK-së. Madje, këta as mjete luftarake nuk dërguan në këto dy zona”, thotë Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”. “Më vonë, viti 1995-96, u informuam se as në Dukagjin nuk kanë dërguar sipas planit mjete dhe financa. Për atë shkak u kërkua përgjegjësia e këtyre dy vetave dhe me vota iu dha para përjashtimi. Nga ky moment u caktuan tri grupe tjera punuese: 1. Grupi ndërlidhës me Ali Ahmetin udhëheqës, 2. Grupi financiar me Adem Grabovcin udhëheqës dhe 3. Grupi politik me Muhamet Kelmendin udhëheqës. Këto grupe kanë punuar dhe kanë raportuar në Kryesinë e LPK-së. Situata e tillë ka zgjatur deri në prill-maj të vitit 1998, kur u bë grushti politik mbi Kryesin e LPK dhe tërësisht udhëheqja e saj u largua. UCK kaloj nën duar të Azem Sylës dhe të Xhavit Halitit. Këta e zgjodhën në korrik të vitit 1998 Hashim Thaçin udhëheqës të Drejtorisë politike të UÇK-së. Udhëheqës financiar mbeti Jashar Salihu dhe Adem Grabovci dhe udhëheqës politik i LPK-së e emëruan Bedri Islamin. Dua për fund t’ju them se problemet kanë qenë të mëdha. Konfliktet ishin thelluar dhe nuk mbeti tjetër vetëm tërheqja”, theksoi Kelmendi. Ai thotë se në asnjë mënyrë nuk ka dashur të bëhej në atë situatë pengesë dhe pjesë e pazarllëqeve të krijuara, derisa lufta veç ishte duke shpërthyere, prandaj konfliktet ishin të dëmshme. Por, për fat të keq ai thotë se ato konflikte akoma u thelluan dhe në terren nuk kemi pasur disiplinë dhe udhëheqje të komanduar ushtarake. Sidoqoftë, Kelmendi konsideron se për ti dhënë përgjigjen dhe epilogun e dukur kësaj teme Kuvendi I Kosovës, legjislatura që ka dalë nga zgjedhjet e fundit, duhet të merret urgjentisht edhe me zbardhjen e fatit të fondeve të luftës.
Badallaj: Kelmendi po e thotë të vërtetën
Analisti dhe veprimtari në diasporë, Reshat Badallaj, thotë se ai personalisht dhe autori i opinionit Ibrahim Kelmendi, i takojnë të njëjtit Fond, dhe këtë e dëshmon edhe me librezën zyrtare-autorizimin Nr.00000072, data e lëshimit 05 fror 1999, nga Këshilli Qendror dhe të nënshkruar nga Xhemajl Fetahaj, tani Dëshmor i kombit. Ai thotë se është duke e përcjellë opinionin nga veprimtari z.I brahim Kelmendi, që shkruan për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantëve, bisedat në Shqipëri, vjedhjen e fondit “Vendlindja Thërret”, të 3% dhe shumë çka tjetër. Badallaj thotë se veprimtarin e Ibrahim Kelmendit e njeh, kurse personalisht janë takuar vetëm njëherë në qytetin Hamburg të Gjermanisë, gjatë kohës së luftës. Sipas Badallajt, faktet që po i publikon Kelmendi janë shumë të vërteta dhe ia vlen të zbardhen para opinionit. “Faktet që jep Ibrahim Kelmendi, janë shumë të vërteta se ka pasur vjedhje nga hajnat si në Fondin “Vendlindja Thërret”, si në fondin e ‘3%-shit’. Më thotë mendja se vjedhjet më të mëdha në Evrope, janë në Fondin e 3%, pa më të voglin dyshim. Hajnat që vodhën po flas tani në fondin “Vendlindja Thërret”, treguan vetë se para luftës ata nuk kishin brekë për të veshur dhe pas luftës gdhin milionere si kërpudhat pas shiut dhe u bënë më të kamur se sheikët e Arabisë. Deri më tani Ibrahim Kelmendi, përmend tre-katër emra, për vjedhje që padyshim ka shumë të drejtë se këta janë boshti i hajnisë, por akoma nuk e ka përmendur edhe disa të tjerë që janë hajna të këtij kalibri që ndërtuan shtëpi me basene..”, tha Badallaj për “Kosova Sot”. Duke kërkuar që drejtësia dhe institucionet politike të Kosovës të merren me këtë çështje, ai thotë se kaherë, ndër të parët është ai që ka kërkuar hetim për fondet. Ai jep edhe disa detaje të tjera rreth asaj kohe dhe lidhjeve të tij me të apostrofuarit e Ibrahim Kelmendit. “Daja”, Azem Syla, më kishte dërguar selam nga Tirana, pas një veprimtari të shoqatës qe drejtoja unë se thuaj Reshatit, Shoqata e tij le t´i dërgojë parat tek ai e jo te Fondi “VENDLINDJA THERRET”, që kemi shumë falënderime, mirënjohje dhe të mos i dërgojnë te komandant “PETRIT KODRA-REMZI ADEMAJ”, për të cilën kemi faksin po ashtu të botuar në libër me shkrim e me vulë. Për këtë në gazetën “KOSOVA SOT”, shkrova me titull: PËRSE REFUZOVA URDHRIN E AZEM SYLËS? Dhe, nuk reagoi dhe nuk bëri zë. Ishte akoma pa u burgosur….Ibrahim Kelmendi, ka shumë të drejtë kur kërkon që të zbulohen hajnat një nga një, të zbardhet krimi i tyre, sepse mërgimtarët kanë ndarë kafshatën e gojës për luftën e disa mbeten sakat duke i lënë gjymtyrët dhe dikush të përfiton në gjakun e tyre, e haram e paçin”, theksoi Reshat Badallaj. Ai nuk dëshiron të flasë as shkruajë më shumë derisa po vazhdon fejtoni i Ibrahim Kelmendi, sepse është pjesë i këtij fondi që ka kërkuar dhe do të kërkojë se kush e kush i mori nga 100.000 marka, të cilët i ka ai me emër dhe mbiemër, me datë të saktë, ku i morën, nga kush dhe kur i dorëzuan përse u la jashtë ai personi që shoqërohej nga Zvicra në Tiranë.
Dëshmitë e publikuara, vetëm maja e ajsbergut
Edhe Reshat Sahitaj thotë se Ibrahim Kelmendi është njëri ndër themeluesit kryesorë të Lëvizjes dhe njëri ndër aktivistët më të devotshëm të çështjes kombëtare, siç ishte Sabri Novosella e shumë të tjerë. Ai shprehet se pavarësisht se ndaj tij shërbimi sekret serb ka lansuar propaganda nga më të ulëtat, duke i përdorur disa nga familjet e dëshmorëve e shumë shërbëtorë të tjerë që lufta e tij për çlirimin e Kosovës të mos jetë e besueshme në atë mënyrë që rreth tij të mos bashkohen forcat e shëndosha shqiptare, ai i ka mbetur besnik çështjes. “Kjo luftë speciale e Serbisë që dikur është lansuar ka pasoja e veta edhe sot e kësaj dite, sepse do të ndikojë që shkrimet e tij objektive të mos trajtohen si të tilla, e që në fakt për ato që shkruan Ibrahim Kelmendi janë fakte dhe dokumente të asaj kohe. Ibrahim Kelmendi është dëshmitar i shumë ngjarjeve të rëndësishme, dhe është njëri ndër protagonistët, pa të cilin shumë gjëra pozitive në çlirimin e Kosovës nuk do kishin ndodhur pa insistimin dhe këmbëngulësinë e tij. Për fat të mire, Ibrahim Kelmendi e ka ruajtur pavarësinë e fondit Vendlindja thërret në Gjermani, nga i cili fond kanë arritur në Kosovë armatim, veshmbathje, barna , ushtarë, e çdo gjë e mundur edhe pse një pjesë është sabotuar nga ata që Ibrahim Kelmendi i denoncon. Denoncimet që i ka bërë publike Ibrahim Kelmendi nuk janë asgjë nga faktet tjera që i posedon një veprimtar tjetër mik i Ibrahim Kelmendit, por i cili ka vendosur të mos publikojë asgjë dhe i cili i ka ruajtur të gjitha dokumentet e asaj kohe të fshehura diku nën dhe. Akuzat që Ibrahim Kelmendi i ka bërë publike janë vetëm maja e ajsbergut, ndërsa brendia e saj është shumë më tragjike, por për çështje të interesit kombëtar ato dokumente ruhen për t’u shpalosur shumë vite apo dekada më vonë”, tha Reshat Sahitaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, shkrimet e Ibrahim Kelmendit mbi keqpërdorimin e fondit dhe keqpërdorimin e luftës çlirimtare janë të sakta dhe objektive. Edhe analisti politik dhe veprimtar në diasporë, Florim Zeqa, thotë se duhet përshëndetur guximin intelektual të veprimtarit Ibrahim Kelmendi, për zbardhjen e së vërtetës së një periudhë sa të vështirë po aq të lavdishme të historisë më të re të kombit tonë. “Zbardhja e fondeve të luftës është obligim qytetar, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës për kthimin e besimit të humbur ndër mërgimtar shkaku i keqpërdorimit të fondit të ‘3 %’ dhe atij “Vendlindja Thërret” nga persona të papërgjegjshëm. Në fakt, për të gjitha që flet Kelmendi në shkrimet e tij, flitet nëpër koluare, ndeja dhe takime individuale të mërgimtarëve, por assesi të merret guximi të flitet haptas në tubimet publike”, është shprehur ai. “Jo vetëm Ibrahim Kelmendi, por secili prej mërgimtarëve që ka fakte e ka për obligim qytetar dhe kombëtar të hedhë dritë mbi të vërtetën, ngase vetëm duke e thënë të vërtetën, sa do e hidhur dhe dhimbshme që të jetë, do të reflektoj pozitivitet dhe shpresë për ardhmëri të sigurt të gjeneratave të reja në Kosovë. Në këtë drejtim duhet pasur kujdesin maksimal, që të mos keqpërdoren fondet e sipërpërmendura për qërim hesapesh individuale, grupore apo klanore, por të thuhet vetëm e vërteta me fakte dhe argumente bindëse, e pangjyrosur me aspekte ideologjike, politike apo fetare”, vijoi më tutje Zeqa. ” Kelmendi dhe të tjerët që posedojnë fakte rreth keqpërdorimit të mjeteve financiare të mërgimtarëve nga dy fondet e sipërpërmendura, paralelisht publikimit në media duhet t’i deponojnë faktet në Prokurori dhe Gjykata,…sikurse që, edhe individët e apostrofuar nga Kelmendi, nëse e ndjejnë vetën të pastër ndaj akuzave të ngritura, duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë me kundër akuza, për t’u ballafaquar me të vërtetën! Vetëm kështu mund të vijë deri të e vërteta absolute, e cila do t’i kontribuonte unitetit kombëtar dhe kthimit të besimit ndër mërgimtar”, tha Florim Zeqa.
Të apostrofuarit preferojnë të heshtin
Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me disa nga të apostrofuarit në këtë shkrim të Ibrahim Kelmendit, me Nait Hasanin, Emrush Xhemajlin e Xhavit Halitin, por ata nuk kanë pranuar të flasin. I vetmi që ka radhitur disa fjali është Naim Maloku, i cili edhe pse e pranon kyçjen e hershme në radhët e UÇK-së thotëuse nuk di ndonjë gjë për menaxhimin e fondeve, të cilat sipas tij, duhet të hetohen dhe zbardhen institucionalisht. “Unë kam jetuar në Slloveni dhe në UÇK jam inkuadruar me 8.03.98 deri më 01.07.99 kur më kërkesë time jam demobilizuar. Kam qenë tërë kohen i angazhuar direkt në aktivitete luftarake në teren dhe nuk kam fare njohuri se çka është bërë në prapa vi. Me fonde kanë menaxhuar të tjerët dhe nuk kam pas mundësi me e ditë se as kush ka qenë i involvuar krejt në to. Mirë kishte me qenë që në mënyrë institucionale, pra Qeveria, të merren me llogaridhënien e fondeve”, tha Naim Maloku për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


