UBT

Kuvendi drejt shpërndarjes

/ 3 minuta lexim

Kosova aktualisht po përjeton një parlamentarizëm jopluralist. Pa opozitë dhe pa kuorum, legjislatura e ka humbur kuptimin

Analistët theksojnë se zgjedhjet e reja duhet të mbahen për të rikonfirmuar legjitimitetin dhe besimin te elektorati, i zhgënjyer nga ky përfaqësim mediokër dhe i papërgjegjshëm

Bojkoti opozitar e ka shndërruar Kuvendin e Kosovës në parlament njëpartiak, në të cilin asgjë nuk po funksionon në frymën e parlamentarizmit demokratik pluralist. Analistët politikë, njohësit e fushës së ligjit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderojnë se kjo mënyrë e funksionimit të Kuvendit pa pjesëmarrjen e opozitës, nuk e ka aspak kuptimin e mirëfilltë të funksionimit të mëtejmë, por duhet të arrihet marrëveshja për rilegjitimim nga sovrani i zhgënjyer nga qeverisja e keqe.

Kriza, në të cilën është futur Kuvendi, ku po ndodh që edhe pozita numerikisht e madhe nuk po arrin të sigurojë kuorumin e mjaftueshëm për funksionim normal, vlerësohet si një arsye e fortë pse zgjedhjet e reja janë të domosdoshme për të legjitimuar një përfaqësim të ri e më të denjë për të qeverisur me vendin, me shpresë se do të jetë më i mirë se ky aktuali. Profesori i së drejtës dhe ekspert për çështje zgjedhore, Mazllum Baraliu, thotë se demokracia e lënduar nga kriza politike mund të riparohet vetëm me zgjedhje të reja.

RCCOLA

Parlamenti i shndërruar në institucion monist

Sipas Baraliut, pas një krize të thellë gati dyvjeçare të vazhdueshme dhe ciklike, ka nevojë që të rikonfirmohet përmes zgjedhjeve të reja besimi i dhënë, sepse dihet mirëfilli që besimi qytetar nuk është dhënë për të qeverisur në këtë mënyrë. “Prandaj, derisa Kuvendi po funksionon herë pas here si institucion monist ose nuk po arrin të funksionojë gati fare, pa opozitë, dihet që nuk ka Kuvend, por edhe brenda koalicionit ka mosfunksionim normal, partitë politike të pozitës duhet t’i ofrohen opozitës dhe të ketë një vendim konsensual për të caktuar një afat të pranueshëm ligjor të zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë”, tha prof. i së drejtës Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”.

Analisti politik, Adlum Ramadani, thotë se edhe sipas së drejtës bashkëkohore demokratike, aty ku nuk garantohet demokracia, paraqitet sistemi politik autoritar, autokraci kjo që cenon çdo element demokratik, thuajse si në kohën e monizmit, mozaiku i së cilit plotësohet me regres politik, mungesë të pluralizmit dhe i përfaqësuar nga një ‘diktaturë’ oligarkësh të pasuar me filozofinë cinike, vizioni dhe alternativa e të cilëve është zhvatja totale e shtetit./kosova sot/