Fundamenti

Kuvendarët e Gjilanit miratuan raportin financiar janar-dhjetor 2015

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në mbledhjen e radhës, të cilën e ka kryesuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin financiar janar-dhjetor 2015, disa ndryshime në rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, ndarjen e subvencioneve për tri shoqata dhe katër klube sportive si dhe ka diskutuar për manifestimin tradicional “Flaka e Janarit” 2016.

Kuvendi, me kërkesën e kryesueses, ka votuar për përjashtimin nga seanca të këshilltarit serb Srgjan Mitroviq, në pritje për zëvendësimin e tij, meqë është emëruar në krye të strukturave paralele.

Sa i përket raportit financiar, Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet, ka thënë se versioni i shkruar i përmban hollësisht të gjitha të dhënat mbi të hyrat dhe shpenzimet, por është shprehur i gatshëm të japë edhe sqarime shtesë në interesimet e anëtarëve të Kuvendit.
Maliqi ka thënë se Gjilani është ndër komunat më të mira në Kosovë sa i përket të hyrave, me 94 për qind realizim të planit. Për shkak të paralajmërimit për faljen e borxheve, ka pasur një ngecje të përkohshme te tatimi në pronë, derisa ka filluar zbatimi i ligjit, ka thënë Maliqi.

Pozita (LDK e AAK) i kanë dhënë përkrahje të plotë raportit, ndërsa opozita (PDK e VV) janë shprehur të pakënaqura me raportin dhe nuk e kanë votuar atë.

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se raporti paraqet gjendjen financiare të Komunës në mënyrë shumë reale, sikurse edhe Selami Xhemajli (AAK), i cili ka vlerësuar se raporti përbënë të dhëna të mjaftueshme dhe për më tepër, ka thënë ai, drejtori Zijadin Maliqi është i gatshëm të jap sqarime plotësuese në të gjitha interesimet.

Riad Rashiti (PDK) ka thënë se raportit financiar i mungon pjesa analitike. Nuk ka informacione për shpenzimet e grantit qeveritar, as për donacionet dhe të tjera. Rashiti, i cili i bëri një analizë të hollësishme raportit, tha se të hyrat vetanake kanë shënuar rënie.

Krenare Latifi (VV), ka thënë se ka dallime te planifikimi fillestar dhe ai përfundimtar i të hyrave. Te disa kategori ka ngecje në realizimin e të hyrave, kurse te disa sosh, ka tejkalim të shpenzimeve, ka thënë ajo.

Në debatin për raportin financiar kanë marrë pjesë edhe Nevzad Isufi (VV), Shukrije Rapuca (PDK), Ismet Hajdini (AKR), Isa Agushi (LDK) dhe të tjerë. Sqarime plotësuese kanë dhënë drejtori Zijadin Maliqi si dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, për çështjet që kishin të bënin me sektorin e tij.

Kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet dhe plotësimet në rregulloren për tarifa komunale, ku përfshihen edhe tarifat për shfrytëzimin e tri qendrave të reja rekreative-sportive.

Fehmi Sylejmani (VV) ka kërkuar që në rregullore të parashihen edhe tarifa alternative për shfrytëzuesit e këtyre hapësirave sportive-rekreative si dhe disa të tjera, të ulen.

Eco Higjiena

Debat ka nxitur edhe informata për manifestimin “Flaka e Janarit 2016”. Bujar Nevzati (PDK) tha se nuk ka vërejtje te shuma e mjeteve të shpenzuara, por tha se mungon një raport analitik mbi shpenzimet.

Avdyl Aliu (LDK) tha se shpenzimet janë reduktuar përgjysmë në krahasim me qeverisjen e kaluar.

Shpresa Kurteshi (LDK) tha se informata është shqyrtuar në Komitetin e Kulturës, por nëse ka nevojë, një raport më i gjerë mund të sillet në seancat e ardhshme të Kuvendit, ka thënë ajo, duke shtuar se këtu nuk ka asgjë për të fshehur.

Nevzad Isufi (VV) ka thënë se është e pa kuptueshme që një manifestim me 25 vjet traditë, nuk e ka ende një rregullore.

Kuvendi ka miratuar edhe shtatë kërkesa për subvencionimin e klubeve dhe shoqatave, në vlerë prej 96.500 euro. Duke i ftuar anëtarët e Kuvendit që t`i përkrahin këto kërkesa, Malazog Hoxha, përgjegjës për sport, ka thënë se të gjithë ne mburremi me këto klube sportive, kur ato arrijnë suksese të mira dhe ka rikujtuar se në Gjilan organizohet spektakli më i madh i futbollit në rajon.

Kësisoj, sipas këtij vendimi, KF “Drita” do të subvencionohet me 33 mijë euro, KF “Gjilani” – me 30 mijë, KV “Drita” (femrat ) me 10 mijë, Klubi i basketbollit “Drita” (M) – 8 mijë, kurse Shoqata e të Verbërve – me 5.500, Qendra e Gruas “Liria” – me 5 mijë, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal – me 5 mijë.

Nevzad Isufi (VV) pati vërejtje te raporti i Qendrës “Liria” për vitin e kaluar, duke thënë se shpenzimet nuk janë arsyetuar si duhet dhe kërkoi auditim të gjendjes atje, para se të vendoset për ndarjen e mjeteve tjera.

Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se do të formohet një komision, i cili do monitorojë në të ardhmen punën e këtyre shoqatave.

Përndryshe në pjesën e debatit, Sahit Abazi (PDK) kërkoi që në këtë seancë të diskutohet edhe për gjendjen e Teatrit dhe financimin e Këshillave lokalë, siç jemi marrë vesh në Komitetin për Politikë dhe Financa, tha ai.

Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se është e vërtetë që në KPF kemi diskutuar për Teatrin dhe Këshillat lokalë, por nuk jemi marrë vesh që t`i fusin në rend dite të Kuvendit Komunal./rajonipress/