UBT

Kuvendarët e Gjilanit miratuan me kushte buxhetin 2016

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në mbledhjen e radhës për këtë vit, të cilën e ka drejtuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka miratuar me kushte buxhetin për vitin 2016 si dhe pika të tjera të rendit të punës.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për shpalljen “qytetar nderi” të zonjës Hanife Mala, bashkëshorte e dëshmorit Rexhep Mala, si nismë e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri si dhe të Rexhep Berishës, baba i dëshmorit Nuhi Berisha, që u propozua nga opozita, për të mos i ndarë këto dy familje emblematike të Gjilanit dhe u përkrah edhe nga pozita.

Kuvendarët miratuan edhe vendimin për përbërjen e Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikimit hapësinor, me gjithë kërkesën e opozitës (PDK e VV) për ta përsëritur konkursin, me arsyetim se përzgjedhja e bërë nuk është profesionale, rregulloren për tatimin në pronë, raportin e komisionit të aksionarëve për ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”, ndërkaq e shtynë për një seancë tjetër raportin për “Ecohigjiena”, meqë mungoi kryesuesi i Komisionit.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për kompensimin e komisionit për emërtimin e rrugëve, që përbëhet prej 15 anëtarëve, në vlerë prej 2 mijë euro për secilin, për gjithë punën e bërë deri tani, sikurse miratoi edhe raportin e korrje-shirjeve, që e prezantoi drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani si dhe diskutoi për raportin e auditimit për pasqyrat financiare në komunën e Gjilanit, për vitin 2014.

Kuvendi i dha mandat kryetarit të Komunës, përmes një letre mbështesë, për nënshkrimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me projektet e energjisë së përsëritshme.
Kuvendi u plotësua me një anëtar të ri, Refik Shala (LDK), i cili zëvendësoi Zijadin Maliqi, që para disa ditësh u emërua drejtor për Buxhet dhe Financa.

Sa i përket buxhetit, Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, ka thënë se buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin 2016, është 21.354.701 euro. Këto mjete do të sigurohen nga granti qeveritar – 17.354.701 euro dhe nga të hyrat vetanake – 4.000.000 euro. “Ky është buxhet i mundësive, jo i nevojave”, ka thënë Maliqi.

Pos ta pagat, te kategoritë tjera ka ulje të shpenzimeve për 12 për qind, me qëllim të mos preken investimet kapitale, ka thënë Maliqi, duke shtuar se buxheti i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara, përfshirë edhe dëgjimet publike.

Sipas Maliqit, ndarja në bazë të formulës, është e drejtë, por sa i përket vetë formulës, ajo mund të diskutohet te granti i arsimit, sepse duke e marrë parasysh numrin e nxënësve dhe jo të normave mësimore, komuna e Gjilanit po dëmtohet te ky pozicion.

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se ky planifikim buxhetor bazohet në mundësitë reale, duke shtuar se është bërë një punë e mirë që janë ulur shpenzimet dhe nuk janë prekur investimet kapitale.

Riad Rashiti (PDK), tha se ky është buxhet i mbijetesës dhe jo buxhet i zhvillimit, gjë që sipas tij, dëshmon se edhe qeveria e Isa Mustafës po e anashkalon Gjilanin.

Fundamenti

Krenare Latifi (VV) tha se buxheti nuk ka trend rritje në vitin 2016, por përkundrazi shënon një ulje për 2.22 për qind dhe kjo është për brengosje.

Ibish Ibishi (AAK) ka kërkua të dijë sa janë marrë parasysh kërkesat e qytetarëve nëpër debate publike në planifikimin buxhetor.

Shukrije Rapuca (PDK) kundërshtoi zvogëlimin e buxhetit për bujqësi, sikurse bëri edhe Fatbardha Selmani (PDK) sa i përket buxhetit për shëndetësi.

Vërejtje për investimet kapitale pati edhe Fehmi Sylejmani (VV) duke thënë se ato janë të vogla, ndërkaq disa sektorë nuk përmendën fare, sikurse janë ulur edhe subvencionet. Arben Maliqi (LDK) tha se nuk ka zvogëlim të buxhetit, sepse ai mbetet i njëjtë, ndërkohë që kërkoi nga deputetët e kësaj ane që të jenë më të zëshëm në përfaqësimin e interesave të komunës së tyre në Parlamentin e Kosovës.

Zijadin Maliqi sqaroi se komuna e Gjilanit nuk dëmtuar aspak te ndarja e buxhetit, madje qëndron më mirë se komunat tjera sa i përket grantit qeveritar. Ai ka nënvizuar faktin se kufijtë buxhetor nuk mund të thyhen, por thyerja e kufijve është bërë përmes linjave ministrore. Maliqi ka siguruar se kërkesat e qytetarëve do të përfshihen në planin e prokurimit.

Kuvendi miratoi edhe rregulloren për tatimin në pronë, që sipas Zijadin Maliqit, drejtor financiar, mbetet e njëjtë me vitin 2015. Siç dihet, Komuna e Gjilanit, nga viti 2015 ka bërë uljen e normës, për rreth 15 për qind.

Përndryshe, në pjesën e debatit, Sahit Abazi tha se PDK nuk heq dorë nga kërkesa për kërkim falje nga kryetari i Komunës, për akuzat e bëra ndaj këtij subjekti, pas rastit të shpimit të gomave të disa veturave zyrtare, sikurse as nga kërkesa për një informatë për ndërtimet pa leje, për projektin e lumit Mirusha, derisa kërkoi që të intervenohet në Malësinë e Zhegocit në riparimin e rrugëve, të cilat janë dëmtuar nga reshjet dhe kanë vështirësuar transportin e nxënësve.

Bujar Nevzati (PDK) përsëriti kërkesën për një informatë për gjendjen në arsim, për punësimet, për ndërtimet pa leje, për raportet e ekzekutivit me investitorë dhe të tjera, duke kërkuar ballafaqim me kryetarin e Komunës për të gjitha këto pyetje.

Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se informatat për fillimin e vitit shkollor dhe për ndërtimet pa leje, do të ofrohen në seancën tjetër të Kuvendit Komunal, ndërkaq sa i përket mungesës së kryetarit të Komunës në seancën e sotme, ajo sqaroi se bëhet fjalë për disa probleme shëndetësore në familje, përndryshe kryetari i Komunës është i gatshëm të ballafaqohet çdo herë me opozitën në Kuvend Komunal, ka thënë ajo./rajonipress/