Kuvendarët e Gjilanit e mirëpresin projektin për ndërtimin e impiantit për ujërat e zeza

/ 8 minuta lexim

Gjilan – Vendimmarrësit e Gjilanit i kanë hapur sot rrugë një projekti shumë të rëndësishëm jo vetëm për qytetarët e kësaj komune, por edhe më gjerë, duke miratuar vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik në një hapësirë prej mbi 7 hektarësh, në afërsi të fshatit Uglar, për nevoja të ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza, një investim ky i Qeverisë së Kosovës, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) si dhe Bankës Investuese Evropiane (BIE). Siç dihet sistemimi dhe trajtimi i ujërave të zeza paraqet një sfidë për shtetin e Kosovës, për shkak se kërkohen investime milionëshe për të zgjidhur këtë problem jo vetëm ambiental, po edhe shëndetësor. Vendimi është mbështetur edhe nga opozita.

Por, kuvendarët kanë pasur dallime të mëdha në disa pika të tjera, sidomos te rregullorja për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës të subjekteve afariste, vendimi për caktimin e lokacionit për dy zyra të gjendjes civile si dhe vendimi për krijimin e të drejtës së ndërtimit në pjesët e ngastrave kadastrale nr.3671-0 dhe 3672-0, pronë komunale.

Me shumicë votash është vendosur që rregullorja për orarin e punës të subjekteve afariste të shtyhet për ndonjë seancë tjetër, ndërsa vendimi për zyrat e ofiqarisë u procedua vetëm për lokacionin në lagjen “Arbëria”.

Pavarësisht se vendimi që kishte të bënte me lokacionin për ndërtimin e zyrës së gjendjes civile në një kënd të oborrit të shkollës “Selami Hallaqi”, ku siç ka thënë Avdyl Aliu (LDK) tani ofrohet si zgjidhje edhe aneksi i shkollës, kjo pikë u kundërshtua rreptë nga opozita, veçmas nga LVV, e cila nëpërmjet këshilltares Arijeta Rexhepi, ka thënë se projekti nuk e ka përkrahjen as të këshillit drejtues të shkollës dhe as të këshillit të prindërve.

Drejtori i Administratës, Bardhyl Syla, ka thënë se kundërshtimi nuk vjen prej qytetarëve, sepse ata mirëpresin kurdoherë ofrimin e shërbimeve më pranë vendit ku jetojnë, por reagimi është nxitur nga grupe të caktuara. Edhe shkolla, edhe zyra e gjendjes civile ofrojnë shërbime për qytetarë, ka thënë Syla.

Po ashtu kuvendarët e Gjilanit, në seancën e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, kanë miratuar rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, marrëveshjen e binjakëzimit të Gjilanit me Beratin, emërtimin e QMF në Zhegër me emrin “Fazli Ramadani”, bartjen e shumës prej 10 mijë euro nga gala mbrëmja, në fondin për studentë, vendimin për ndarjen e 75 bursave për studentë të dalluar të kësaj komune, vendimin për krijimin e të drejtës së ndërtimit në pjesët e ngastrave kadastrale nr.3671-0 dhe 3672-0, prona komunale, sikurse edhe vendimin për themelimin e komisionit vlerësues për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronave paluajtshme të komunës si dhe vendimin për themelimin e komisionit për vlerësimin e ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës.

Njëherësh, Kuvendi është informuar nga Drejtoria për Urbanizëm rreth vendimit për miratimin e planit rregullues urban në ish-kampin “Montith” në Gjilan, që ka qenë kërkesë e pronarëve të tokave në këtë hapësirë.
Bekim Bajrami, drejtor i Urbanizimit, ka thënë se procesi ka qenë publik dhe është bërë në bashkëpunim me pronarët e tokave.

Refik Hasani, përfaqësues i pronarëve, tha se kërkesa e tyre është që Komuna të përshpejtojë procedurat për zbatimin e planit rregullues, që nënkupton hapjen dhe trasimin e rrugëve, në mënyrë që atyre t`iu mundësohet shfrytëzimi i pronave në ish-kampin “Montith”.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka premtuar se vendimmarrësit do t`i kërkojnë ekzekutivit që t`i përshpejtojë procedurat e shpronësimit në këtë zonë, në përputhje me ligjin dhe planin rregullues.

“Ne si Kuvend Komunal do t`i kërkojmë ekzekutivit që t`i përshpejtojë procedurat e shpronësimit në këtë zonë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi t`i realizojnë të drejtat e tyre në pronat e veta, ashtu siç e parasheh plani rregullues ”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Uji Dea

Sa i përket rregullores për taksa, ku ndryshimet e propozuara te administrata, shërbimet publike, urbanizmi, kadastra si dhe te biblioteka e qytetit, i kanë arsyetuar drejtorët Bardhyl Syla, Naser Korqa, Bekim Bajrami, Sadudin Berisha e Shpresa Hajdari dhe pas një debati gjithëpërfshirës, ku ma propozime konkrete janë përfshirë Riza Abdyli, Gentrit Murseli, Nevzad Isufi, Shefik Surdulli, Enver Hajrullahu, Arijeta Rexhepi, Avdyl Aliu dhe të tjerë, Kuvendi ka votuar për rritjen e tarifave për banka, institucione mirko financiare, hotele, motele, noter, avokatë dhe përmbarues, ndërkaq i ka ulur tarifat për kompani të kontrollimeve teknike, pika të karburanteve në fshatra, si dhe për hyrje të automjeteve transportuese në qytet, ndërkaq i ka hequr krejtësisht tarifat për objekte bujqësore si dhe për tezgat që shesin libra.

Mjaft debat ka ngjallur edhe rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste, ndonëse në fund u vendos që kjo pikë të shtyhet. Kundër shtyrjes ka qenë Festa Shabani, këshilltare e pavarur, duke thënë se ky është ndër propozim-vendimet më të mira të Kuvendit Komunal dhe që pritet me padurim nga punëtorët, të cilët, për fat të keq, ende trajtohen si skllevër në vendet e punës.

Rregullorja për orarin e punës parasheh disa ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me ditën e diel dhe ditët e festave zyrtare, kur pos furrtarëve, salloneve të ondulimit, floktarëve dhe pikave të shitjes të shtypit ditor, nuk do të punojnë vetëshërbimet, supermarketet, shitoret tregtare ushqimore, shitoret tregtare të tekstilit, shitoret e lëkurë këpucëve, të teknikës së bardhë dhe veprimtarive tjera jo ushqimore, gjellëtoret, qebaptoret dhe autolarjet dhe as kompanitë ndërtimore.

Njëherësh, është miratuar edhe vendimi për dhënien e të drejtës së ndërtimit të objektit kolektiv P+9, sipas planit zhvillimor urban “Qendra 1”, në dy parcela komunale, në sipërfaqe të përgjithshme prej 98 m/2. Arsyetimet i kanë dhënë drejtorët Sadudin Berisha e Bekim Bajrami.

Njëherësh, kuvendarët Avdyl Aliu, Nevzad Isufi, Riza Abdyli, Enver Hajrullahu, Xhelal Hajrullahu, Ibish Ibishi, Bujar Nevzati, Shefik Surdulli, Nehat Osmani, Gentrit Murseli, Fesat Shabani, Arta Nuhiu, Arbëreshë Hyseni dhe të tjerë, kanë shtruar pyetje rreth themelimit të këshillave lokalë si dhe përfaqësimit gjinor në këta trupa, arsimit, infrastrukturës rrugore, mjekëve të papunë, ndërtimit të disa urave në Grykën e Karadakut, ujërat atmosferikë në Zhegër, ndotjen e mjedisit, vendosjen e panos së dëshmorit Agim Ramadani në sheshin “Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha”, duke e cilësuar si veprim jo të duhur, rreth punimeve në shtëpinë e kulturës në Përlepnicë, nismën private për shtëpinë muze të heroit Zija Shemsiu, pastaj zbatimit të ligjit kundër duhanit në zyrat e Komunës, anashkalimin që po i bëhet organizimit të panairit të librit, nevojën për zgjatjen e orarit të punës në bibliotekën e qytetit si dhe pasurimin e fondit të librave, vonesat në kompensimin e pronarëve të rrugës qarkore dhe të tjera.

Shumica e këtyre kanë ngritur shqetësime rreth gabimeve që janë bërë në emërtimin e rrugëve, duke kërkuar korrigjime.

Sa i përket emërtimit të rrugëve, proces ky që tani po realizohet në pjesën teknike, Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, i ka quajtur të drejta shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve, duke thënë se duhet gjetur një mundësi që gabimet të korrigjohen.

“Sa i përket shqetësimeve të qytetarëve rreth emërtimeve të rrugëve, ku kemi mjaft ankesa, pajtohem se gabimet duhet të korrigjohen, duke gjetur mundësi që me këtë punë të merret Kuvendi”, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq, sa i përket shtëpisë muze të Zija Shemsiut, nënkryetari Ismajli ka thënë se ai nuk e ka informatë për këtë nismë, por ka shprehur gatishmërinë e Komunës për të ndihmuar një projekt të tillë, nëse kjo u kërkohet./rajonipress/