Fundamenti

Kushtrim Xhemaili hyn në garën për deputet, Kosovës i duhet politikë e punës, jo e fyerjeve

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kushtrim Xhemaili ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, duke garuar në Listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, krah kandidatit për kryeministër Ardian Gjini. Përmes një mesazhi publik drejtuar qytetarëve, ai ka prezantuar vizionin e tij politik, duke theksuar nevojën për një qasje të re në politikën kosovare, larg përçarjeve dhe debatit të zbrazët, e më afër problemeve reale të qytetarëve.

Në një kohë kur qytetarët po kërkojnë më shumë profesionalizëm, dije dhe përgjegjësi në politikë, kandidimi i Kushtrim Xhemaili po shihet si ardhja e një figure të re, por me përvojë dhe vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës.

I njohur si njeri i urtë, i përgatitur dhe me qasje konkrete ndaj sfidave shoqërore e institucionale, Xhemaili përfaqëson profilin e politikanit që i ka munguar shpesh Parlamentit të Kosovës, një zë racional, me integritet dhe me kulturë komunikimi.

Përkrahësit e tij besojnë se ai vjen në kohën e duhur për t’i dhënë frymë të re përfaqësimit politik, duke sjellë energjinë e një gjenerate të re të lidershipit, por edhe pjekurinë e një njeriu që e njeh mirë realitetin dhe nevojat e qytetarëve.

Mobi Casa

Xhemaili ka vlerësuar se skena politike në Kosovë është dominuar për vite me radhë nga fyerjet dhe tensionet, ndërsa sfidat e përditshme të familjeve kanë mbetur në plan të dytë. Sipas tij, vendit i duhet një model i ri qeverisjeje, i bazuar në menaxhim profesional, përgjegjësi dhe rezultate konkrete.

Në deklarimin e tij, ai ka shprehur besimin tek Ardian Gjini, duke e cilësuar si një menaxher të dëshmuar, i cili ka treguar aftësi si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Xhemaili ka theksuar se Aleanca po hyn në këtë garë me plane konkrete dhe me njerëz që, sipas tij, kanë kapacitetin për ta kthyer programin politik në veprime të prekshme për qytetarët.

Kandidati i Aleancës, i cili në këtë garë mban numrin 33, ka thënë se ky numër përfaqëson për të një “kontratë pune, llogaridhënie dhe përkushtim” ndaj secilit qytetar. Ai ka paralajmëruar angazhim të drejtpërdrejtë në terren dhe takime në të gjitha komunat e Kosovës për të prezantuar platformën politike dhe vizionin për qeverisjen e ardhshme.

Me hyrjen e Kushtrim Xhemailit në garën parlamentare, Aleanca synon të fuqizojë ekipin e saj me figura që premtojnë qasje më konkrete dhe më afër nevojave të qytetarëve, në një periudhë kur debati publik po kërkon gjithnjë e më shumë përmbajtje dhe rezultate./rajonipress/