FIDANISHTJA

Kushtëzimet dështojnë Ligjin për Faljen e Borxheve

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga fillimi i zbatimit të Ligjit për Falje të Borxheve e deri më tash janë falur rreth 60 milionë euro borxhe nga 728 milionë sa kanë qenë gjithsej. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë së kushtëzimet e vendosura në këtë ligj kanë dështuar zbatimin e këtij ligji në praktikë.

Ligji për Faljen e Borxheve, i cili ka filluar së zbatuari në praktikë para 11 muajsh, po konsiderohet si i dështuar, pasi që nga fillimi e deri më tash janë falur rreth 60 milionë euro nga 728 sa kanë qenë gjithsej.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave deri në fund të javës së tretë të korrikut me automatizëm janë shlyer borxhe në shumën prej 59,388,333.99 euro, ku pas pagesave janë falur borxhe në shumën prej 22,630,197,49 euro, ndërsa për borxhin e periudhës 2009-2014 janë paguar 17,871,511.05 euro.

Por, kushtëzimet brenda ligjit janë njëra prej arsyeve të mosrezultateve të prekshme, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Këto vlerësime dolën në konferencën “Zbatimi i Ligjit për Faljen e Borxheve Publike- Çka pas datës 3 shtator?” të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS).

ARKATANA

Kërkojnë shtyrje të afatit për falje

Sipas raportit Qeveria duhet që të shtyjë afatin për faljen e borxheve publike, por që duhet të bëjë edhe ndryshime në ligj që të ofrojë mundësi të reja që e mundësojnë më lehtë arkëtimin e borxheve.

Ibrahim Rexhepi nga STRAS ka thënë se përmbajtja e ligjit ka qenë e mirë, mirëpo ai thotë se periudha deri në vitin 2008 nuk nënkupton amnisti fiskale, meqenëse është një falje e borxheve me kushte dhe kushtëzimi, sipas tij, ka qenë një barrë që detyruesit nuk kanë mundur të përballojnë atë, prandaj efektet, sipas tij, nuk janë ato që kanë qenë të pritura.

Rexhepi ka thënë se situatë më problematike do të jetë pas skadimit të afatit të këtij ligji, ku ai thotë se Qeveria duhet të kërkojë alternativa tjera.

“Kërkohet një mobilizim i madh si nga ana e kompanive, po ashtu edhe nga një armatë e përmbaruesve për të arkëtuar këto borxhe. Arkëtimi i menjëhershëm i shumë borxheve do të jetë ‘tërmet’ për qytetarët dhe bizneset sepse tërheqja e madhe e këtyre mjeteve do të detyrojë shumë biznese të falimentojnë e kjo mund të përcillet me rebelime dhe forma të tjera të kundërshtimeve, sepse nuk ka kapacitete që menjëherë të inkasohen këto borxhe”, ka thënë ai./zeri/