GRANDEMALL

Kushtetuesja, streha e fundit e Hashim Thaçit

/ 17 minuta lexim
Uji Dea

Analistët politikë dhe qytetarët e konsiderojnë si shumë të rrezikshme mënyrën se si po synon presidenti Hashim Thaçi, që pas dështimit dhjetorin e vitit të kaluar, që me ligj të paralizojë Gjykatën Speciale, tani po synon këtë ta bëjë përmes kërkesës që ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese, lidhur me interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës, i cili flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Burjani: Gjykata Speciale pritet të fillojë punën tash pa shumë vonesë dhe ka gjasa që arrestimet të ndodhin pas 25 tetorit

“Qëllimi parësor i Hashim Thaçit është që ta çojë në pauzë të gjatë veprimin e Gjykatës Speciale, për shkak se në rast se Gjykata Kushtetuese do të thoshte që ajo marrëveshje duhet të shkojë në ratifikim dhe ratifikimi kërkon 2/3 (të votave), atëherë ajo nuk do t’i fitonte ato vota dhe për pasojë veprimet në territorin e Kosovës, sa i përket Gjykatës Speciale, autoritetit implementues, që është misioni i EULEX-it, do të ishte i paefektshëm… Hashim Thaçi si politikan i rryer, i mësuar të mbajë pushtetin përmes shkaktimit të krizave artificiale, kësaj radhe është duke llogaritur në krijimin e mjegullës politike dhe juridike përmes Gjykatës Kushtetuese, duke aluduar në përgjigjen e Kushtetueses në favorin e tij, kinse “marrëveshjet e nënshkruara nga ai nuk kanë nevojë për ratifikim”, për ta përdorur këtë më pas si precedent për të biseduar dhe për të nënshkruar sa më parë marrëveshjen me Serbinë, e cila mund të përfshijë edhe ndryshimin e territorit në veri të vendit”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Analistët politikë dhe qytetarët e konsiderojnë si shumë të rrezikshme mënyrën se si po synon presidenti Hashim Thaçi, që pas dështimit dhjetorin e vitit të kaluar, që me ligj të paralizojë Gjykatën Speciale, tani po synon këtë ta bëjë përmes kërkesës që ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese, lidhur me interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës, i cili flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se synimi i parë i presidentit është paralizimi i Gjykatës Speciale se në rast se Kushtetuesja do të konstatonte se vazhdimi i mandatit të misionit të BE-së është dashur të miratohet nga Kuvendi, atëherë puna e EULEX-it si i autorizuar nga Gjykata Speciale për t’i kryer arrestimet e mundshme në Kosovë do të ishte e paefektshme. Kjo pasi marrëveshja do të kërkonte 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Analistët edhe qytetarët theksojnë se po shihet që qëllimi parësor i Hashim Thaçit është që ta çojë në pauzë të gjatë veprimin e Gjykatës Speciale, për shkak se në rast se Gjykata do të thoshte që ajo marrëveshje duhet të shkojë në ratifikim dhe ratifikimi kërkon 2/3 (të votave), atëherë ajo nuk do t’i fitonte ato vota dhe për pasojë veprimet në territorin e Kosovës, sa i përket Gjykatës Speciale, autoritetit implementues, që është misioni i EULEX-it, do të ishte i paefektshëm. Sipas kësaj, thonë analistët, duket që Hashim Thaçi po llogarit që nëse Gjykata Kushtetuese do të thoshte që nuk ka pasur nevojë për ratifikim, atëherë këtë ai do ta përdorte si precedent për të biseduar dhe për të nënshkruar sa më parë marrëveshjen me Serbinë, e cila mund të përfshijë edhe ndryshimin e territorit të vendit. Sipas analistëve, është krijuar një bindje se Hashim Thaçi po bën çdo gjë vetëm për të shpëtuar veten nga Specialja, duke mos u lodhur se po shkel Kushtetutën dhe po rrezikon sovranitetin e shtetit, duke i sjellë në pikëpyetje edhe mbi 100 njohje që i janë bërë Kosovës në 10 vitet e fundit.

ZEQA: HASHIM THAÇI, NGA FRIKA E SPECIALES, PO BËN AVENTURA TË RREZIKSHME PËR SHTETIN

Analisti i zhvillimeve politike, Florim Zeqa, konsideron se pikërisht tani Hashim Thaçi, nga frika e Speciales, po bën aventura të rrezikshme për shtetin. “Përveç shkeljes së Kushtetutës, është duke e rrezikuar seriozisht sovranitetin e shtetit si është duke i vënë në pikëpyetje mbi 100 njohjet e çmuara për shtetin e Kosovës. Kërkesa e Thaçit drejtuar Kushtetueses për interpretimin e nenit 18 lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare, qëllim të fundit ka paralizimin e Gjykatës Speciale, tendencë e tij e dështuar në dhjetorin e vitit të kaluar”, u shpreh ai. “Duke qenë i bindur në situatën bllokuese të Kuvendit shkaku i mungesës së numrave për të ratifikuar çfarëdo marrëveshje me 2/3 e votave, presidenti dështak i vendit shpëtimin është duke e kërkuar tek Gjykata Kushtetuese! Kështu që qëllimi parësor i Hashim Thaçit është që ta çojë në pauzë të gjatë veprimin e Gjykatës Speciale, për shkak se në rast se Gjykata do të thoshte që ajo marrëveshje duhet të shkojë në ratifikim dhe ratifikimi kërkon 2/3 (të votave), atëherë ajo nuk do t’i fitonte ato vota dhe për pasojë veprimet në territorin e Kosovës sa i përket Gjykatës Speciale, autoritetit implementues që është misioni i EULEX-it, do të ishte i paefektshëm”, vijoi më tutje Zeqa.”Hashim Thaçi si politikan i rryer, i mësuar të mbajë pushtetin përmes shkaktimit të krizave artificiale, kësaj radhe është duke llogaritur në krijimin e mjegullës politike dhe juridike përmes Gjykatës Kushtetuese, duke aluduar në përgjigjen e Kushtetueses në favorin e tij, kinse “marrëveshjet e nënshkruara nga ai nuk kanë nevojë për ratifikim”, për ta përdorur këtë më pas si precedent për të biseduar dhe për të nënshkruar sa më parë marrëveshjen me Serbinë, e cila mund të përfshijë edhe ndryshimin e territorit në veri të vendit”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

BURJANI: ARRESTIMET E PARA PAS 25 TETORIT
Sipas analistit politik dhe njohës i fushës së të drejtës, Blerim Burjani, misionit të EULEX-it duhet t’ i vazhdohet mandati. “EULEX-i do të shërbejë si logjistikë kryesore për Gjykatën Speciale, nuk mund të pengohet kjo gjykatë e as të ngadalësohet procesi i punës së gjykatës. Këto aventura duhet të ndalen dhe të mos shkaktohet sërish problem dhe tensionim të raporteve me shtetet mike, nuk duhet penguar përmes Gjykatës Kushtetuese punën e EULEX-it, edhe pak kohë ka mbetur për të nisur procesin e punës gjykata, kjo gjykatë speciale hibride do të merret me zbardhjen e rasteve të pretenduar për trafikim me organe, me zbardhjen e rasteve të vrasjeve para dhe pas luftës. Dihet që është mjaft komplekse puna e kësaj gjykate, proceset priten të jenë afatgjate dhe të mos i dihet fundi. Kosova do të ballafaqohet edhe me këtë temë bukur gjatë, në vend se të punohet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale dhe shëndetësore. Problemet e rendit dhe ligjit, liberalizimi i vizave, nxjerrja në pah të temave të rënda politike të dialogut, propozime absurde të llojeve të shumta të ndryshme vetëm po shkaktojnë tensionime dhe zhgënjim të qytetarët. Për këtë arsye dhe shumë gjëra tjera në Kosovë duhet të ketë qeverisje demokratike dhe jo kriminale dhe korruptive. Gjykata Speciale pritet të fillojë punën tash pa shumë vonesë dhe ka gjasa që arrestimet të ndodhin pas 25 tetorit, e që pjesa e parë arrestimeve do të duhej të përfundonte deri në 12 dhjetor të këtij viti. Mirëpo, kjo do të varet shumë edhe nga rrethanat politike në Kosovë”, tha Burjani për “Kosova Sot”

FIDANISHTJA

BISLIMI: DYSHIMET PËR KRIME LUFTE RËNDOJNË MBI THAÇIN
Liridona Bislimi, politologe, po ashtu thotë se Hashim Thaçi po bën çdo gjë vetëm për të shpëtuar vetën nga Specialja, duke mos u lodhur se po e shkel Kushtetutën dhe po rrezikon edhe sovranitetin e shtetit, duke i sjellë në pikëpyetje edhe mbi 100 njohje që i janë bërë Kosovës në 10 vitet e fundit. “I zgjedhur më 26 shkurt nga Parlamenti i Kosovës, presidenti Hashim Thaçi mund të preket nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale, si përgjegjës për krimet e kryera nga shqiptarët në Kosovë, ku ai ishte një nga komandantët, i njohur si “gjarpri”. Presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte përfshirë në raportin e Këshillit të Evropës më 2010, të krijuar nga parlamentari zviceran, Dick Marty, i cili kishte thënë disa herë se Thaçi udhëhoqi trafikimin e organeve të 500 të burgosurve serbë dhe romë nga shqiptarët. Sipas dëshmive të mbledhura nga misioni i Dick Marty, të burgosurit ishin dërguar në vendin fqinj, Shqipëri, për t’u ekzekutuar, dhe organet e tyre u ishin shitur klinikave të huaja, shkruante media e njohur franceze, Le Figaro, duke thënë se raporti specifikon edhe ekzekutime dhe rrëmbime ku përfshihen oponentë të Thaçit. Populli ynë më në fund e ka të qartë se nga kush po përfaqësohet. Kosova po vazhdon të përfaqësohet nga individë pa dinjitet, të paditur dhe që me të rëndësishme i kanë agjendat e tyre private”, potencoi Bislimi. “Kosova kaloi pothuajse 20 vite që nga paslufta që është duke e qeverisur Hashim Thaçi dhe klani i tij dhe nuk ka zhvillim fare, e ndërsa për t’i ikur përgjegjësisë për moszhvillim dhe për të vazhduar pasurinë e tij dhe klaneve të tij ata vazhdojnë të prodhojnë kriza. Kostoja më e madhe është izolimi i vendit dhe varfërimi i vendit”, u shpreh më tutje ajo për “Kosova Sot”. “Në këta skenarë çdo gjë është e mundur dhe kjo është arsyeja që opozita dhe qytetarët nuk duhen mashtruar me këto eskivime politike që po bëhen. Sa më shpejt që ky kuadër politik largohet nga skena politike, aq më i shpejt do të bëhet zhvillimi i vendit dhe integrimet euroatlantike do të bëhen të mundura. Sot këta njerëz janë pengë i të këqijave që kanë bërë vazhdimisht Thaçi, nga kjo situatë ku gjendet shteti dhe vendi në këtë moment nuk ka se si të jetë më keq. Tani për tani Hashim Thaçi gjendet në një anije që ngadalë po fundoset, duke e mbajtur etiketimin nga i gjithë populli e një njeri që i ka sjellë vendit shumë dhimbje, shumë dështime, shumë izolim dhe aftësia e tij e vetëm është mashtrimi dhe pazaret pas skenave”, tha Liridonë Bislimi për “Kosova Sot”.

Kushtetuta e bllokon aventurën presidenciale
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, mendon se kjo lojë e radhës e Hashim Thaçit që në fillim është e dështuar, sepse Kushtetuta fare mirë e qartë e ka të përcaktuar mënyrën e miratimit final të marrëveshjeve ndërkombëtare, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për çështje territoriale. “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pavarësisht dobësive dhe të metave të mëdha që i ka, ka disa çështje që i ka rregulluar qartë dhe prerë. Në nenin 18 të Kushtetutës qëndron saktë dhe ky formulim nuk mund të ndryshohet as të keqinterpretohet: Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për çështjet: (…) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, (…), sikundër anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, detyrimet financiare etj…”. Ndërsa në paragrafin 2 të këtij neni qëndron: “Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1 ratifikohen pas nënshkrimit nga presidenti i Republikës së Kosovës”. E në pikën 1 të paragrafit 1 të nenit 18 qëndron: “territorit, paqes, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake” i takojnë kryesisht Kuvendit. Kjo tregon se çështjet si: e territorit, e paqes, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, assesi nuk duhet të nënshkruhen nga presidenti, pa i ratifikuar të njëjtat Parlamenti. Pra, ky nen e ndalon në mënyrë taksative presidentin të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare nga neni 18, paragrafi 1, pika 1. Pra, është çështje e Kuvendit”, shpjegoi ai. “Tani nuk mund të thuhet se presidenti nuk e ka ditur ose nuk ka qenë i njoftuar nga Presidenca dhe këshilltarët për punën dhe kompetencat e tij si president. Këtej duhet thënë se edhe vazhdimi i mandatit të EULEX-it nuk është çështje e presidentit, por e Kuvendit, sikur tërë çështjet nga neni 18, paragrafi 1, pika 1, që janë çështje kryesisht të Qeverisë dhe të Kuvendit. Me Kushtetutë i ndalohen rreptësisht presidentit kompetencat në fushën e territorit, të paqes, të aleancave, të çështjeve politike dhe ushtarake. Ato janë çështje të Qeverise dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo dihet ligjërisht”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Neutralizimi i EULEX-it
Analisti Ragip Guraziu mendon se është një projekt i rrezikshëm i Hashim Thaçit, i cili po mundohet edhe qëllimisht të bllokojë Gjykatën Speciale, se është në dijeni se nga kjo Gjykatë do t’i vjen e zeza mbi kokë.”Kështu po vepron tani duke i sjellë në pikëpyetje edhe mbi 100 njohje që i janë bërë Kosovës në 10 vitet e fundit. Këtë synim të kahershëm të presidentit Hashim Thaçi, që pas dështimit që pati dhjetorin e vitit të kaluar, që me ligj të paralizojë Gjykatën Speciale, tani këtë po e synon ta bëjë përmes kërkesës që ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese, lidhur me interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës, i cili flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Fare mirë e ka diktuar dhe analizuar profesionalisht këtë taktikë edhe ishkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili thotë se synimi i parë i presidentit është paralizimi i Gjykatës Speciale, se në rast se Kushtetuesja do të konstatonte se vazhdimi i mandatit të misionit të BE-së është dashur të miratohet nga Kuvendi, atëherë puna e EULEX-it si i autorizuar nga Gjykata Speciale për t’i kryer arrestimet e mundshme në Kosovë do të ishte e paefektshme. Kjo pasi marrëveshja do të kërkonte 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Pra, me të drejtë konstatohet se qëllim parësor i Hashim Thaçit është që ta çojë në pauzë të gjatë veprimin e Gjykatës Speciale, për shkak se në rast se Gjykata do të thoshte që ajo marrëveshje duhet të shkojë në ratifikim dhe ratifikimi kërkon 2/3 (të votave), atëherë ajo nuk do t’i fitonte ato vota dhe për pasojë veprimet në territorin e Kosovës, sa i përket Gjykatës Speciale, autoriteti implementues i së cilës është misioni i EULEX-it, që do të ishte i paefektshëm”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Qytetarët e kuptojnë frikën e presidentit
Të pyetur rreth kësaj situatë të re, qytetarët e shohin me shumë shqetësim faktin e bërë publik se si po synon presidenti Hashim Thaçi që pas dështimit që pati dhjetorin e vitit të kaluar, që të paralizojë Gjykatën Speciale me ndërhyrje në ligj, përmes kërkesës që ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese, lidhur me interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës, i cili flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Një gjë e tillë sipas qytetarëve nuk do të duhej lejuar dhe mundësuar nga Gjykata Kushtetuese, nëse ajo do të ketë së paku minimumin e vendimmarrjes dhe interpretimit profesional e të pavarur.

Qytetari Islam Visoka tha për “Kosova Sot” se kjo tentativë e Hashim Thaçit lë të kuptohet dhe dyshohet e ai tanimë i ka të gjitha informacionet se do të jetë objekt i ndjekjes nga Gjykata Speciale, prandaj provon ta bëjë këtë ndërhyrje në Kushtetutë përmes kërkesës për interpretim nga Gjykata Kushtetuese. “Me siguri se ky po bën përpjekje dhe do të ndërmarrë e ta përdorë çdo veprim për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, sepse ai tani edhe mund të dijë që do jetë njëri prej atyre që është objekt trajtimi në pritje prej Gjykatës Speciale. Tanimë ky do të provojë që të ndërmarrë në vazhdimësi çdo potez të mundshëm, sikur që është duke kërkuar tani këtë interpretimin nga Gjykata Kushtetuese, sepse me sa duket ka kaluar në një fazë ekstreme dhe ka probleme edhe me vetë subjektin e tij politik, kryetar i të cilit ishte para se të zgjidhje president, sepse tanimë shihet qartë që ka probleme edhe me kryeparlamentarin edhe me kryeministrin, ku po vërehet që kanë diferenca të mëdha në qëndrimet dhe deklaratat e tyre, prandaj ky tani mbështetjen dhe shpëtimin po provon ta gjej duke e dyshuar disa nene të Kushtetutës, përmes një interpretimi të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, duke i dhënë vetes të drejtë që të arrijë marrëveshje dhe të njëjtat t’i vendosë pa e pasur miratimin dhe legjitimimin nga ana e Parlamentit të Kosovës. Kjo situatë dhe këto veprime sipas mendimit tim i ngjajnë tani një të sëmuri psikik, i cili e ka humbur kontrollin dhe është nën presion të madh dhe me frikë, diçka që dita-ditës po vërehet edhe nga sjelljet, edhe nga pamja e tij në paraqitjet publike, por edhe nga qëndrimi i tij, sepse ky më së miri mundë t’i dijë veprimet e tija të së kaluarës dhe tani është në gjendje të bëjë çdo gjë vetëm e vetëm për të mos lëvizur nga vendi, nga pushteti që ia siguron pak a shuam një lloj imuniteti”, theksoi Visoka për “Kosova Sot”.

Ndërsa Ismail Hamiti tha për “Kosova Sot” se nëse bëhet kalimi eventual i kompetencave që i ka kërkuar Hashim Thaçi në autoritetin e presidentit, ato mund të keqpërdoren, prandaj Gjykata Kushtetuese duhet të jetë tepër e kujdesshme dhe të vendosë më përgjigjen e saj konform gjendjes aktuale që e ka përcaktuar miratimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Parlament me dy të tretat e votave të deputetëve. “Qëllimi për të marrë akoma më shumë kompetenca të vendosjes nga interpretimi në favorin e tij nga Gjykata Kushtetuese, është qëllimi i tij i ditur, për të forcuar akoma më shumë vendim marrjen e kryetarit të shtetit, kështu që në këtë rast ai do të kishte më shumë mundësi dhe kompetenca edhe për të vendosur rreth bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjeve në këto bisedime. Nëse do të pyetem unë si qytetar, unë mendoj që Gjykata Kushtetuese nuk duhet të vendosë në favor të kërkesës së presidentit, sepse ai mund t’i keqpërdorë këto kompetenca shtesë për qëllimet e tija personale, prandaj duhet të mbetet me çdo kusht versioni i tanishëm që është përcaktuar strikt me Kushtetutë, që të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të kalojnë në Parlament dhe ta marrin votën e deputetëve të zgjedhur nga populli”, vlerësoi Hamiti. Sipas tij, nuk guxon të ndodhë, asnjë devijim nga praktika e deritanishme e vendosjes për marrëveshjet ndërkombëtare e që gjithmonë deri më tani janë votuar nga Kuvendi i Kosovës.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.