Kushtetuesja mund ta prishë LDK-në me presidenten
Një interpretim i Gjykatës Kushtetuese që nuk do t’i shkonte në favor Lidhjes Demokratike të Kosovës, shumë lehtë mund ta kthejë gjendjen që ishte krijuar pas aktgjykimit për mandatin e presidentes, Atifete Jahjaga. Partia e Mustafës, në shenjë indinjate që presidentja ka kërkuar shpjegim prej kushtetueses se kush e gëzon të drejtën juridike për t’u mandatuar për kryeministër, Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj, do t’i drejtohet asaj në emër, por jo edhe si presidente.
Kështu ka vepruar para dy vjetësh kur Gykata Kushteteuse, ia këputi shpresat Mustafës se mandati i presidentes mund të ndërpritej para kohe, ashtu siç ishte marr vesh ai me Thaçin dhe Behgjet Pacollin. Drejtuesit e LDK-së, pavarësisht nga ajo që kishte thënë Gjykata, kërkuan prej presidentes të ofrojë dorëheqje. E kur kjo nuk ngjau, ata filluan ta thërrasin vetëm në emër, por jo edhe si presidente. Bile, inatin e mbajtën edhe në Kuvendin e Kosovës.
Derisa presidentja Jahjaga po donte të mbante fjalimin vjetor siç e ka të përcaktuar me kushtetutë, grupi i parlamentarëve të LDK-së, e lëshoi seancën. Por, presidentja vazhdoi fjalimin, siç po e vazhdon edhe sot e kësaj dite mandatin. E LDK-ja, u zmbraps nga qëndrimi dhe filloi ta njohë atë si presidente. Tash, kur ajo ka kërkuar qartësi rreth krijimit të qeverisë së re, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e ka kritikuar veprimin e saj…(Tribuna).


