Hidromorava

Kushtet e anëtarësimit

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Anëtarësimi i Kosovës në BERZH ka edhe kushte. Deri më 17 dhjetor Kosova duhet ta paguajë kuotën e anëtarësisë prej 1.05 milionë eurosh dhe ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës. Në të kundërtën, nuk do të mund ta sigurojë ulësen e rezervuar.

Deri më 17 dhjetor të këtij viti, Qeveria e Kosovës është e obliguar që t’ia paguajë kuotën e anëtarësisë prej 1.05 milionë eurosh Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo pagesë dhe ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës janë kushtet kryesore për anëtarësimin e plotë.

Zyrtarisht të premten e kaluar Kosova është bërë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Bordi i Guvernatorëve të kësaj banke ka miratuar rezolutën për anëtarësimin e Kosovës me shumicë votash.

Por, sikur në çdo organizatë tjetër të rëndësishme, edhe BERZH ka kushte specifike për anëtarët e saj.

Pas miratimit të rezolutës nga Bordi i Guvernatorëve në harmoni me rezolutën dhe me aktin e themelimit të BERZH-it, procedurat e brendshme për shtetet e reja anëtare përfshijnë disa hapa.

Këshilltari për media në Ministrinë e Financave, Menderes Ibra, thotë se fillimisht marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, ku kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve.

“Gjithashtu duhet të dërgohen edhe shkresat zyrtare përkatëse nga Ministria e Punëve

të Jashtme, Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë”, thotë Ibra.

Por, kushti më i rëndësishëm është pagesa për kuotën e anëtarësisë.

“Duhet që të bëhet edhe pagesa e pjesës se aksioneve (quota share), e cila është 1.05 milionë euro”, ka thënë Ibra. Qeveria tashmë ka miratuar vendimin që nga rezervat shtetërore të ndajë mjetet e nevojshme për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sipas Ibres, obligimet e Kosovës karshi BERZH-it do të jenë sikurse të çdo anëtari tjetër dhe se ato bazohen në dokumentet themelore të këtij institucioni.

17shkurt

Njohësit e ekonomisë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë e vlerësojnë si mundësi reale të institucioneve, por edhe bizneseve të mëdha private që të përfitojnë kredi me kamata shumë të ulëta. Por, kjo do të varet në masë të madhe nga institucionet dhe bizneset private se sa ato do të jenë të përgatitura që të bindin një investues serioz, siç është BERZH-i, për të investuar projekte kapitale.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi vlerëson se përfitimet e vendit do të jenë aq sa do të jetë e gatshme Kosova t’i shfrytëzojë ato.

“Duke ditur për format lehtësuese dhe mjaft përfituese të financimit që i bën BERZH-i, Kosova vetëm duhet të përgatitet në aspektin e projekteve dhe ofertës”, thekson Rexhepi.

Sipas tij, Kosova duhet të përgatisë oferta të tilla në mënyrë që mundësia e financimit të jetë më reale.

Përveç kësaj, Rexhepi thotë se Qeveria duhet të ndryshojë konceptin nga donacionet dhe të orientohet nga koncepti komercial me kusht që nuk e rrezikon në afat të gjatë stabilitetin makrofiskal të vendit. Ai pohon se anëtarësimi në BERZH, përveç të mirave financiare, përcjell edhe nj mesazh tjetër, pasi mund të merret si një dëshmi për një disponim të mirë të Evropës në raport me Kosovën në të gjitha aspektet.

Nga ana tjetër, në Ministrinë e Financave thonë se përgatitja e projekteve do të jetë në linjë me dokumentet strategjike zhvillimore të vendit.

“Duke ditur potencialin e lartë vjetor investiv të bankës, por po ashtu edhe procedurat dhe

kriteret e saj, ne do të adresojmë nevojat tona në zhvillimin e sektorëve prioritar

të ekonomisë duke përfshirë sektorin privat dhe atë publik”, ka thënë Ibra.

Ndryshe, çështja e anëtarësimit të Kosovës në BERZH qe një kohë të gjatë ishte afër, mirëpo problem ka qenë arritja e numrit të mjaftueshëm të vendeve që do të votonin pro anëtarësimit. Kriteret kryesore për anëtarësim në BERZH kanë qenë që shteti kandidat të jetë anëtar i Bankës Botërore dhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar si dhe të sigurojë 2/3 e votave të shteteve anëtare (63 shtete) dhe 3/4 e fuqisë votuese (75 për qind të fuqisë së votës) të këtyre shteteve.(express)