RCCOLA

Kushërinjtë e mirë të Vetëvendosjes

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Pse kushërinjtë dhe farefisi i zyrtarëve të PDK’së, LDK’së e AAK’së qenkan të këqij, kurse këta kushërinjtë e Vetëvendosjes e të Listës Guxo që po punësohen nëpër institucione qenkan më të mirët, më të dijshmit, më profesionistët? Si u bë që të njëjtët kushërinj që gjatë fushatës bënin veç për dasma e gazmende, tash po bëkan edhe për institucione?

Me heqjen e kufizimeve për organizimin e dasmave, qeveria e Albin Kurtit duket se ka hequr edhe “kufizimet” për punësime të kushërinjve e të farefisit të zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe të Listës Guxo nëpër institucione.

Pak muaj më parë, në fushatë zgjedhore, Albin Kurti kishte fjalë të tjera sa i përket punësimve dhe emërimeve partiake e familjare nëpër institucione. “Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pasë njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bëhet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor, apo edhe në komunë nesër, pasnesër, duhet me u bë veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë ai.

Por, pak muaj në qeverisje treguan se këto fjalë mbeten veç premtime fushate, sepse realiteti po shfaqet ndryshe. Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet t’i paraqesë si raste të izoluara dhe t’i arsyetojë me të qenit profesionistë, por punësimet e familjarëve dhe farefisit nëpër institucione janë shenjë e qartë se as kjo qeveri nuk i ka shpëtuar virusit të të gjitha qeverive të deritashme.

Cilat kanë qenë disa nga arsyet kryesore pse njerëzit e kanë votuar Albin Kurtin e Vetëvendosjen, por edhe Vjosa Osmanin? Premtimi për luftën kundër korrupsionit e nepotizimit, premtimi për barazi në të gjitha fushat. Njerëzit i kanë votuar këta të dy për t’i ndëshkuar ata që kanë qenë në pushtet para këtyre, ata që kanë kultivuar korrupsionin e nepotizimin, ata që kanë kultivuar pabarazinë. Pra, njerëzit kanë shpresuar se në qeverinë e re nuk do të ndodhin të tilla fenomene, për të cilat janë ndëshkuar të mëparshmit. Por, çfarë po ndodh? Hiç me pak se motra ministrash dhe vëllezër e kushërinj deputetësh po rehatohen nëpër ministri, ndërkohë që dhjetëra tenderë njëburimorë po shpërndahen gjithandej. Gjithë kjo situatë po përcillet me arrogancë e mospërfillje, madje deri në kufijtë e fyerjes së inteligjencës. Ta zëmë, ministri thotë se nuk ka kurrfarë informate se motra i është caktuar në një bord të rëndësishëm. Ngjashëm shprehen edhe zyrtarë të tjerë. Ose, kur ndonjëri merr mundin të sqarojë punësimet partiake e familjare, atëherë arsyetohet se ata qenkan më të mirët, më të përgatiturit, më profesionistët. Si po qëllojnë pikërisht këta kushërinj e farefis më të mençurit nga të gjithë të tjerët?

Fundamenti

* * *

Arsyetime të ngjashme si të Vetëvendosjes për punësimet partiake kishin edhe partitë tjera që ishin në pushtet. Ta zëmë, kur Ramush Haradinajt i punësoheshin të afërm në institucione e kompani publike, edhe ai përpiqej të arsyetohej se ata ishin profesionistë. Njësoj ndodhte edhe në kohën e Hashim Thaçit e të Isa Mustafës.

Pse qenkan ndryshe punësimet që po ndodhin tash, krahasuar me ato të mëparshmet? Pse atëherë Vetëvendosja i kritikonte me të drejtë ashpër këto fenomene, ndërkaq tash përpiqet t’i arsyetojë? Pse kushërinjtë dhe farefisi i zyrtarëve të PDK’së, LDK’së e AAK’së qenkan të këqij, kurse këta kushërinjtë e Vetëvendosjes e të Listës Guxo qenkan të mirë, më të mirët, më të dijshmit, më profesionistët? Pse të njëjtët kushërinj që gjatë fushatës bënin veç për dasma, tash po bëkan edhe për institucione? Si u bë që përnjëherë të harrohen premtimet e fushatës dhe tash ky fenomen të provohet që të shndërrohet në diçka normale, krejtësisht normale, thua se nuk premtohej “qeveri e ndryshimit” e “qeverisje ndryshe”?

Arsyetimi më banal që kam dëgjuar deri tash është se numri i punësimeve partiake e familjare tash është shumë i vogël, krahasuar me çfarë kanë bërë partitë tjera në të kaluarën. Po, kjo është e vërtetë. Por, a nuk janë ndëshkuar ata pikërisht për këtë qasje, pikërisht për këtë kapje institucionesh e kompanish publike nëpërmjet kushërinjve e farefisit? A nuk e kanë marrë ata ndëshkimin pikërisht pse qytetarët janë irrituar nga veprime të tilla të pista? Mjafton qoftë edhe një punësim familjarësh e farefisi për ta vënë në shënjestër të kritikave qeverinë e Albin Kurtit, sepse është vetë ai që e ka denoncuar e kritikuar këtë qasje. Është pikërisht Kurti ai që ka bërë thirrje të votohet për të, sepse nuk do të veprojë sikurse të tjerët. Është pikërisht Kurti ai që ka treguar se kushërinjtë e farefisi janë për dasma e gazmende, e jo për ministri. Është Kurti ai që ka thënë se nuk ka dasma nëpër ministri. Ndërkohë, sezoni veç sa ka filluar.