Uji Dea

Kush po bllokon?

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Dy partitë më të mëdha në Kosovë kanë vazhduar t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës për bllokimin e reformës zgjedhore. Zyrtarët e PDK’së kanë deklaruar se reforma është bllokuar në LDK. Por, në Partinë e Isa Mustafës thonë se procesi duhet të vazhdojë.

PDK dhe LDK kanë vazhduar ta fajësojnë njëra-tjetrën për bllokim të reformës zgjedhore dhe Kushtetuese.

Kryetari i Komisionit për ndryshime kushtetuese, Arsim Bajrami ka thënë se mosvotimi i amendamenteve që e ndryshojnë aktin më të lartë të shtetit bllokon reformën e nisur para më shumë se një viti.

Por, zyrtarët e LDK’së janë deklaruar para një jave nëpërmjet një deklarate për media se nuk i bllokojnë ndryshimet ligjore dhe kushtetuese sa i përket reformës zgjedhore.

Por, kanë thënë se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me kompetencat për Presidentin pa u larguar Atifete Jahjaga.

Pavarësisht kësaj, Arsim Bajrami ka deklaruar se LDK është fajtore për bllokimin e reformës dhe ndryshimeve të nevojshme në dokumentet më të larta të shtetit.

“ Nëse nuk ka vullnet të ndërrohet Kushtetuta, dhe këtu kemi bllokimin nga LDK-ja, e cila ka kërkesat e veta dhe kjo kërkon domosdoshmërisht daljen nga kjo situatë, së paku një konsensus për reformën zgjedhore që vendi të shkojë me një kornizë të re zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme, por edhe implementimi i plotë i amendamenteve kushtetuese, në mënyrë që cilido president i ardhshëm të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, tha Bajrami për Radio Kosovën.

Uji Dea

Ndërkohë, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri ka deklaruar se problemi i zonave zgjedhore, listave dhe anëtarëve të KQZ’së duhet të zgjidhet.

Ai ka kërkuar që reforma të ecë përpara.

“Këto janë kategori kushtetuese dhe këtu nuk kemi pas qëndrime të qarta, prandaj ne nuk jemi bllokuesit, jemi të interesuar që të ecë reforma”, ka thënë Beqiri.

Edhe ky zyrtar i LDK’së ka konfirmuar se Partia e Isa Mustafës nuk e kushtëzon më reformën zgjedhore me zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit të kaluar e arritur mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së.

Ai ka thënë kërkesa e LDK’së për zbatimin e plotë mbetet në fuqi.

“Po e përsëris se LDK nuk ka hequr dorë nga kërkesa për tu zbatuar marrëveshja edhe rezoluta. Mund të spekulon kushdo, por çdo gjë që thuhet jashtë kësaj është gënjeshtër dhe nuk jemi bllokuesit e reformës zgjedhore dhe jemi për të ecur tutje”, tha Beqiri.

Reforma në sistemin zgjedhor është kërkesë e vazhdueshme e BE-së, me qëllim që Kosova të ketë një sistem më të thjeshtë dhe më transparent të zgjedhjeve në Kosovë.(express)