Eko Higjiena

Kush janë terroristët e veriperëndimit afrikan

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Ata e kontrollojnë veriun e Malit, i rrëmbejnë turistët dhe punëtorët perëndimorë në shkretëtirën e Algjerisë jugore, dhe kanë raporte të mira me Al-Qaeda’n e Lindjes së Mesme. Por, cilët janë pjesëtarët tipikë të organizatave terroriste që veprojnë në veriperëndim të Afrikës?

Pjesë e pashmangshme e pajisjeve të tyre është telefoni satelitor. Për shkak se, për dallim nga celulari i zakonshëm i rrjetit GSM, telefoni satelitor ka sinjal çdo kund. E kjo gjë ka rëndësi të madhe, sepse mundëson që komunikimi të funksionojë pa problem në hapësirat e pafundme të Saharës.

Komunikimi i garantuar

Veç telefonit, në pajisjen bazike të një terroristi sahelit natyrisht se bënë pjesë edhe armatimi. Për shembull, një minahedhës anti-tank, me të cilin nga krahu i tij ai mund të shkrepë lehtësisht një minë drejt ndonjë kamioni, helikopteri apo objekti tjetër “të armikut”.

Por, prej nga vijnë paratë për këto pajisje?

Nga kontrabandistët e drogës nga Amerika Jugore, e cila pastaj nëpërmjet Afrikës transportohet drejt Europës. Por, edhe nga rrëmbimi i turistëve dhe punëtorëve perëndimorë që punojnë nëpër vend-punishte të ndryshme në Afrikë. Në këtë mënyrë terroristët përfitojnë miliona euro.

Udhëheqës me diploma universitare

Në veriperëndim të Afrikës në veçanti dallohen tri organizata terroriste: Al-Qaeda e Magrebit Islamik, Ansar Dine (që do të thotë Mbrojtësit e Fesë) dhe Mujao (Lëvizja për Bashkim dhe për Luftë të Shenjtë).

Pas rrënimit të regjimit të Muamar Gaddafit, Libia mbeti pa “zot shtëpie”, njësoj siç mbetën edhe shumë ushtarë luftëtarë dhe sasi të mëdha armatimi. Veriu i Malit ndërkohë u shndërrua në zonën kryesore të fshehjes së të vetëquajturve “luftëtarë të shenjtë”. Vakuumi në pushtetin e atjeshëm, që në Mali u shfaq si rezultat i puçit ushtarak, u shkoi shumë për shtati terroristëve të Afrikës veriperëndimore. Për më tepër qeveria në Mali as sot e kësaj dite nuk ka ndonjë ide se si t’i kundërvihet këtij trendi.

Armatim për çdo nevojë

Hidromorava

Mathieu Guidère është profesor i Shkencave Islamike, në Universitetin e Toulouse (Francë). Ai aktualisht po hulumton se përse njerëzit bëhen radikalë. Guidère thotë se mund të dallojmë dy kategori njerëzish të tillë. “Fillimisht, i kemi udhëheqësit. Ata janë njerëz të arsimuar mirë, shpeshherë posedojnë edhe diploma universitare. Veç kësaj, ata janë jashtë mase të politizuar, ndërkohë që dhunën e konsiderojnë mjet të përshtatshëm për realizimin e qëllimeve të tyre. Në mesin e udhëheqësve ka shumë edhe nga ata që studiuan shkencat natyrore, ose makinerinë. Ndërsa, pothuajse mungojnë plotësisht njerëzit që kanë studiuar letërsi apo sociologji. Sigurisht që ata në asnjë mënyrë nuk mund të cilësohen si dështakë, për shkak se shumë prej tyre ishin mjaft të suksesshëm në jetë, para se të bëheshin terroristë”, sqaron Guidère.

Por, përkundër kësaj, duket se për ta më sfidues ishte shansi për të pasur një rol të rëndësishëm në terrorizëm sesa një karrierë e qetë. Vlerësohet se vetëm në Mauritani, Mali, Niger dhe Algjeri veprojnë diku mes 20 dhe 40 udhëheqës të tillë. Nën kontrollin e plotë të tyre janë afro 1,000 luftëtarë.

Kundër gjithçkaje perëndimore

Këta luftëtarë nuk i përkasin elitës, nuk kanë studiuar, edhe pse shumë shpesh del që kanë kryer ndonjë lloj shkollimi. Pra, nuk janë analfabetë. Dëshpërimi i tyre vjen si pasojë e papunësisë, gjë kjo që pastaj i shtynë drejt shndërrimit në islamistë të dhunshëm, gjegjësisht në pasues të udhëheqësve të lartpërmendur.

“Asnjë nga këto grupe nuk e pranojnë faktin që feja dhe politika duhet të jenë të ndara. Sepse ato, varësisht nga nevoja, e përdorin herë njërën e herë tjetrën. Nëpërmjet argumenteve radikale fetare synojnë të arrijnë një fuqi politike. Nga ana tjetër, e shfrytëzojnë ndikimin që kanë edhe për të përhapur ideologjinë e tyre shpirtërore”,thekson profesori Guidère.

Dy ‘gjynahe’ përnjëherë

Në praktikë, kjo nënkupton se terroristët me kallashnikovë në duar mund edhe t’ia presin dorën ndonjë krimineli të imët, të ndalojnë konsumimin e duhanit, alkoolit dhe dëgjimin e pop-muzikës perëndimore, ndërkohë që femrave t’ua ndalojnë shfaqjen në vende publike pa mbulesën myslimane në kokë ose trup. Kjo gjë sot po ndodhë edhe më shumë qytete të Malit qendror dhe verior.

Tash për tash askund në horizont nuk duket ndonjë zgjidhje e thjeshtë e problemit me këta islamistë. Popullata civile në këtë pjesë të Afrikës vuan nga mungesa kronike e mjeteve financiare.

Qeveria e Malit vazhdon të mos e lejojë përfshirjen ushtarake të vendeve fqinje, ndërkohë që interesimi i politikës evropiane për problemet e Afrikës veriperëndimore me terrorizimin është tejet i ulët. /DW/