Hidromorava

Kush ishte tifozi i “çmendur” në hendbollin Gjilanas?

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Shumë sporte janë krijuar për publikun e rregullt dhe për tifozëri të çmendur. Ashtu si çdo sport tjetër edhe pse hendbolli në krahasim me futbollin nuk ka aq fansa të mëdhenj, por i shpikur për tu argëtuar dhe bashkuar njerëzit ku sytë e publikut drejtohen drejt idhujve të tyre në Palestra kudo që luajnë. Diferencën nuk e bëjnë vetëm hendbollistët në Palestra, por diferenca krijohet tek tifozët të cilët ata mundet ti ndaj vetëm vdekja nga klubi dhe idhujt e tyre.

Hendbolli në Gjilan, ka një traditë 60 vjeçare me emra të mëdhenj të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në analet e hendbollit Gjilanas. Gjatë këtyre viteve tifozëria nuk kishte banderola, koreografi por kishte emocione, kishte atmosferë magjike e momente drithëruese.

Skuadra e hendbollit Bozhur luante rol kyç në hendbollin e Kosovës, ndërsa ishte edhe në Ligën e dytë të hendbollit të Jugosllavisë. Ndeshjet në fillim zhvilloheshin tek stadiumi i qytetit, e më vonë ndeshjet zhvilloheshin në fushën afër Kombinatit të Duhanit ndërsa fusha ishte prej cimenti.

Në çdo ndeshje këto fusha ishin të stërmbushura nga shikuesit e shumtë, por nga të gjithë dallohej vetëm një e ky është i papërsëritshmi Doda.
Doda ishte një xhevahir tek skuadra e Bozhurit, ai ishte “nëna dhe baba” i këtij klubi, ai ishte zemra e klubit, ai dinte kur duhet inkurajuar hendbollistët, ai bënte sa 1000 shikues.

Kush ishte Doda tifozi i “çmendur” i hendbollit Gjilanas?. Shumë gjenerata kur bisedohet për hendboll është e pamundur të mos përmendet emri i tifozit Doda, e ky ishte Mehmet Mustafa i cili ishte i njohur jo vetëm në Kosovë por në tërë ish-Jugosllavinë.

Doda siç njihej në tërë qytetin e Gjilanit e më gjerë, ka qenë më tepër se një trajner, hendbollist apo udhëheqës i skuadrës, Doda ishte bukuria e tifozëris, kur ai gjatë ndeshjes brohoriste askush nuk rrinte indiferent edhe hendbollistët kërkonin me mimikat e tyre që Doda ti inkurajon gjatë lojës, ai shumë herë ju thoshte hendbollistëve “Ju nuk jeni vetëm, unë jam këtu me ju”.

Mehmet Mustafa, ishte ekspertë për të ndezur atmosferë, ai asnjëherë gjatë jetës së tij nuk ka munguar në ndeshjet e skuadrës së tij të zemrës Bozhur. Ai gjithmonë ishte edhe në përgatitje të hendbollistëve në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë, atë e kërkonin vet hendbollistët ai ishte inspirimi i tyre, zemra e tyre.

Në momente të caktuara kur skuadra nuk gjendej mirë në fushë gjatë lojës, Doda nga shkallët e cimentos i sugjeronte hendbollistët se cilat veprime t`i merrnin.

Kënaqësi e veçantë e Dodës ishte kur mjeshtri i shtatëqeve dhe i papërsëritshmi, Dergut Abdullahu-DUGI, kur i ekzekutonte shtatqet ai gjithmonë thirrte “Qite në gjumë portierin”.

Mobi Casa

Doda ishte shumë i afërt me hendbollistët, për të hendbollistët e Bozhurit ishin fëmijët e tijë, me rastin e vdekjes së hendbollistit më të talentuar në Kosovë e më gjerë, Muharrem Gashi, Doda ishte i pikëlluar dhe shpesh thoshte “Më ka shkuar një anëtarë i familjes”.

Mehmet Mustafa – Doda, la gjurmë të papërsëritshme në analet e tifozërisë, ai ishte i lindur për ta bërë një gjë të tillë.

Doda jetojë një jetë me dashuri për klubin e Bozhurit, ai asnjëherë skuadrës së tij nuk i vendosi kushte, ai ja dha zemrën hendbollistëve të Bozhurit.
Për Mehmet Mustafën-Doda, Bozhuri ishte shtëpia e tij e dytë, shumë skuadra nga mbarë ish-Jugosllavia kërkonin të takoheshin me tifozin Doda.

Mehmet Mustafa -Doda, e donte Kosovën e popullin e tij, më shumë se gjithçka në jetë ai ishte sportist i gjithanshëm, ai simpatizonte për Partizanin e Beogradit, pasiqë sipas tij ishte i vetmi klub që ju jepte rastin futbollistve të sektit mysliman, siç ishin: Vilson Gjoni, Fahrudin Jusufi, Luan Prekazi, Xhevat Prekazi e më vonë Fadil Vokrri, Isa Sadriu e Kujtim Shala.

Kishte shumë simpati të madhe për skuadrën e Gjermanisë, Schalke’04, e donte këtë skuadër pasiqë kishte tifozëri të zjarrtë.

Mehmet Mustafa – Doda, ishte një qytetar i ndershëm dhe i vjetër kishte prejardhjen nga Novobërda, vdiq në vitin 1985 si 51 vjeqarë.

Ndërsa sot me shumë admirim hendbollistët e gjeneratave të ndryshme e kujton me respekt tejet të madh.

Mehmet Mustafa-Doda ishte tifozi i parë i zjarrtë që bënte për vete shikuesit në hendbollin e Gjilanit./rajonipress/