RCCOLA

Kush i kërkoi haraç kompanisë shqiptare me seli në Zvicër. Çka thotë pronari e cila është përgjigja e zyrtarëve komunal?

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Musab Uruglica nga kompania “X Pec” me seli në Zvicër po akuzon zyrtarët komunal të Gjilanit që e heshtën rastin e tij kur i është kërkuar haraç nga bashkëpunëtorët e kryetarit të komunës. Madje vet Uruglica thotë se e ka iniciuar rastin në polici dhe prokurori. Por Kushtrim Zeqiri jep një variant krejt tjetër rreth akuzave të Uruglicës. Pretendimet se ne kemi qenë të informuar për kërcënime të ndryshme nga një palë tjetër ndaj organizatorëve, organizatori ka qenë dashtë t’i lajmëroj në organe kompetente siç është Policia e Kosovës, pra duhet kuptuar drejtë roli dhe veprimtaria e një drejtorie siç është Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka sqaruar Kushtrim Zeqiri.

Musab Uruglica ka shprehur revoltën e tij për një ndodhi siç thotë të pakëndshme me Komunën e Gjilanit. Uruglica ishte njëri nga përkrahësit e festivalit “Gjilani – Deep – Tech” që duhej të mbahej në korrik të vitit 2022 në Pograxhë.

“Kisha dëshirë që nga ky festival të përfitonte Gjilani dhe rinia jonë dhe kisha shumë të ftuar. Por në vend se të më përkrahnin dhe ndihmonin në mbarëvajtjen e Festivalit nga njerëzit e Alban Hysenit dhe të Kushtrim Zeqirit filloi shantazhi dhe kërkesa të ndryshme për haraç” shprehet Uurglica.

Uuruglica thotë se ndoshta Alban Hyseni s’është i përfshirë në këtë ngjarje, por ai e ka ditur krejt situatën dhe nuk ka reaguar fare. “Kushtrim Zeqiri është i involvuar në kërcënim dhe ka qenë dëshmitarë kur nga unë janë kërkuar të holla. Rastin do ta dërgoj deri në fund sepse Kushtrimi më tha ish kanën mirë me i nda nga 5 euro për policë që do ta mbajnë rendin dhe sigurinë. Jam betuar se nuk jap asnjë cent për gjëra të tilla” tha Uruglica për rajonipress.

Uruglica thotë se me këshillin e fshatit Pograxhë ka pasur telashe sepse ata edhe janë burimi i krejt problemit. “Kam angazhuar edhe avokat, po si duket gjërat po shkojnë ngadalë për shkak të ndërhyrjeve të shumta. Nëse është e nevojshme unë do të angazhoj avokat edhe nga Zvicra vetëm që gjërat të dalin në binar” tha Uruglica.

Rajonipress i ka dërguar një pyetje për komentim Alban Hysenit i cili është përgjigjur shkurt. “Ju lutem shumë, nga tani e tutje, çdo pyetje rreth punës ose institucioneve, ta drejtoni ne emailin zyrtar. Pretendimet mund të jenë të shumta, por, e vërteta është vetëm një. Për të marr përgjigjën në pyetjen tuaj, na shkruani në emailin zyrtar” ishte përgjigja e Alban Hysenit.

Musab Uruglica edhe përmes një letre zyrtare e kishte njoftuar Alban Hysenin.

Letra:
Përshëndetje Zotri Hyseni

Me keqardhje ju njoftoj se çka ndodhi me datën 31.08.2022 në ora 11.11, jem falënderues që morët pjesë në atë takim, dhe me keqardhje nuk mundët të na ofronit garanci që mos të ketë ndonjë incident. Ne ju informuam se kemi pasur kërcënime dhe kërkim haraçit nga një person i Këshillit sigurimit të fshatit Pogragje, dhe pjesëtari i Këshilli Sigurimit të Fshatit nuk mundi të garantonte që nuk do të ketë ndonjë incident nen prezencën e juve dhe për at arsye ne si Organizator X-PEC me seli në Zvicër nuk deshëm të marrim përsëri në incidente të parapara. Ju i dini me emër dhe mbiemër se kush janë ata” ka shkruar Uruglica.

Fidanishtja

Ndërsa Kushtrim Zeqiri drejtor i kulturës në Gjilan e ka sqaruar terë ngjarjen për të cilën pretendon zoti Uruglica.

Reagimi i plotë i Kushtrim Zeqirit:

Në pika të shkurtra po ju njoftoj se i lartcekuri z.Uruglica, fillimisht ka qenë në zyrën time dhe ka shpalosur idenë për realizimin e një festivali të muzikës elektronike në Gjilan.

Parimisht unë u pajtova me idenë e tij dhe për më shumë informata dhe rrjedhën e festivalit e caktuam një takim edhe me Kryetarin e Komunës, ku edhe e shpalosi idenë para nesh dhe verbalisht ne u pajtuam që ta mbështesim në disa kërkesa të tij teknike, por jo edhe në organizim të brendshëm apo në linjën e organizimit artistik e as financiar.

Për këtë po ua bashkangjes edhe si dëshmi vërtetimin nga unë si Drejtor i D.K.R.S-së të datës 06.07.2022, për obligimet që ne i kemi marrë përsipër si komunë për mbarëvajtjen e festivalit që ia kam dërguar z.Uruglicës përmes e-mail-it.

Pra, festivali është anuluar një-anshëm nga organizatoret gjë që e vërteton mos-përfshirjen tonë në organizim të brendshëm dhe se çfarëdo pretendimi nga organizatori ndaj nesh si Komunë e Gjilanit, e demantoj fuqishëm sepse nuk përfshihemi në asgjë rreth anulimit që ka ndodhë, e që ne si zyrtar komunal ndihemi jashtëzakonisht të ofenduar nga këto pretendime edhe pse e ka pasur përkrahjen tonë të vazhdueshme.

Unë e kam udhëzuar organizatorin poashtu që përmes kërkesës t’i drejtohet Policisë së Kosovës, për lajmërimin e ngjarjes për të marrë siguri gjatë organizimit dhe se është nën kompetencë e Policisë që për palët kërkuese t’i zbatoj rregulloret e veta për honoraret e tyre për angazhim shtesë të pjesëtarëve.

Pretendimet se ne kemi qenë të informuar për kërcënime të ndryshme nga një palë tjetër ndaj organizatorëve, organizatori ka qenë dashtë t’i lajmëroj në organe kompetente siç është Policia e Kosovës, pra duhet kuptuar drejtë roli dhe veprimtaria e një drejtorie siç është Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përfundon reagimi i Kushtrim Zeqirit./rajonipress/