Fundamenti

Kush e themeloi qytetin e tre emrave ?

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Nga Nexhat Buzuku – Udhëpërshkruesi Todor Stankoviq thotë se qytetin e Gjilanit e ka themeluar Bahti – beg – Gjinolli, me 1750, ndërsa konsulli austriak në Shkodër, Han, mendon se qyteti është themeluar në vitin 1818. Ndërkaq, Shefqet Mehmetit, studiues i vjetërsisë së qytetit, dhe njohës i arkivës së administratës turke të kohës, thotë se themelues të qytetit të Gjilanit janë familja Novobëdaliu që zbriti nga qyteti mesjetar i Novobërdos në Gjilan. Sipas Mehmetit, familja Gjinolli ka jetuar në Vranjë. Mehmeti thotë se Bahti dhe Osman Begu nga familja e Gjinollëve figurojnë në Prishtinë me 1802, ndërsa prania e tyre në Gjilan figuron me 1831, që nënkupton pas themelimit të qytetit të Gjilanit.

Ai ka theksuar se Gjilani fillimisht ka ekzistuar si fshat, e me 1780 si qytet, me 200 shtëpi. Qyteti i Gjilanit që nga viti 1780 e këtej përmendet nga të gjithë udhëpërshkruesit e kohës që kalonin nëpër të .

Si u themelua qyteti i Gjilanit? Kush e themeloi atë? Familjet feudale të Gjinollëve apo Novobërdaliu? A jetonin këto dy familje në Novobërdë, apo njëra në Vranjë e tjetra në qytetin e Novobërdës dhe cilës i takon epiteti i themelimit të qytetit të Gjilanit, mbetet tema dilematike, problematike dhe spekulative që do të preket në këtë trajtesë socio-urbane dhe historike.

Pasi kishin humbur privilegjet dhe jeta ekonomike dhe urbane e qytetit të Novobërdës ishte pothuaj në shuarje, ndërsa shurja e jetës në qytetin e njohur mesjetar nis me 1686, kur qyteti qe dëmtuar nga austriakët, atëherë bejlerët e këtij qyteti u vunë në kërkim të një vendbanimi të ri, për ta ndërtuar e instaluar pushtetin e tyre administrativ.

Në historiografi përmendet Gjilani, qyteti që u themelua pas shuarjes së jetës urbane në Novobërdë. Mirëpo, edhe në këtë rrafsh janë ndërtuar supozime e hipoteza, sa logjike po aq edhe linguistike, pasi emri i qytetit të Gjilanit, etimologjia e tij, na del dy-tri burimore. Disa supozime çojnë në toponiminë turke të emrit të qytetit, hipotezat tjera na kthejnë te origjina shqipe e emrit, ndërsa ka edhe supozime jo fort të qëndrueshme mbi etimologjinë serbe të emrit. Literatura e përdorur me ketë rast dhe burime historike të shkruara dhe gojore, këto të fundit në formë rrëfimesh, rreth emrit të qytetit të Gjilanit, lëvizin midis supozimeve teorike dhe tezave afër së vërtetës që reflektojnë konkludime përafruese të etimologjisë shqipe të emrit të Gjilanit.

Mirëpo, as supozimet a hipotezat dhe as konkludimet logjike dhe as gjykimet kategorike nuk mjaftojnë për të ndërtuar një përfundim të qëndrueshëm dhe të saktë për etimologjinë e emrit të qytetit, aq sa është problematike dhe dilematike çështja e themelimit të qytetit në fjalë.

Megjithatë, udhëpërshkruesi Todor Stankoviq, thotë se qytetin e Gjilanit e ka themeluar Bahti – beg – Gjinolli, me 1750, ndërsa konsulli austriak në Shkodër, Han, mendon se qyteti është themeluar në vitin 1818. Qyteti i Gjilanit që nga viti 1780 e këtej përmendet nga të gjithë udhëpërshkruesit e kohës që kalonin nëpër të. Sabit Demiri, historian dhe gjurmues arkivash e letrash historike mbi emrin dhe themelimin e qytetit, thotë se me 1959 është zbuluar një dokument (shënim) që mund të shërbejë për përcaktimin e themelimit të Gjilanit.

Në Xhaninë e quajtur “Atik – Xhamia”, në kallotën e kupolës, në anën e brendshme qëndron i shënuar viti 1792, që dëfton për një të dhënë se xhamia u ndërtua në Gjilan, 12 vjet pas themelimit të qytetit. Të moshuarit, atë që kanë mbajtur në memorje nga rrëfimet e baballarëve apo gjyshërve të tyre tregojnë se vetëm minarja dhe kupola e xhamisë janë ndërtuar me 1792, ndërsa objekti i xhamisë është ndërtuar 20 vjet më herët, dhe sipas të dhënave në fjalë mendohet që Gjilani është themeluar me 1772.

Supozimet rrëshqasin te e dhëna se Atik – Xhamia ishte ndërtuar me nguti pas shuarjes së jetës urbane në Novobërdë, pasi në gjuhën turke atik do të thotë i shpejtë, i bujshëm.
Por cila është etimologjia e emrit të qytetit të Gjilanit, pasi kjo dëfton dhe çon në përfundimet mbi familjen që themeloi qytetin e Gjilanit. Shqiptarët, serbët dhe turqit e kanë quajtur qytetin me emrin që ka tingëlluar me kuptim në gjuhët e tyre. Shqiptarët e quajnë Gilan e Gjilan, e shpeshherë edhe Gjillan; serbët e quajnë Gilane – në literaturën e vjetër, e Gnjilane në literaturën e re dhe në të shkruar e në të folur, pra me një emërtim të unisuar, ngase A.Urosheviq etimologjinë e emrit të qytetit e shpjegon me fjalën Gnjillo, duke e bazuar këtë në vendbanimin moçalik të qytetit.

Ai këtë e arsyeton edhe me emrat e dy fshatrave – Gilane te Prizreni dhe Gilane afër Pirotit. Ndërsa Kosta N. Kostiq, emrin Gnjillo apo Gnjilane e lidhë me togfjalëshin Gjol – Han, që do të thotë han i liqenit, edhe pse këtu nuk ka pasur liqen, mirëpo termi popullor turk dhe në literaturën turke ky vendbanim urban mban emrin dhe quhet Gilan, e emra të ngjashëm ka në Iran dhe Siri, si Gejlan, Gjejlan etj. Në gjuhën turke fjala Gejlan domethënë Drenushë.

Uji Dea

Të gjitha këto argumente ende mbeten në rrafshin e supozimeve, siç do të mbeten edhe përpjekjet dhe supozimet e ndryshme parashkencore, më tepër brenda kontekstit të hipotezave logjike se qyteti i Gjilanit e ka marrë emrin nga themeluesit e tij – Gjinollët.

Në popull Gjinollët shpeshherë janë shqiptuar si gjillon, e që me anë të metatezës, tingujt N dhe Ll i kanë ndërruar vendet, që shpeshherë ndodhë në linguistikë, dhe nga goja e popullit në vend të shqiptimit të drejtë Gjinoll kuptohet e pranohet apo dëgjohet si gjillon.

Kjo e fundit është fjalë e përbërë turke që do të thotë :Cin (Gjin) dhe ogli (i biri) që në shqip do të thotë i biri i Gjinit. Nga disa burime historike thuhet se qytetin e Gjilanit e themeluan Gjinollët, pushtetmbajtës në Kosovën e asaj kohe, dhe ishin me prejardhje shqiptare. Ata në shekullin 18 morën ishin pushtetmbajtës në Kosovë, duke përfshirë edhe Bujanocin, Preshevën dhe Gjilanin, ndërsa selia e pushtetit të tyre ishte Prishtina.

Si erdhën deri te pushteti familja Gjinolli? Sipas historianit Sabit Demiri, një pjesë e kësaj familjeje feudale shqiptare sundonte tërë Anamoravën e Kosovës. Ata mbytën komandantin turk të Kalasë së Novobërdës, dëbuan kadiun (gjykatësin) dhe pastaj rrëmbyen pushtetin. Mirëpo, pas ndërprerjes së eksploatimit të minierës, si burim kryesor ekzistencial dhe tregtar, dhe pasigurisë së krijuar, duke marrë çfarë patën me vete, edhe pushtetin administrative dhe u vendosën në Gjilan.

Fillimisht ata, Gjinollët, provuan të themelojnë vendbanimin në Përlepnicë, afër Gjilanit, por nuk u rehatuan dhe nuk ishin të qetë nga banorët e fshatrave malore dhe nga aty u vendosën në Gjilanin e tashëm. Ata u vendosën në lagjen-mëhallën e qytetit e quajtur edhe sot “Begler Mahalla”, ndërtuan srajet, konakun, hamamin, kullën mbrojtëse e sahatkullën. Sipas Demirit, familja feudale e Gjinollëve, pikërisht e Bahti – beg Gjinollit konsiderohet themelues i Gjilanit. Gjithnjë, sipas Demirit, Gjinollët me vete sollën në Gjilan çifçinjtë, tregtarë e zejtarë shqiptarë të Novobërdës.

Meqë ata sollën familje çifçinjësh në Gjilan, edhe sot në qytet një lagje quhet “Çifllik Mahalla”. Kështu që, bazuar në këto zhvillime e migrime në rrafshin e Gjilanit të sotëm me 1780 qyteti shndërrohet në qendër administrative, ekonomike dhe kulturore në tërë Anamoravën – përkatësisht Fushë Gropës së Moravës, Novobërdës, Karadakut dhe Kriva Rekës (Kamenicës). Mirëpo, edhe disa vjet në vazhdim Gjilani është quajtur nga Perandoria Turke quhej me emrin e vjetër Kazaja e Novobërdës.

Mirëpo, ka edhe një qasje tjetër, një këndvështrim tjetër për themelimin dhe themeluesin e Gjilanit. Madje pohimet qofshin edhe konceptuale, historike apo edhe epistemologjike mbi themeluesit e qytetit të Gjilanit, shpeshherë quhen spekulative, sentimentale dhe të paakceptueshme me realitetin dhe zhvillimet e atëhershme dhe shikimi i tyre në retrospektivë dhe ndërtimi i të vërtetës mbi të kaluarën nga një perspektivë reale e kohës sonë.

Shefqet Mehmeti, studiues i vjetërsisë së qytetit, dhe njohës i arkivës së administratës turke të kohës, thotë se ka spekulime, madje edhe në literaturën historike rreth themelimit dhe emrit të qytetit. Sipas Mehmetit, themelues të qytetit të Gjilanit janë familja Novobëdaliu që zbriti nga qyteti mesjetar i Novobërdos në Gjilan. Ai ka kontestuar teoritë mbi themelimin e qytetit të Gjilanit nga Gjinollët, duke i quajtur spekulime.

Nga faktet ekzistuese, ka përvijuar Mehmeti, del se familja Gjinolli ka jetuar në Vranjë, ndërsa me 1756 aty kanë ngritur kalanë e njohur si kalaja e Rauf Begut, e cila përdoret si godinë gjimnazi, një pjesë, pastaj një pjesë është muze, ndërsa pjesa tjetër hotel i kompanisë “Simpo”. Mehmeti thotë se Bahti dhe Osman Begu nga familja e Gjinollëve figurojnë në Prishtinë me 1802, ndërsa prania e tyre në Gjilan figuron me 1831, që nënkupton pas themelimit të qytetit të Gjilanit. Ai ka theksuar se Gjilani fillimisht ka ekzistuar si fshat, e me 1780 si qytet, me 200 shtëpi.

Nga ballafaqimi i këtyre dy qasjeve del se nuk mund të nxirret një konkludim i plotë, duke lënë çështjen e themelimit të qytetit në rrafshin e supozimeve dualiste në këtë ndeshje pohimesh a hipotezash. Mbase, e vërteta lëviz midis supozimesh dhe spekulimesh mbi themeluesit e qytetit – Gjinollët apo Novobërdalitë, edhe pse nuk ka paqartësi se qendra e asaj periudhe mbetet qyteti mesjetar apo Kazaja e Novobërdës.