Kush duhet të publikojë emrat e të dyshimtëve për krime lufte

Prishtinë – Qeveria e Serbisë është duke kërkuar publikimin e regjistrave me emra të qytetarëve serbë të dyshimtë për krime lufte në Kosovë. Duke folur në emër të Qeverisë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, ka theksuar se Serbia është e interesuar të publikojë emrat e të gjithë personave të dyshimtë.
KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse ka pranuar një kërkesë të tillë zyrtare nga Qeveria e Serbisë apo edhe nëse Kosova po bëhet gati të dorëzojë listën me emra të të dyshimtëve serbë për krime lufte.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka rekomanduar që përgjigjet të kërkohen nga përgjegjësja kryesore për bisedimet midis Kosovës e Serbisë kryenegociatorja, Edita Tahiri. Megjithatë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk u është përgjigjur pyetjeve të KTV-së.
Publikimi eventual i emrave do të shkaktonte efekte negative në zbardhjen e drejtësisë, konsideron Fondi për të Drejtën Humanitare. Bekim Blakaj nga ky fond konsideron se Serbia nuk është marrë asnjëherë seriozisht me krime lufte.