Uji Dea

Kush dhe sa kontribuoi nga mjekët shqiptarë në kohën e helmimeve të nxënësve në vitin 1990

/ 6 minuta lexim

Nga Xhevat Demiri – Si dhe sa ishim të përgatitur ne si staf mjekësorë në atë kohë (pa kohë)? Edhe në atë kohë (kur gjithçka ishte nën mbikëqyrjen e pushtetit totalitarë të ish-Jugosllavisë, e me theks të veçantë të Serbisë), personeli mjekësorë nga komuniteti shqiptar e tha dhe e dha fjalën e vetë. Duhet cekur se në fillim kjo gjendje neve na gjeti jo të përgatitur mirë (gati sikurse tani që po ballafaqohemi me Kovid-19), por atëherë në rrethana krejt të tjera, kuptohet, shumë më keq.

Me sa më kujtohet, rastet e para të helmimeve kishin filluar në Podujevë, e që më pas u paraqitën në tërë Kosovën. Në atë kohë, siç u përmend, veç ishte instaluar pushteti i hekurt serb në çdo institucion, e në veçanti, në institucionet shëndetësore dhe arsimore.

Në spitalin e Gjilanit ishim vetëm 4-5 drejtues shqiptar të reparteve, e kjo bëhej vetëm për arsye se nga komuniteti serb nuk kishte kuadro përkatës. P.sh. reparti i ortopedisë, reparti i urologjisë, reparti i infektologjisë, reparti i koronares etj.

Edhe pse në atë kohë, drejtuesit e këtyre reparteve ishin shqiptar, ata ishin pothuajse sa për sy e faqe, sepse, për gjithçka vendosnin serbët. Më kujtohet si sot, që rastet e para erdhën me disa simptoma të lehta helmimi. Në fillim nuk ishin në numër të madh, e që ishte më lehtë të menaxhohej ajo situatë. Kurse në ditët në vijim, numri i nxënësve të helmuar u shtua aq shumë, sa që neve na zuri në befasi sepse në fillim nuk dihej se për
ç`farë bëhej fjalë. Të helmuarit ishin të gjithë shqiptar.

Dukë u bërë situata shumë alarmante, ne mjekët shqiptar u mblodhëm dhe filluam të bisedojmë se çfarë hapa duhet të ndërmarrim. Me qenë se unë isha drejtues i repartit të infektologjisë, e që reparti ishte i ndarë fizikisht nga spitali regjional, dr. Ismail Aliu – kardiolog, propozoi që unë të jem përgjegjës kryesor për menaxhimin e rasteve të helmimeve në atë kohë. Në fillim, vendosëm ta zbrazim repartin në tërësi, dhe se të gjithë pacientët u liruan për në shtëpi. Reparti kishte 24 shtretër dhe të gjithë shtretërit i nxorëm në oborr të spitalit për shkak të krijimit të hapësirës, sepse numri i nxënësve të helmuar në çdo moment rritej dhe arriti numër shumë madh sa që nuk e përballonte reparti. Për më shumë, ne vendosëm dyshekë dhe batanije në oborrin e spitalit për të shërbyer të helmuarit.

Kolegji në përbërje të mjekëve shqiptar vendosi që çdo pacienti t’i jepet terapi venoze – infuzione me vitamine. Kjo bëhej për t’u ruajtur vija venoze. Pra, akoma nuk dihej sigurtë se për çfarë helmimi bëhej fjalë. Gjithashtu u vendos që të gjithë mjekët dhe infermieret shqiptar, të jenë në gjendje gatishmërie për të ofruar ndihmën si në repart, po ashtu edhe në oborr të spitalit. Ishte një mobilizim i mrekullueshëm. Gjatë shërbimit, kishim telashe me familjarët e të helmuarve, meqë me të drejtë ata ishin shumë të brengosur. Në ato momente erdhi policia dhe në mesin e tyre ishte edhe z. Halit Rexhepi, së bashku me komandantin e policisë z. Enver Ramizi që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbajtjen e rendit.

RCCOLA

Një problem tjetër serioz, e që duhet cekur, ishte se duhej të jepej terapi me infuzione e që në atë kohë, infuzionet ishin të mbikëqyrura nga drejtori i përgjithshëm serb, e që nuk mund të nxirrej asnjë infuzion pa miratimin e tij. Procedurat ishin shumë burokratike e që krijonin vonesa pa asnjë arsye, ndërsa, situata përkeqësohej orë e çast. Infuzionet ishin të vendosura në shërbimin e transfuzionit, e që për fatin e mirë, atë shërbim e menaxhonte znj. Hyxherete Krasniqi. Unë kontaktova më znj. Krasniqi për t’i kërkuar infuzionet dhe i garantova se përgjegjësinë për çdo mosmarrëveshje e merrja unë. Aty gjeta mirëkuptimin e saj ku edhe arrita që të siguroj sasi të konsiderueshme të infuzioneve dhe terapisë tjetër përcjellëse për të ofruar ndihmën e nxënësve të helmuar.

Pas 3-4 ditësh, në cilësinë e menaxhuesit të situatës së krijuar, u thirra nga drejtori Mihajlovic në zyrën e tij, ku të pranishëm ishin z. Halit Rexhepi dhe z. Enver Ramizi si dhe policë serb tjerë përcjellës, të ardhur nga Vranja. Aty u krijua një situatë e rëndë në mes meje dhe një mjeku serb, por falë të pranishmëve, nuk ndodhi më e keqja. Drejtori më akuzoi se kisha bërë harxhime me kosto shumë të lartë, sipas tij, pa nevojë dhe me gabime profesionale, duke shpifur se ato shërbime të bëra ndaj nxënësve të helmuar ishin simulim dhe se, sipas tij, nuk kishte të bënte me ndonjë helmim, por se nxënësit po aktronin. Unë i thash “bëjeni llogarinë e shpenzimeve dhe se unë i marr përsipër për t’i mbuluar shpenzimet”, por, megjithatë, kjo barrë nuk më u ngarkua.

Për këtë punë kolosale duhet falënderuar tërë stafin mjekësor të komunitetit shqiptar, si mjekët po ashtu edhe infermierët. Gjithashtu, punëtorët ndihmës të spitalit kanë merita të larta, me që ata kanë bartur të gjithë të helmuarit dhe kanë qenë në shërbim të plotë për të ndihmuar menaxhimin e situatës së krijuar, por, edhe popullata e alarmuar me këtë situatë, ishin mobilizuar për të ofruar ndihmën e tyre të pakursyer.

Një falënderim i veçantë i dedikohet edhe tash më të ndjerit z. Milaim Zeqirit i cili ka qenë prezent në spital gjatë tërë kohës sa jemi marrë me shërbimin e nxënësve të helmuar e deri në shërimin e plotë të tyre.

Me këtë rrëfim desha vetëm të informoj apo rikujtoj publikun se me çfarë pushteti kemi pas të bëjmë dhe se në çfarë kushte të vështira dhe me rrezik të lartë, ne si popull human, jemi munduar të japim kontributin tonë, të cilin ne si mjekë e kemi për obligim./rajonipress/