RCCOLA

Kusari: Në Kosovë ka tendenca për ta lëkundur bazamentin e lirisë së medias

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, tha se shteti nuk është duke i kryer obligimet në raport me mediat, e të cilat lidhen me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillin e Evropës, ku Kosova synon të anëtarësohet.

Kusari tha se shteti duhet të krijoj ambient të favorshëm për mediat, e të mos e pengoj në asnjë formë punën e tyre.

”Me ndërmarrë masa me qenë ambient i favorshëm për media, kjo përfshinë politika që ua mundëson mediave që të operojnë siç duhet, dhe shteti nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim që t’i censuroj, apo mbyllë mediat, ose të pengoj punën e tyre, këto janë obligime bazike që rrjedhin prej Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është e ndërlidhur me Këshillin e Evropës, ku ne po synojmë ta anëtarësohemi, e këtu kemi probleme të cilat i kemi dokumentuar gjatë vitit”, tha Kusari.

Fundamenti

Kusari tha se një nga problemet është edhe mos alokimi i buxhetit publik për mediat.

”Është standard, paraja publike duhet të shkojë te gazetaria, sepse gazetaria është e mirë publike. Shtete të ndryshme kanë forma të ndryshme se si e rregullojnë këtë, disa shtete ia japin Komisionit të Pavarur për Media, në këtë rast KPM-së, bëhen disa standarde, aplikon media i plotëson ato standarde dhe konsiderohet se është një lloj arbitri, në disa shtete krijohen organe të pavarura, ka modele të ndryshme që të sigurohet që paraja publike të shkoj te mediat dhe të mos ketë në asnjë formë ndikim politik”, tha Kusari në Klan Kosovës.

Kusari shtoi se Kosova është kampione në rajon për lirinë e medias, por se megjithatë ka tendenca për ta lëkundur bazamentin e kësaj lirie, duke përmendur rastin e Klan Kosovës dhe projektligjin për KPM-në si dy iniciativa të gabuara.