RCCOLA

Kusari: Maqedonisë i përgjigjemi me reciprocitet në mallra

/ 5 minuta lexim

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari ka paralajmëruar zgjerimin e listës së mallrave të Maqedonisë që do të ndalohen të hyjnë në Kosovë.

Por, ajo ka thënë se nuk do të ketë masa reciproke me shtetin maqedonas sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve.

“Masat tona reciproke janë vendosur për mallra tregtare dhe për kompani. Ne nuk mund të biem në atë nivel, por ne do t’i tregojmë shtetit maqedon se ata nëse vazhdojnë t’i trajtojnë në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës, atëherë humbjet do t’i ndjejnë drejtpërdrejtë në ekonominë dhe buxhetin e tyre”, ka thënë Kusari, për Gazetën Express.

“Masa reciprociteti për lëvizjen e lirë të njerëzve nuk do të ketë për shkak se ne e kuptojmë se do të godasim shqiptarët e Maqedonisë dhe të tjerët që vijnë në Kosovë, natyrisht edhe maqedonët”, ka shtuar ajo.

Shteti maqedon ka vendosur t’i detyrojë qytetarët e Kosovës të paguajnë taksa shtesë kur vendosin të shkojnë në Maqedoni. Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguaj çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës.

Megjithëkëtë, Ministrja e Tregtisë thotë se ende këtë çështje janë duke e trajtuar në aspektin tregtar dhe jo në aspektin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

“Në fazat e ardhshme në prapë insistojmë që kjo të jetë çështje e raportit tregtar. Qeveria e Kosovës është në konsultimet e veta se cili do të jetë veprimi i radhës. Natyrisht, në forma të tilla ata nuk mund t’i bëjnë ultimatume Qeverisë së Kosovës. Në të kundërtën ne mund të shkojmë me zgjerimin e listës së mallrave të ndaluara që vijnë prej Maqedonisë në Kosovë”, ka thënë Ministrja Kusari.

Madje, Zëvendëskryeministrja e ka quajtur vendimin e Maqedonisë absurd dhe në dëm të raporteve të fqinjësisë së mirë me Kosovën.

“Kjo taksë është në kundërshtim me çdo normë europiane dhe të fqinjësisë së mirë. Qytetarët e Kosovës për momentin duhet të shkojnë vetëm për taste emergjente në Maqedoni, ndërsa për arsye tjetra të evitojnë këtë qarkullim për momentin. Kjo formë e fqinjësisë së mirë është absurde”, ka shtuar ajo.

Maqedonia u qet haraç kosovarëve

Në pikën kufitare Bllacë dhe pikat e tjera me Kosovën ka nisur pagesa e taksës hyrëse nga shtetasit e Kosovës që hyjnë në Maqedoni.

Një zyrtar i pikës kufitare nga stacioni policor kufitar në Bllacë konfirmoi sot për INA se zyrtarisht nga mesnata ka nisur aplikimi taksës hyrëse për të gjithë shtetasit e Kosovës.

“Po, ka nisur pagesa që duhet kryer dhe procesi po ecën me vështirësi, për shkak se bëhet fjalë për një masë emergjente dhe nuk dihet se si do të vijoj më tutje”, thekson ai.

Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguaj çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës.

Fidanishtja

Në pikën kufitare Bllacë janë shkaktuar tollovi të mëdha dhe kolona të gjata që shkaktohen nga procedurat e pagesës së taksës.

Shtetasit e Kosovës janë shprehur të irrituar për masën e vendosur kufitare, duke theksuar se me këto vendime bllokohet lëvizja e lirë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Po pësojmë ne qytetarët e zakonshëm. Jemi nisur për kontroll në një spital në Shkup dhe tash na bie si barrë edhe kjo taksë”, theksoi Bekim L, nga Prishtina.

Edhe nga kompania Euorins në Bllacë theksuan se ka nisur pagesa e taksës, mirëpo ajo paguhet jo përmes kompanive të sigurimeve, por drejtpërdrejt në pikat kufitare, në konton e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Ky vendim është marrë dy ditë më parë në Qeverinë e Maqedonisë, ndërsa nuk dihet se a kanë qenë pjesëmarrës ministrat shqiptarë. Vendimi erdhi si pasojë e vendosjes së embargos nga ana e Prishtinës për një pjesë të prodhimeve të ndryshme të Maqedonisë.

_________________________________________________________________________________________

Shkupi ultimatum Prishtinës: Zhbllokone eksportin

Qeveria maqedonase nuk ka ndërmarrë ende asnjë kundërpërgjigje ndaj masës për bllokimin nga Kosova të një morie produktesh të Maqedonisë.

Portali Zhurnal shkruan se autoritetet me të cilat ka kontaktuar, kanë përgënjeshtruar informacionet e sipas të cilave Shkupi zyrtar po zbaton nga dita e sotme taksën e hyrjes për qytetarët e Kosovës.

“Informacionet e tilla janë hedhur poshtë kategorikisht nga zyrtarë të lartë të Qeverisë, të cilët kanë njoftuar për mundësinë e një takimi në nivel ministrash të dikastereve përkatës në mes dy qeverive”, shkruan Zhurnal.

Takimi, i cili pritet të zhvillohet të hënën, do të jetë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për ngërçin tregtar, i cili pasoi vendimin e Kosovës për bllokimin e disa produkteve të Maqedonisë.

Prishtina zyrtare vendoi të enjten të bllokonte eksportin nga Maqedonia, duke marrë për bazë vendimin e Shkupit për kufizimin e importit të miellit.

Megjithatë, nga Qeveria në Shkup njoftojnë se Prishtinës i është vënë ultimatum të heqë deri në mesnatë masën e bllokimit, sepse në të kundërt do të vërë në zbatim masën e taksës për hyrje që parasheh detyrimin e pagesës me 5 euro për makinë dhe 2 euro për person.