RCCOLA

“Kurtit i duhet lidership e qasje diplomatike në dialogun me Serbinë”

/ 3 minuta lexim

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për “Zërin” ka thënë se takimi i Kurtit me Vuçiqin do të jetë takim njoftues për të formalizuar vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Takimi i qershorit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq do të jetë takim njoftues për të formalizuar vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, pas një ndërprerjeje të gjatë si rezultat i pandemisë, por edhe ndërrimit të qeverive në Kosovë, së paku në dy vjetët e fundit”, tha ai.

Sipas Miftarajt, kryeministri i Kosovës është i përgatitur për dialogun, pasi sipas tij edhe sa ishte në opozitë ka pasur informacione dhe qasje në marrëveshjet e arritura deri më tani.

Ai thotë se në këtë drejtim Kurtit më shumë se përgatitje i nevojitet lidership dhe qasje diplomatike, ku merren për bazë këshillat dhe qëndrimet e vendeve mike, me theks të veçantë SHBA-së dhe BE-së.

“Dialogu Kosovë – Serbi ka një historik të gjatë, së paku nga viti 2013, andaj sigurisht se pa marrë parasysh nëse Kurti ka qenë ose jo deri më tani në mënyrë aktive në takime me delegacionin serb, së paku nga prizmi i opozitës ka pasur informacione dhe qasje po ashtu edhe në marrëveshjet e arritura deri më tani. Në këtë drejtim, më shumë se përgatitje, në këtë fazë nevojitet lidership, vizion dhe qasje diplomatike, ku merren për bazë këshillat dhe qëndrimet e vendeve mike me theks të veçantë SHBA-së dhe BE-së”, tha Miftaraj.

Fundamenti

Ai thotë se Kurti e ka mundësinë ta dëshmojë tani që është në pushtet atë që e ka thënë në kohën sa ishte në opozitë.

“Qëndrimet dhe interesat e Republikës së Kosovës mbrohen dhe avancohen duke pasur vizion të qartë se çka pritet nga dialogu dhe duke koordinuar veprimet me miqtë ndërkombëtarë. Pa dyshim se ky do jetë testi i parë serioz i z. Kurtit, ku për herë të parë do të përballet më një temë të nxehtë, e cila pa dyshim se do të dëshmojë nëse i njëjti është lideri të cilin e ka proklamuar sa ka qenë në opozitë”, tha Miftaraj për “Zërin”.

Të mërkurën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka njoftuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor.

Theksojmë se ky do të jetë takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. /Zëri