Kurti zyrtarizohet si “Babë”, të pakënaqurit e bojkotoj

Albin Kurti ka votuar dje për zgjedhjen e kryetarit të lëvizjes “Vetëvendosje”, në të cilën garë ai është kandidati i vetëm. Këtë javë ai pritet të konfirmohet në krye të lëvizjes “Vetëvendosje” për një mandat të ri, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Kurti ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë, aty ku, siç ka treguar, i ka kryer 8 klasat e shkollës fillore.
“Tetë klasat e shkollës fillore i kam mbaruar pikërisht këtu, në shkollën ‘Naim Frashëri’, në të cilën sot erdha për të votuar në zgjedhjet e lira e demokratike të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, të cilat, në njërën anë janë obligim yni statutor dhe në anën tjetër paraqesin demokraci të thellë për shkak se në ‘Vetëvendosje’ kryetari zgjidhet me mënyrën: një anëtar – një votë”, ka thënë Kurti.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të LVV-së që të votojnë në këto votime.
“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ është jo vetëm subjekti më politik, më social, më patriotik, por është njëkohësisht edhe subjekti më demokratik në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Kurti.
Vendvotimet janë hapur nga ora 10:00 dhe janë mbyllur në orën 19:00 të së dielës. Me përfundimin e numërimit të votave Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm do të bëjë shpalljen e rezultateve paraprake për votat “për”, “kundër” dhe “abstenim”.
Megjithatë, garën për kryetar të lëvizjes “Vetëvendosje” e kanë bojkotuar të pakënaqurit e këtij subjekti politik.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se për ta zgjedhur kreun e LVV-së nuk kanë votuar dje ish-kryetari Visar Ymeri, ish-sekretari Dardan Molliqaj, kreu i Kamenicës Qëndron Kastrati, ish-nënkryetari i partisë Dardan Sejdiu, etj..