Kurti: VV ka nevojë për përkrahjen e popullit
Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me deputetin Rexhep Selimi dhe anëtarin e VV-së, Salih Salihu e kanë vizituar qendrën e VV-së në Zvicër me ç’rast kanë takuar edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste të Zvicrës, Stefan Hostettler, zëvendës Sekretar i Përgjithshëm dhe shef i Divizionit Politik, dhe Peter Hug.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimet aktuale, për programet politike dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy subjekteve politike.
Gjatë kësaj vizite, Kurti ka takuar edhe ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë në ambasadat përkatëse në Bern, ku u bisedua për mërgatën shqiptare në Zvicër dhe zhvillimet politike të fundit në trojet shqiptare, raporton RTK.
Pas takimeve me ambasadorët, delegacioni pati një takim me afaristë dhe bashkatdhetarë të Kantonit të Bernit, ku delegacioni bisedoi rreth problemeve të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe Kosovë, dhe rreth Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu, gjatë ditës së shtunë, delegacioni pati takim edhe me politikanët zviceran të kantonit të Gjenevës, Tierry Apotheloz të Partisë Socialiste si dhe Antonio Hodgers të Partisë së Gjelbër, të dy kandidatë në zgjedhjet e 6 tetorit për deputetë në Këshillit e Lartë Shtetëror. Ata diskutuan për situatën politike, mërgatën shqiptare dhe sfidat e integrimit të saj në shtetin zviceran si dhe ndërtimin e urave bashkëpunuese e shkëmbimin e përvojave.
Në mbrëmje, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër, Pika në Gjenevë ka mbajtur një takim me bashkatdhetarë. Meriton Mihovci, kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër foli për shtrirjen e Lëvizjes dhe rëndësinë e përfshirjes së saj në jetën politike.
Kurti pohoi se Lëvizja Vetëvendosje ka hartuar Alternativën Qeverisëse të bazuar në 3 shtylla, shtetin zhvillimor, shtetin e së drejtës dhe shtetin social, e në 20 kapituj.
“Lëvizja Vetëvendosje zotohet dhe angazhohet ta realizojë këtë projekt por ajo ka nevojë për përkrahjen e popullit. Me këtë, Alternativë, do t”ia sjellim sovranitetin ekonomik Kosovës, pavarësinë politike vendit dhe mirëqenien e dinjitetin qytetarit”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, deputeti Rexhep Selimi shprehu mirënjohjen e thellë të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kontributit të mërgatës shqiptare dhe rolin e shtetit sipas Alternativës Qeverisëse ndaj mërgatës.
Kurse, Salih Salihu sqaroi në detaje zhvillimin ekonomik, posaçërisht të bazuar në agrikulturë dhe industri.

