Kurti: Vetëvendosje e gatshme për zgjedhje, me apo pa bllok të bashkuar

U bënë bashkë për një kauzë kundër “Zajednicës”. Edhe më shumë i ka afruar kërkesa për mos nënshkrimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Janë tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që deri tash kanë mbledhur mbi 150 mijë nënshkrime për peticionin që përkrah kërkesat e opozitës.
Bllokuan për dy javë punën në Kuvendin e Kosovës e të gatshëm po tregohen për ta bllokuar edhe më tej.
Të gatshëm janë edhe për protesta dhe masa të tjera. Deputeti Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress, e fuqizon edhe më shumë vendosmërinë e tri partive për këto kundërshtime. Kurti tregon se çfarë janë gjasat për grupin e ri të tri partive opozitare.
“Ne jemi bashkë në aktivitete dhe bashkë në qëndrime sa i përket kundërshtimit të ‘Zajednicës’ dhe besoj se do të vazhdojmë ta kundërshtojmë bashkë derisa ta korrim suksesin e plotë, i cili në fund të fundit nuk është sukses i yni, por i qytetarëve të Republikës dhe vetë Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti, teksa ka shtuar se për të ardhmen politike të 3 partive në opozitë, as që e kanë diskutuar deri më tani.
“Kur të mbërrijmë tek ajo urë do ta kalojmë edhe atë, por është tepër herët që ajo të diskutohet e lërë më të merret vendim për atë gjë. Ne nuk dëshirojmë që në këtë fazë ta dobësojmë bashkëpunimin tonë dhe ta zvogëlojmë energjinë tonë duke u marrë me çështje të cilat janë tepër të hershme dhe nuk mund te flitet për to në këtë kohë. Unë edhe nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, sekretari organizativ, Dardan Molliqaj, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e di se këto tema nuk janë diskutuar me AAK-në dhe Nismën”, tha Kurti.
Të vetëm apo me dy partitë tjera opozitare, Kurti thotë se janë të gatshëm edhe për zgjedhje të reja. Por, më kryesore për momentin mbetet ndalja e “Zajednicës”.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhjet e ardhshme sepse një ditë më pak me këtë koalicion qeverisës PDK-LDK-Srpska, do të thotë një ditë më shumë për Republikën e Kosovës. Jemi të vendosur që tash t’i përqendrojmë të gjitha forcat në ndaljen e ‘Zajednicës’. Mirëpo, zgjedhjeve parlamentare ne nuk ju ikim, përkundrazi, jemi shumë të interesuar e të gatshëm për to sepse tash ndodhemi në fazën ku në mënyrë të pakompromis duhet ta luftojmë dhe bllokojmë ‘Zajednicën’. Bllokimi që ja ka bërë opozita e bashkuar Kuvendit të Republikës është për Kuvendin e Republikës dhe rezistencë ndaj qeverisë dhe ‘Zajednicës’ së saj me Serbinë e Vuçiqit”, tha Kurti.
http://koha.net/?id=27&l=77800