RCCOLA

Kurti thotë se nesër shkon në Bruksel për takim me Vuçiqin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se past takimit të nesërm në Vatikan me Papa Françesku, do të udhëtojë për në Bruksel në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Kurti, përmes një postimi në Twitter, ka konfirmuar se do të udhëtojë në Bruksel për tu takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Sipas itinerarit tim të përcaktuar për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, konfirmoj pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme Josep Borrell”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se në këtë takim do të insistojë për lirimin urgjent pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, de-eskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Uji Dea

Kurti një ditë më parë (e martë) ka thënë se është i interesuar për t’i paraqitur hollësisht të dhënat të cilat i posedojnë institucionet e Kosovës lidhur me rrëmbimin e tre policëve nga autoritetet serbe.

“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që de-eskalimi i situatës të cilin po kërkojnë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë të martën Kurti.

Ndërsa i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, thotë se takimi i thirrur në Bruksel midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë. /Telegrafi/