UBT

Kurti thotë se marrëveshja me Serbinë do të duhej të përfundonte brenda mandatit të qeverisë së tij

/ 2 minuta lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se shpreson për një marrëveshje me Serbinë brenda mandatit të qeverisë së tij, që përkon me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij të Komisionit aktual evropian.

“Unë besoj që dialogu, bisedimet dhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte brenda të mandatit të qeverisë së Republikës së Kosovës e që koincidon, që përputhet edhe me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atë të Komisionit aktual Evropian të udhëhequr nga zonja Ursula von der Leyen dhe me zëvendësin e saj, përfaqësuesin e lartë për politikën e Jashtme dhe atë të sigurisë, zotin Josep Borrell”, tha Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kryeministri Kurti foli edhe sa i përket zhvillimeve të takimeve në dialogun Kosovës-Serbi, ku tha se Qeveria nuk e ka ndaluar dialogun, përkundrazi thotë se zhvilluan dy takime në Bruksel, ku patën një marrëveshje për reciprocitetin e targave.

Fundamenti

“Edhe kryenegociatorja e dikurshme e Kosovës, zonja (Edita) Tahiri, e pat përmendur para disa viteve që bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë praktikisht janë ndalur kur është hedhur në tryezë projekti i shkëmbimit të territoreve. Pra, nuk është se ne ndaluam dialogun, përkundrazi, ne i patëm dy takime në Bruksel dhe patëm një marrëveshje për reciprocitetin e targave, e cila po zbatohet edhe derisa po e zhvillojmë këtë intervistë.

Ndërkaq ,dialogu besoj që ngadalë, por sigurt, po vendoset ne binarët e duhur, e ato janë binarët e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, sipas vlerave evropiane me qytetarët si përfitues të mbramë dhe në qendër ta ketë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë se aktualisht realiteti është ai i një mosnjohjeje reciproke”.