UBT

Kurti takoi ambasadorët e Francës, Italisë dhe zëvendësambasadorin gjerman, diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Dy ditë pas votës së suksesshme për kalimin e fazës së parë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendës-ambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad.

Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, Kurti me këtë rast ka falënderuar përfaqësuesit diplomatikë për mbështetjen e tyre dhe të vendeve të tyre ndaj Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si një ndër hapat më madhor të Republikës sonë që pas shpalljes së pavarësisë.

Në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel me 2 maj.

Hidromorava

Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara, thuhet në njoftim.

Ndërkohë që theksoi sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj.​ /Telegrafi/