Fundamenti

Kurti takohet me Mustafën, flasin për pasivizimin e adresave në Luginë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar ka pritur sot në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, me bashkëpunëtorë.

Në takim thuhet se u bisedua për situatën aktuale në Luginën e Preshevës, në veçanti çështjen e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare, që posaçërisht është intensifikuar në Medvegjë.

“Kurti tha që është duke e përcjellë me vëmendje situatën me pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Ai tha se përderisa në të kaluarën Serbia tentonte t’i shpopullojë komunat me shumicë shqiptare me dhunë e tanke, tash po e bën në mënyrë administrative. Kjo fushatë kundër banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë, tha kryeministri Kurti”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

KKVITI

Në anën tjetër, Ragmi Mustafa e falënderoi kryeministrin Albin Kurti për pritjen në takim e në veçanti për fondet e ndara nga qeveria “Kurti 1” gjatë krizës së pandemisë.

Ai paraqiti projekte të ndryshme që komunat me shumicë shqiptare synojnë t’i realizojnë.

Në fund thuhet se Kurti dhe Mustafa u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. /Zëri