Mobi Casa

Kurti s’iu ka kthyer përgjigje shqiptarëve të Luginës nëse do të diskutojë edhe për ta me Vuçiqin

/ 4 minuta lexim

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ende nuk ka marrë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëse çështjen e Luginës së Preshevës do ta shtrojë për diskutim në tavolinë gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksnadar Vuçiq. Para se të vinte në pushtet, Kurti thoshte se zgjidhja e çështjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është shumë më e madhe sesa vetëm çështje e sigurisë.

Gazeta Express

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë muaj do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por një temë të rëndësishme nuk dihet nëse kreu i Qeverisë së Kosovës do ta shtrojë në atë që ai e quan “kapitull i ri i dialogut”.

Nëse çështja e Luginës së Preshevës do të shtrohet në tavolinën e bisedimeve, janë shumë të interesuar ta dinë shqiptarët në Serbi. Ata kishin kërkuar dhe ende presin nga kryeministri Kurti që ai të diskutojë edhe për Luginën në takimin me Vuçiqin. Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ritheksuar nevojën që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë diskutimi në dialog dhe gjithashtu pjesë e marrëveshjes finale që synohet të arrihet.

Shaip Kamberi i tha të enjten Gazetës Express se e ka takuar Albin Kurtin para se ai ta merrte detyrën e shefit të Qeverisë në Kosovë. Kamberi shtoi se Kurtin e ka njoftuar me situatën atje dhe nevojën që tema e Luginës së Preshevës të diskutohet me prioritet në takimet me palën serbe.

“Kam pasur takime me Z. Kurti para marrjes së detyrës së kryeministrit. Tash akoma jo, por, Z. Kurti është i njoftuar me situatën në Luginën e Preshevës dhe pozitën e shqiptarëve, prandaj edhe presim që nevojën e perfshierjes së temës së Luginës dhe të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë ta ketë në prioritetet e veta”, tha Kamberi.

I pyetur nese Kurti e kishte siguruar se kjo do të diskutohej, Kamberi u shpreh: “Nuk kemi ndonjë informatë kthyese”.

Zyrtarët shqiptarë në Luginën e Preshevës gjithashtu presin që kryeministri i Kosovës t’i përfshijë ata në dialogun me Serbinë, i cili – siç ia kanë sqaruar Kurtit përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së – nuk ka alternativë.

Për këtë çështje, Express ka pyetur edhe në Qeverinë e Kosovës, e cila si tashmë zakonisht, nuk është përgjigjur.

RCCOLA

Kur Kurti kërkonte zgjidhje për çështjen e Luginës

Në verën e vitit 2019, disa muaj para se të vinte në pushtet për herë të parë, Albin Kurti, atëherë si deputet, alarmonte në Kuvend se shqiptarët po i humbnin të drejtat sociale në Serbi.

“Zgjidhja e çështjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është vetëm çështje e sigurisë. Ajo në radhë të parë paraqet çështje të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve”, thoshte Kurti.

Ai propozonte marrjen e disa masave të menjëhershme për këto komuna me shumicë shqiptare në Serbi.

“Ne mund të rendisim shumë hapa dhe aksione që mund t’i ndërmarrim për shqiptarët atje, por unë do t’i kisha përmbledhur në katër kryesoret. Institucionet e Republikës së Kosovës, e po ashtu ato të Shqipërisë duhet të kërkojnë televizion publik në gjuhën shqipe në Preshevë, universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, investime të shqiptarëve në Medvegjë dhe heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Borovc të Bujanocit. Me këto kërkesa, shqiptarët kudo që janë, dalin në ofensivë kundrejt shtetit të Serbisë, i cili nuk ka as keqardhje e pendesë për krimet nga e kaluara dhe as që i ka ndryshuar qëllimet dhe planet për të ardhmen”, shprehej Kurti.

Presheva, Medvegja dhe Bujanoci perfshijnë rajonin më të pazhvilluar dhe me të hyrat më të vogla në Serbi

Së fundmi, kryeministri Kurti ka thënë se është duke e përcjellë me vëmendje situatën e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kjo fushatë kundër banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë një takimi me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa.

Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit, çështja e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare, posaçërisht është intensifikuar në Medvegjë./GazeaExpress/