Kurti: Shkuarja te varri i Rugovës është gjest simbolik, të cilit s’dua t’ia jap vlerën artificiale
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur sot për mos shkuarjen ende tek varri i ish presidentit Ibrahim Rugova dhe kërkesën e vazhdueshme nga eksponentët e LDK-së.
Ai ka thënë se shkuarje te varri i Rugovës më shumë është një gjest simboli, të cilit ai thotë se nuk dëshiron t’ia jap vlerën artificiale, shkruan Ballkani.info.
“Kështu ishte deri më tash… ndoshta”, ka thënë Kurti në emisionin N”konak, duke e lënë mundësinë që një ditë të shkojë.
“Po them ma kërkonin njerëzit e LDK-së që e bënin një gjë të tillë që pikërisht të ma pamundësonin këtë. Edhe kur të vdes unë hiç mos të vijnë të varri, vetëm le të punojnë për liri e pavarësi”, ka thënë ai.
Më pas, Kurti ka thënë se e vlerëson kontributin e Rugovës dhe konsistencën e tij, edhe nuk pajtohet për shumë vendime të tij, sidomos për rezistencën pasive.
“Ne e respektojmë njëri tjetrin për të gjallë”, ka thënë tutje ai.


