UBT

Kurti: SHIK-u po i shantazhon LDK-në e AAK-në

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti konsideron se mbështetja e dy partitë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për qeverinë e Kosovës është pasojë e shantazhimit që u bënë SHIK-u, i cili u ka krijuar dosje atyre në kohën sa kanë qenë në bashkëqeverisje me PDK.

Ai gjatë një interviste për Kosovapress, ka thënë se lëvizja Vetëvendosje kurrë, në asnjë variant, nuk do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi sipas tij, ky subjekt politik ka rrënuar ekonominë ekonomin e vendit, e ka gjymtuar republikën dhe e ka kapur shtetin.

Kurti ka pohuar, gjithashtu, se nuk ka kuptim të merresh me politikë nëse frikësohesh, apo nëse merresh me vetën tende, pasi politika është për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm-interesit publik.

“Ne kemi shumë politikanë në Kuvendin e Kosovës, përveç se në Qeverinë e Kosovës, që nuk frikësohen për fatin e popullit por frikësohen për veten e tyre. Po i frikësohen qeverisë, sepse nga bashkëqeverisja e pasluftës duket që shërbimi i partisë në pushtet SHIK-u ka krijuar dosje për ta dhe tash i shantazhon. Një numër i konsiderueshëm i këtyre politikanëve i kanë bizneset nga politika dhe kjo është arsyeja pse ata janë të kapur në një shtet të kapur. Mirëpo nuk ka kuptim të merresh me politikë në këso situatash, meqenëse politika është për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm, interesit publik, dhe kjo mua me duket që është arsyeja pse këta deputetë nuk e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje! Kur ata kanë marrë nisma për të mirën e Kosovës e kundër kësaj qeverie, gjithmonë e kanë pasur mirëkuptimin e Vetëvendosje!-s”, ka thënë Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka folur edhe për mundësinë e koalicioneve me partitë tjera në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, por edhe në ato qendrore që pritet të mbahen vitin e ardhshëm. Ai ka pohuar se nuk do të bëjnë koalicione me subjektet tjera politike. Ai thotë se ata e kanë alternativën e tyre qeverisëse, e cila i bën të lidhura shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social.

Kurti ka shtuar se ndryshimi i madh për të cilin ka nevojë Kosova nuk bëhet duke bërë koalicione me ata që ose e kanë ruajtur ‘status quon’ ose i kanë kontribuuar degradimit. Derisa, e ka përjashtuar kategorikisht se asnjëherë, në asnjë kohë për asnjë kusht s’do të bëjnë koalicion me PDK-në.

UBT

“Nuk vjen në shprehje në asnjë mënyrë, në asnjë situate, në asnjë vend dhe në asnjë kohë që ne të bëjmë koalicion me këtë parti, e cila e ka kapur shtetin, e ka rrënuar ekonominë, e ka gjymtuar republikën dhe besoj se me shumë se kaq dhe më i qartë se kaq nuk mund të jem… Me fajtorët që e shkaktuan këtë gjendje në Kosovë ne nuk mund të bashkohemi. Ne besojmë se zgjidhja qëndron duke u ballafaquar me ta deri në rrëzimin e tyre. Mos harroni, se fitoret e kësaj qeverisje të mbrapshtë janë të përkohshme, humbja e tyre do të jetë e përhershme, ndërkaq e kundërta është për rezistencën ndaj këtij regjimi”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se ata do t’i fitojnë zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se sa më shpejt që do të vjen fitorja e Vetëvendosjes, aq me mirë do të jetë për qytetarët. Kurti ka sqaruar edhe angazhimin e tij të deklaruar për një Republikë të tretë të Kosovës.

“Republika e parë ishte republikë për rezistencë, republika e dytë na doli të jetë republikë për shitje, tani kemi nevojë për një Republikë që është për zhvillim ekonomik, për barazi shoqërore për barazi institucionale, për bashkim me Shqipërinë dhe Republikë për drejtësi për qytetarët. Këtë nuk e kemi parë as në 14 vitet e pasluftës, e posaçërisht në këto 5 vitet e pas shpalljes së pavarësisë. Qeveria në krye me Thaçin i ka premtuar Kosovës integritet territorial dhe sovranitet dhe këtë e ka kërkuar në bisedime me Dacicin. Qeveria e Kosovës i ka premtuar qytetarëve zhvillim ekonomik dhe këtë e ka orientuar kah autostradat, secila më gabim se tjetra. Prandaj edhe në kuptimin e buxhetit, të territorit dhe të pasurive natyrore publike, Republika e dytë e Kosovës e 17 shkurtit 2008 doli të jetë Republikë për shitje”, ka theksuar Kurti.

Ndërsa, duke komentuar mënyrën e kundërshtimit të marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka thënë se ai atë ditë e ka kuptuar saktë se po përsëritet marsi i vitit 1989.

Ai ka folur edhe për dorëheqjet që kanë ndodhur në Lëvizjen Vetëvendosje, edhe dorëheqjen e fundit të deputetët Alma lama, duke thënë se ajo as në parti nuk ka shkuar të jap dorëheqje.

“Metodat e Vetëvendosjes janë të etabluara qysh moti dhe këto i ka ditur çdo anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe deputeten Alma Lama. Pra ne nuk jemi transformuar, ne jemi këtu që ta transformojmë vendin tonë, por këmbëngulësia jonë dhe serioziteti jonë janë të pakompromis… Absolutisht nuk është larguar nga ne në Vetëvendosje, por ajo ka dhënë dorëheqje në media, madje as në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka ardhur të jap dorëheqje”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/