Fundamenti

Kurti: Serbia s’mund ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në BE

/ 3 minuta lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shënimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Kosova do të bëhet anëtare kuptimplotë në Bashkimin Evropian dhe Serbia nuk do të mund të pengojë.

“Kosova do të bëhet anëtare kuptimplote në Bashkimin Evropian; Serbia nuk do të mund të na pengojë. Asnjëherë”, ka shkruar Kurti.


Duke shtuar se javën që shkojë është dorëzuar kërkesa zyrtare për anëtarësim në BE, ndërkaq sot, ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II kanë miratuar tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Javën që shkoi, dorëzova kërkesën zyrtare të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa sot, ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II miratuan tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën”, ka shtuar Kurti.

Hidromorava

Ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e shkelë marrëveshjen e vitit 2013 duke i nxitur shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, mbetën të vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE. Duke i dërguar letra shteteve anëtare të BE-së, që t’i nxisin për të kundërshtuar aplikimin tonë për anëtarësim në BE, Vučić-i po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013 (Marrëveshja Thaçi-Daçiq, 19 prill 2013) e cila në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE”, ka thënë Kurti, duke theksuar se në këtë marrëveshje pika që ka vlerë për të është pika 14, pasi siguron të ardhme demokratike për të dyja vendet.

“Për mua e vetmja pikë me vlerë në atë marrëveshje është pika 14, sepse vetëm ajo siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së tillë, Serbia po e shkel kaq hapur një obligim të tillë”, ka bërë të ditur Kurti.