Hidromorava

Kurti: Rimëkëmbja e Kosovës pa Thaçin e Mustafën

/ 4 minuta lexim

Tash është koha e Alternativës tonë sepse qytetarët e Kosovës kanë aspirata që i kapërcejnë shumëfish ambiciet tepër të vogla e të vjetra të një grupimi politik që ndërron veç në akronime jo në metoda e praktika. Hashim Thaçi po flet për “Misionin e ri” por këtu në Kosovë e quajnë “Milioni i ri”. Isa Mustafa po flet për “Kthesa” por qytetarët e Prishtinës në 1 dhjetor i treguan se “Kthesa” është Shpend Ahmeti i Vetëvendosje!-s. Le ta themi hapur, pas fushatës ikin dhe kompanitë e marketingut. Ato paketojnë dukjen vetëm për fushatë, por nuk të mësojnë qeverisjen, atë duhet ta dish vetë. As Hashim Thaçi as Isa Mustafa jashtë fushatës nuk kanë as plan as zgjidhje, tha Kurti.

Edhe pse është në kulmin e aksionit politik duke i prezantuar qytetarëve alternativën e tij qeverisëse, lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes ka gjetur kohë për të na artikuluar dhe sqaruar situatën politike që po kalon Kosova.

Aspak emocional, madje mund të themi dhe pak pragmatist, po tregohet ish-lideri kaçurrels i studentëve të viteve ’90, në fushatën që tashmë ka nisur. Dhe më pak se dy javë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, për Vetëvendosjen sondazhet flasin për një rritje në krahasim me zgjedhjet e fundit.

Fundamenti

Për të kapur maksimumin e elektoratit të pavendosur, por edhe atyre të zhgënjyer, aktivistët e Lëvizjes janë në terren për t’i shpjeguar qytetarëve arsyet pse ata duhet të votohen dhe jo Thaçi ose Mustafa, vetë Kurti përgjigjet: “VV ka program të imtësishëm për të gjitha fushat, gjë që nuk e ka as ‘Misioni i Ri’ i Thaçit dhe as ‘Kthesa’ e Isa Mustafës”.

Kurse kryeministrin dhe PDK e tij i cilëson si të korruptuar nga ‘këmba te koka’, partitë opozitare, LDK-në dhe AAK-në, i akuzon se kanë bërë të mundur jetëgjatësinë e qeverisjes së kriminalizuar të Thaçit. Duke renditur prioritetet e asaj që do të ishte qeveria e tij në rast fitoreje, gjatë një interviste për gazetën Dita, Kurti flet për unifikimin e doganave, regjistrave kadastralë… ndërsa si shembull për atë që vendi mund të presë nga një qeveri e Vetëvendosjes, ai merr komunën e Prishtinës që prej pesë muajsh qeveriset nga Shpend Ahmeti, duke u shpallur kryebashkiaku më i guximshëm në Evropë. Thaçi për të nuk është një rival, pasi për të qenë i tillë duhet të kishte një politikë serioze në sfond. Ndërsa pyetjes se çfarë do të ndryshonte, lideri i VV përgjigjet.

“Alternativa jonë u hartua e punua nën frymën e emancipimit dhe rimëkëmbjes sipas tre shtyllave bazë, shteti i së drejtës, ai social dhe shteti zhvillimor. Ne e duam Kosovën me qeverisje bashkëkohore, të guximshme e mbi të gjitha me kompetencë. Tash është koha e Alternativës tonë sepse qytetarët e Kosovës kanë aspirata që i kapërcejnë shumëfish ambiciet tepër të vogla e të vjetra të një grupimi politik që ndërron veç në akronime jo në metoda e praktika. Hashim Thaçi po flet për “Misionin e ri” por këtu në Kosovë e quajnë “Milioni i ri”. Isa Mustafa po flet për “Kthesa” por qytetarët e Prishtinës në 1 dhjetor i treguan se “Kthesa” është Shpend Ahmeti i Vetëvendosje!-s. Le ta themi hapur, pas fushatës ikin dhe kompanitë e marketingut. Ato paketojnë dukjen vetëm për fushatë, por nuk të mësojnë qeverisjen, atë duhet ta dish vetë. As Hashim Thaçi as Isa Mustafa jashtë fushatës nuk kanë as plan as zgjidhje”, tha Kurti./zeri/