Kurti: Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës, po paguan nga dy mijë euro pjesëtarë terroristë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka dhënë detaje të reja mbi sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Kryeministri po ashtu ka paralajmëruar se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj vendit tonë.
Kurti ka thënë se një muaj para sulmit terrorist, i gjithë arsenali i armatimit ka qenë i vendosur në një kompani, që ishte vizituar më parë edhe nga presidenti serb, transmeton Telegrafi.
“Arsenali që u përdorë në Banjskë, ka qenë i vendosur në një kompani e cila është në listën e sanksionuar të SHBA. Pronë e Milan Radoiçiq dhe tani është drejtor një ish-kolonel i pensionuar serb, i cili ka marrë pjesë në luftërat në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Këtë kompani e kishte vizituar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq”, tha ai.
Kryeministri tha se Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
“Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë”./Telegrafi/