Mobi Casa

Kurti: Qeverisja lokale po i bënë opozitë nivelit qendror, kjo është gabim

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeverisja lokale po i bënë opozitë nivelit qendror.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë, tha se dikur niveli qendror i bënte opozitë nivelit lokal, kurse tash po ndodh e kundërta, e cila sipas tij është gabim.

“Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale. Sot, qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve. Prandaj, edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve. Edhe e komunave. E komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu paraqiti disa shifra që dëshmojnë rritjen e përkrahjes finaciare të qeverisë së tij ndaj komunave.

“Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisë së mëparshme, apo rritje mbi 35% “, tha ai.

Derisa, paralajmëroi se javën e ardhshme do të ketë takim me kryetarët e komunave të Kosovës

Lexoni të plotë adresimin e kryeministrit Kurti në mbledhjen e 142-të të Qeverisë:

Para dy javëve, Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026.

Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisë së mëparshme, apo rritje mbi 35%.

RCCOLA

Ndërkaq, Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit.

Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim. Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro.

Në atë mbledhje, Komisioni i Granteve miratoi buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetit me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80%.

Në fillim të prillit, në një takim, ku ishin të ftuar të gjithë kryetarët e komunave, hapëm thirrjen publike për Komuna për masat e efiçiencës së energjisë për ndërtesat e banimit social, në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike.

Në maj të vitit të kaluar, nënshkruam “Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”, në kuadër të agjendës sonë të gjelbër.

Javën tjetër, do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me Kryetarët e Komunave, të katërtin deri më tani, me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështje me interes për qytetarët.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, që është edhe ministri i linjës, është në komunikim dhe dispozicion të përhershëm me krerët e komunave, pa dallim.

Këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta, të mbështetjes dhe gatishmërisë për bashkëpunim të afërt të Qeverisë me komunat.

Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale. Sot, qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve. Prandaj, edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve. Edhe e komunave. E komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike. /Telegrafi/