Hidromorava

Kurti: Qeveria e Kosovës është jo legjitime

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Qeveria aktuale në Kosovë, nuk është as qeveri e popullit, as qeveri nga populli, e as qeveri për popullin, sepse ajo ka vjedhur votat qytetarëve dhe nuk është e përgjegjshme ndaj tyre. Ndërsa si e tillë nuk është qeveri e mirëqenies dhe e përparimit. Kështu ka vlerësuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e dhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka pohuar se Lëvizja Vetëvendosje, gjatë këtyre vjetëve ka dëshmuar se është një kultivuese e denjë e demokracisë dhe si e tillë është bërë shembull për partitë tjera në Kosovë.

Alternativa qeverisëse që posedon kjo lëvizje, sipas tij, ngrit shumë çështje të rëndësishme, për të cila qytetarët e vendit kanë shumë nevojë.

“Qeveria e Kosovës nuk është qeveri e popullit, sepse është qeveri jo-legjitime. Ajo ia ka vjedhur votat qytetarëve dhe nuk është e përgjegjshme ndaj tyre. Qeveria në Kosovë nuk është qeverisje nga populli. Sepse nuk është qeverisje demokratike. Ajo shkel ligjin dhe kushtetutën, vullnetin dhe lirinë e qytetarëve. Qeveria në Kosovë nuk është as qeveri për popull. Sepse nuk është qeveri e mirëqenies dhe e përparimit”, ka pohuar ai, transmeton Kosovapress.

Po ashtu, sipas Kurtit, qeveria aktuale shkel interesin, pasurinë, zotimet dhe perspektiven e qytetarit. Prandaj vlerëson se Qeveria e Kosovës sundon e nuk qeverisë, pasi që, konsideron se e njëjta s’ka as ideale, moral, plan as strategji.

Hidromorava

Këto janë arsyet, sipas Kurtit, që populli duhet ta dënojë qeverisjen aktuale, duke iu bashkuar alternativës qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zgjedhjet e 3 nëntorit, sipas tij, janë shansi më i mirë për ndryshime të mëdha, duke shtuar se me këtë qeveri të Kosovës dhe përgjithësisht këto qeverisje komunale, Kosovës dhe komunave të saj i mbetët shumë për të dëshiruar.

“Konjukturat sunduese në pushtetet lokale, porsi ajo në pushtetit qendror e kanë rikthyer një dukuri të shëmtuar nga koha e Serbisë kur mbiemri të thuhet para emrit. Sot punësim nuk ka ndryshe. Duhet ta kesh mbiemrin e duhur, si Grabovci, Thaçi, Veseli, sikurse mbiemrat e ngjashëm të komunarëve gjithandej nëpër Kosovë”, ka pohuar ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka pranuar se në Kosovë gjendja është shumë e mirë për 4 për qind të popullatës, përqindje që, sipas tij, ishte e mirë edhe në kohën e sundimit nga pushtuesi serb. /Telegrafi/