Kurti “pro” shitjes së PTK-së

Njihet si kundërshtari më i madh i procesit të privatizimit. Madje për këtë ka dalë edhe në rrugë duke kërkuar të mos shitet një prej aseteve kryesore të Kosovës, Posta dhe Telekomi. Por kur vjen puna në Kuvend, atëherë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bën një lëvizje tjetër, duke vepruar ndryshe.
Në seancën e së enjtes, kur para deputetëve nga LDK-ja u prezantua rekomandimi i pezullimit të shitjes së PTK-së, Kurti nuk mori pjesë në votim. Ai ishte në ambientimet e Kuvendit gjatë gjithë pikave të diskutimit, por nuk e ka parë të udhës që të ulet e të votojë si bashkëpartiakët e tij.
Si për ironi, rekomandimet në fjalë janë hedhur poshtë me rezultat të barabartë 38 me 38, pasi vota “për” e Kurtit, ka mundur të jetë përcaktuese.
Në faksimilen e votimit për ose kundër këtyre rekomandimeve, të cilën e ka parë “Tribuna”, mungon emri i Kurtit. Por në Vetëvendosje arsyetohen se Kurti ka qenë i zënë me disa takime të tjera. “Ai ka pasur takime dhe në ato momente nuk ka mundur të arrijë me kohë për votim”, ka thënë shkurt deputeti Glauk Konjufca. Gazeta ka provuar të marrë deklaratë edhe nga vetë lideri i Vetëvendosjes, por kontakti me të ka qenë i pamundur.(Tribuna).